Spahija po prezantohet nė Firence

Spahija po prezantohet nė Firence

SHPËRNDARJE

Argjenda Selmani • 13 Prill 2017 • 10:00 •

Fotografi shqiptar, Fahredin Spahija, po prezantohet në një ekspozitë në Firence të Italisë.

Fjala është për projektin artistik të artistit Italian Francesko Chimienti, të quajtur MUSIWART, i cili zhvillohet paralelisht me dy ekspozita, atë të “Contemporary Mosaic” dhe “Total Contemporary Art”. Ky projekt interesant këtë vit shënon edicionin e tij të gjashtë dhe fotografi kosovar është pjesë e ekspozitës “Total Contemporary Art”, e cila është konceptuar si paraqitje individuale e 42 artistëve të cilët përmes punës së tyre do të tregojnë tendencat e artit bashkëkohor në të gjitha fushat e artit pamor.

Pjesa më e madhe e artistëve pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë italianë, kurse të tjerët vijnë nga Kina, Franca, Çekia, Shqipëria dhe Fahredin Spahija, nga Kosova.

Francesko Chimienti është drejtor artistik dhe kurator i këtij projekti artistik, kurse artisti shqiptar Armand Xhomo, që është këshilltar i tij për pjesën e Ballkanit, ishte përzgjedhës i artistëve shqiptarë nga Kosova e Shqipëria.

“Fotografia ime me të cilën prezantohem në këtë ekspozitë është nga punët e mia më të reja të realizuara këtë vit nga cikli im ‘Koha e akullit’”, tregon Spahija, duke rrëfyer se si ekspozita që pati në Shkodër me kolegen e tij, Rozafa Shpuza, u bë urë lidhëse për këtë ekspozitë të radhës.

“Në muajin shtator, bashkë me fotografen shkodrane Rozafa Shpuza, realizuam në Galerinë Arka të Shkodrës projektin fotografik të përbërë nga dy ekspozita personale ‘2x15’. Unë u paraqita në atë projekt me 15 fotografi, të ciklit tim më të ri ‘Koha e akullitë. Armand Xhomos, për fatin tim të mirë, i kishte rënë ky katalog në dore dhe e kishte pëlqyer punën time. Pastaj më kontaktoi dhe më bëri ftesën për Firence. Sot, pas hapjes së kësaj ekspozite tek shoh fotografitë nga hapja e saj dhe përmes tyre shoh dhe veprat e artisteve  të tjerë pjesëmarrës në të, ndjehem jashtëzakonisht mirë që isha pjesë e përzgjedhjes se Armandit si dhe pjesë e këtij projekti të madh e të rëndësishëm të Francesko Chimientit”, rrëfen ai.

Si për shumicën e artistëve, edhe për fotografin Spahija, mungesa e vizës ka qenë problem. Kësisoj, në pamundësi që të shkojë atje, i është dashur të mjaftohet vetëm me fotografitë nga hapja.

“Arsyeja pse nuk isha në hapjen e kësaj ekspozite janë telashet që ne i kemi me viza. Shtetet evropiane, përfshirë këtu edhe Italinë, nuk kanë krijuar asnjë lehtësi për artistët, interesi i të cilëve është vetëm ta prezantojnë punën e tyre nëpër galeritë evropiane e jo edhe mbetja e tyre atje. Madje edhe kur arrijmë të pajisemi me vizë ajo na jepet vetëm për një afat te shkurtër, aq ditë sa zgjasin aktivitetet ku ne marrim pjesë”, përfundon ai.