Java e bibliotekës në komunën e Ferizajt

Kultura April 14, 2017 - 09:04

Të enjten e 13 prillit, në bibliotekën e qytetit të Ferizajt “Sadik Tafarshiku”, u organizua një aktivitet bibliotekar, ku të pranishëm ishin edhe mysafirë nga Biblioteka Kombëtare e Prishtinës dhe nga biblioteka e Ulqinit. Me këtë rast në hapësirat e bibliotekës ishin ekspozuar librat, të cilat ishin vendosur në inventarët e rinj, një investim ky më i madhi që ka ndodhur ndonjëherë nga Komuna e Ferizajt.

Në këtë manifestim kulturor për librin foli kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, i cili ndër të tjera tha: “Kemi investuar mjete në shumë prej rreth 50 mijë eurove për libra të rinj dhe për inventar të rinj në hapësirat e kësaj biblioteke. Numri i lexuesve në këtë bibliotekë është shumë inkurajues për të gjithë ne, ndërsa ka arritur në shifrën 4500-5000. Kjo na motivon më shumë, për më tepër në këtë kohë të zhvillimeve të mëdha teknologjike, kur vlerësohet se libri është i kërcënuar shumë nga mungesa e përdorimit”

Ai pastaj ka thënë se me shfaqjen e fotografisë ishte menduar se do të rrezikohej piktura, por kjo nuk kishte ndodhur, sikundër që nuk po ndodhë me librin, ndërsa gjithnjë e më shumë po rritet numri i lexuesve të rinj në bibliotekën e qytetit “Sadik Tafarshiku”. Në kontekst të afirmimit të librit kryetari Sfarqa ka përmendur edhe vizitën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, që javën e kaluar i bëri këtij qyteti, ku mori çmimin “Finesa”, të themeluar për herë të parë nga Komuna e Ferizajt për individët që shënojnë vlera të karakterit ndërkombëtar në të gjitha fushat e artit. Kryetari Sfarqa vlerësoi si kontribut për librin dhe kulturën në përgjithësi emërimin e një sheshi të vogël pranë teatrit të qytetit “Adriana Abdullahu” me emrin e Ismail Kadaresë.

Ramize Meta-Bajraktari, nga Biblioteka Kombëtare foli për rëndësinë e javës së bibliotekës në Kosovë. Ajo vlerësoi se java e bibliotekës është manifestimi më i rëndësishëm për librin që mbahet në Kosovë tash e 15 vjet, duke falënderuar me këtë rast ambasadën amerikane në Kosovë për kontributin e madh që ka dhënë në mbajtjen e këtij aktiviteti.

Drejtoresha e bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rada, e ftuar si mysafire në këto aktivitete, tha se biblioteka e Ulqinit është nga bibliotekat më të vjetra në rajon dhe se është e vetmja ku mund të gjendet libri shqip në Mal të Zi. Ajo pastaj u angazhua që të ketë një bashkëpunim më të mirë mes bibliotekave në Kosovë dhe Mal të Zi.

Në kuadër të këtij aktiviteti bibliotekar u lexuan ehe disa kumtesa që kishin të bënin me librin, përkatësisht drejtën e autorit. Kumtesat e tyre i lexuan valon kashtanjeva, drejtor i zyrës për të drejtat e autorit nga Ministria e kulturës, Zymryte Berisha, Sadije Emini, Nazim Haliti dhe Naim Ymeri.

Drejtoresha e kësaj biblioteke, Teuta Demiri, tha se ky ishe vetëm një nga aktivitetet e shumta që mbahen në këtë bibliotekë gjatë vitit. Ajo ka falënderuar Komunën që ka bërë një investim kaq të madh dhe kaq të rëndësishëm për librin dhe për pajisjen me inventar të ri të hapësirave brenda bibliotekës.