Kujtesa ime është një bibliotekë e gjallë

Kultura April 15, 2017 - 08:49

Në rubrikën tashmë të rregullt të së shtunës në “Zëri” kësaj radhe prezantojmë Shaip Beqirin, i njohur si poet, por që nga mesi i vjetëve `70 merret edhe me redaktim, publicistikë dhe përkthim. Është autorë I disa librave të botuara. Një pjesë e veprës poetike të Shaip Beqirit është botuar edhe në gjuhë të tjera, si gjermanisht, anglisht, frëngjisht, serbisht, rumanisht, kroatisht etj. Ai është paraqitur në shumë antologji të ndryshme të poezisë si dhe në manifestime e lexime letrare, po ashtu ka fituar çmime të shumta letrare. Shaip Beqiri nga viti 1995 jeton në Zvicër.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

- Ka kohë që të gjitha pyetjet që kam, e ato janë shumë, nuk ia bëj më askujt tjetër përveç vetes! Kjo është klima ime jetësore e krijuese e më se njëzet vjetëve e jo pak të tjerëve para tyre. Dikur qesh mësuar midis një rrëmuje me rrjedhje të rrëmbyeshme, kur duhej dhënë vetëm përgjigje, po ende edhe për vetë përgjigjet. Së voni kam ndër duar varganin e madh të bisedave të mia të më se dyzet vjetëve që kam bërë me qindra bashkëbisedues, që nga Esad Mekuli e Dhimitër Shuteriqi, deri te më të rinjtë, tashmë plotësisht të thinjur. Të vetmet gjëra që nuk më pëlqejnë në atë duzinë gjërash janë pikërisht pyetjet e mia. Ndonjëherë më acarojnë së tepërmi, por saora rrëshqas tutje tyre. Me një fjalë, nuk ka më vështirë se të bësh pyetje, duke filluar nga e domosdoshmja: kush jam unë!? Një parantezë: kur kam qenë një kohë të shkurtë mësimdhënës, notat më të larta u kam vënë nxënësve që më kanë bërë pyetje të mençura, me plot dije përbrenda…     

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

- Udhëtimi im brenda një dite nuk ka të bëjë fare me diçka të zakoshme, aq më pak me të pazakonshmen! Nuk them që nuk kam bërë ndonjë udhëtim në përgjithësi, por jo sa kam pasur mundësi. Thjesht, më ka munguar dëshira. Pra, lëvizja ime është së tepërmi e kufizuar në hapësirë të mbyllur. Po të mos ishte nevoja e domosdoshme që kërkon qarkullimi i gjakut, mund të rri krejt i qetë  me ditë e javë të tëra pa hapur derën e jashtme të shtëpisë. Por, megjithatë, dal ndonjëherë dhe bëj shëtitje të gjata buzë lumit Aare. Është mrekulli edhe lodhja pas ecjes dhe tërë atij vandaku pyetjesh që i bëj vetes, duke soditur perëndimin e diellit ndërmjet reve të purpurta në pasqyrat e zhubravitura të ujit të kulluar… Por mrekulli më e madhe është kafja në restorantin midis ujit, që, derisa e hurb, edhe vandaku që bart brenda vetes, nis të zvogëlohet deri në zhbërje.      

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

- Pafundësisht shumë. Kujtesa ime është një bibliotekë e tërë e gjallë. Edhe ajo e rrokshmja është bërë për një gjysmë shekulli. Një vend të veçantë aty zënë katër libra dhuruar nga tre njerëz: Babai im më ka dhuruar librat me poezi të Serembes dhe Poradecit (më 1967), kur kisha zënë ta bëja bibliotekën time; një mik nga koha e gjimnazit, ministri S. Hyseni, më ka sjellë nga Paris librin e Bodlerit “Les Fleurs du Mal” në fillim të vjetëve `70; kurse në fund të atyre vjetëve, miku im shumë i dashur, aktori i ndjerë A. Hasani, më ka dhuruar bujarisht botimin e parë të librit të Lasgush Poradecit “Ylli i Zemrës”. Këta janë librat më të dukshëm në vitrinën timen gjigante.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Kësaj krize nuk i duket fundi askund, por as fillin nuk mund t`ia përcaktojmë dot saktësisht. Prej se mbaj mend janë përmendur krizat, ndër më të ndryshmet, por jeta ka rrjedhur tutje. Fundi i kësaj krize do të jetë një krizë tjetër! Njeriu duhet të mbajë qëndrim racional ndaj mundësive të kufizuara, por edhe ndaj pamundësive të veta…

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Ishte dikur një kohë me një sistem vlerash shumë i keq, mos me thënë çnjerëzor. Ai sistemi ka rënë përgjithmonë, por tjetri ende nuk është ngritur. Me një fjalë, ata njerëz që bëjnë politikën, natyrisht që bëjnë edhe kulturën,  por e bëjnë rrëmujshëm, pa kurrfarë sistemi, pa asnjë rend, pa asnjë vlerë. Kjo është e tmerrshme.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Thashë diçka se si ishte dje. Nuk do të besoja kurrë që këtë vend kaq të shumëvuajtur e të nëpërkëmbur do ta katandisnin kaq keq dhe do ta zhvatnin  mizorisht pikërisht ata që u shpërfaqën paturpësisht si dalëzotës të tij. Perdja e rëndë e kësaj mynxyre, që u vu gjithandej tokave shqiptare, është tepër e rëndë sa të shohësh diçka përtej territ e tmerrit të saj.    

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Kundruall vetes në mur kam një pikturë të mikut tim Y. Shkreli, të cilën e mbaj si një dritare të pambyllshme të vizionit që dua ta kem përherë edhe përtej vetes. Edhe kur të jem në situatë zbraztësie të dhembshme, nuk ka asgjë tjetër që më përtërin forcën si poezia e Mjedës. Dëgjoj me shumë ëndje muzikë, pafundësisht vetëm Wagnerin. Shikoj shumë filma, sidomos dokumentarë, por nuk veçoj dot asnjërin.