Dy vjet nga vdekja e nobelisti Günter Grass

Kultura April 13, 2017 - 12:52

Data 13 prill shënoi përvjetorin e dytë të vdekjes së shkrimtarit dhe nobelistit të letërsisë, Günter Grass.

Njeri i së majtës, i njohur për pikëpamjet e tij kontraverse, Günter Grass, fituesi i çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 1999, ishte shkrimtari gjerman i gjysmës së dytë të shekullit të XX, i njohur më shumë jashtë vendit, shkruan zeri.info.

Më 1952 Republika Federale e Gjermanisë ishte e re, i ri ishte dhe Grass. Ai merrej me art, studion skulpturë, luan në një formacion Jazz-i, udhëton dhe më në fund më 1956 shkon për një farë kohe në Paris.

Grass projekton këtu romanin e tij "Daullja prej teneqeje", që u botua më 1959 dhe që shkaktoi indinjatë tek mikroborgjezia gjermane në ato vite, por që më pas qe një sukses botëror i përkthyer në shumë gjuhë dhe i vënë disa herë në skenë.

Pikërisht katër dekada më pas krijuesi i kësaj vepre - nderohet me Çmimin Nobel në letërsi për veprën jetësore të tij.

Günter Grass ka shkruar drama, poezi e kryesisht romane, lista e veprave të tij është e gjatë.

Romanet e njohura si "Vite qeni", apo "Anestezi lokale" janë disa prej tyre, ashtu si edhe "Shojëza", "Miushja", "Ogurzinjtë" e shumë të tjera.

Në to gjithmonë trajtohen raportet e kthesat politike e shoqërore: si p.sh. roli i intelektualëve në kryengritjen e RDGJ-së më 1953, revolta studentore e vitit 1968, luftërat elektorale për zgjedhjet e parlamentare, çështjet e së ardhmes, politika Lindje-Perëndim, mbytja e anijes me refugjatë në Detin Baltik më 1945.

Pajtimi me Poloninë ishte një çështje që shkrimtari i lindur në Gdansk e kishte veçanërisht për zemër.

Ndonëse romanet e mëvonshëm historikë nuk e arritën entuziazmin si ai mbi historinë e daullexhiut Oskar Matzerath, ato që të gjithë kanë qenë të suksesshëm - dhe kanë ofruar lëndë për debat tek publiku i interesuar për letërsinë në mbarë republikën.

Disa lexuesve ato u dukeshin disi të vështirë, me shumë polikë dhe pak art.

Ndërkohë, shkrimtari i thyer në moshë dhe publiku ishin distancuar disi. Por në Prill të vitit 2010 boton tekstin "Ajo që duhet thënë" dhe shkaktoi një skandal, që i kaloi kufijtë e Gjermanisë.

Teksti i cilësuar si "vjershë" ishte një kritikë e hapur ndaj politikës së izraelit.

Grass paralajmëronte nga një goditje atomike izraelite kundër Iranit duke e cilësuar Izraelin, kapacitet atomike të tij dhe politikën e pushtimeve si një rrezik për paqen botërore.

Ky pamflet shkaktoi indinjatë, autori u shpall në Izrael persona non grata, nisën të qarkullojnë akuzat për antisemitizëm.

Megjithatë Günter Grass gjatë gjithë jetës së tij mbeti një idhull - jo vetëm për brezin e ri të kolegëve të tij shkrimtarë. Uwe Tellkamp e ka cilësuar atë si "potenca më e fuqishme tregimtare në letërsinë gjermane", Moritz Rinke e quante atë thjeshtë "ndoshta dinozauri më interesant dhe më i shumanshëm". Zëri