Edi Shukriu laureate e çmimit 'Dea Dardanicae'

Kultura April 12, 2017 - 16:15

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka themeluar çmimet për trashëgimi kulturore dhe nëpërmjet tyre synon të përkrah personalitet që kontribuojnë në ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, shkruan zeri.info

Bëhet e ditur se sivjet Edi Shukriu është laurete e Çmimit për Veprimtari Jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanicae”.

Në anën tjetër, Çmimi Vjetor për Merita të Veçanta në fushën e trashëgimisë kulturore “Shtjefën Gjeçovi” i ndahet prof. Jean-Luc Lamboley, Çmimi Vjetor për Vepër Shkencore në fushën e trashëgimisë kulturore “Zef Mirdita” i ndahet Jusuf Buxhovit ndërsa Çmimi Vjetor për Menaxhim Institucional në fushën e trashëgimisë kulturore “Muhamed Shukriu”  shkon për Arton Hoxhën.

Ministri Kujtim Shala u shpreh se dhënia e çmimeve në fjalë, përpos që është vlerësim dhe mirënjohje, është edhe një nxitje dhe kujdes për ekspertët të cilët merren me trashëgimi kulturore.

Bazuar në Rregulloren Nr.09/2016 për Dhënien e Çmimeve në Trashëgimi Kulturore, çmimet janë të shoqëruara me shpërblime financiare. Çmimi për Veprimtari Jetësore shpërblehet me pesë mijë euro ndërsa çmimet tjera shpërblehet me nga 2500 euro.

Juria profesionale ishte në përbërje të: Ukë Xhema-etnolog, Arben Hajdari-arkeolog, Florina Jerliu-arkitekte, Muhamet Mala-historian dhe Lajde Kolgjeraj, kryetare e Ansamblit Etnokulturor “Katarina Josipi”.

Ceremonia e ndarjes së Çmimeve do të organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në ditët në vijim. Zëri