Aktorët vazhdojnë provat me 'Bordel Ballkan' dhe presin plotësimin e kërkesave

Kultura March 29, 2017 - 08:39

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës aktorët kanë vazhduar provat e rregullta ditën e martë. Ata po punojnë për shfaqjen “Bordel Ballkan” me regji të Urban Andraś e me tekst të Jeton Nezirajt.

Të hënën, ata shënuan Ditën Botërore të Teatrit me protestë. Në vend të letrës me mesazhin që çdo vit qarkullon dhe lexohet nëpër teatro anekënd botës, ata lexuan kërkesat e tyre drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qeverisë së Kosovës.

“Ju njoftojmë se nëse gjatë javëve të ardhshme nuk shohim hapa konkret dhe nëse nuk përfillet kërkesa jonë për ngritjen e pagës bazë, ne aktorët e TKK-së, pa vullnetin tonë, jemi të shtrënguar t’i bëjmë publike edhe hapat tonë të mëtutjeshëm sindikal, në përputhje me ligjet sindikale si dhe në bashkërendim me SBASHK-un, ashtu siç ju kemi paralajmëruar edhe në shkresat tona paraprake gjatë vitit 2016 dhe 2017, deri në grevë të përgjithshme dhe bllokim të tërësishëm të repertorit të TKK-së”, thuhet në kërkesën e aktorëve të drejtuar institucioneve të lartpërmendura.

Kjo kërkesë sipas aktorëve të TKK-së, bazohet në përgatitjen e tyre profesionale, shkallën e përgjegjësisë, specifikës së vendit të punës, volumin e punës së shtuar, punës pa orar e cila arrin edhe deri në 16 orë në ditë, punës gjatë vikendeve dhe festave zyrtare, kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit, numrit të reprizave, numrit të shikuesve dhe mbi të gjitha rëndësinë e institucionit.

Një nga aktorët rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Shkëlzen Veseli, tregoi për Gazetën Zëri se të martën ata kanë vazhduar provat normalisht por se janë duke pritur një qëndrim zyrtar nga ana e MKRS-së, siç u shpreh ai.

“Ne e kemi mbajtur protestën e organizuar nga Shoqata Sindikale e TKK-së. Tani po presim një përgjigje zyrtare për kërkesat tona nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Jemi të gatshëm të presim disa javë për një vendim konkret nga ana e tyre e nëse kërkesat nuk plotësohen atëherë ne do të marrim hap tjerë sindikal deri në bllokim të repertorit të Teatrit Kombëtar”, u  shpreh Veseli duke përcjellë kështu qëndrimin e Shoqatës Sindikale, në krye me Ismet Azemin.

Tutje ai theksoi se ata do vazhdojnë të jenë partner i menaxhimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit duke qenë koshientë për vullnetin që ka ky institucion për këtë punë.

Në anë tjetër, nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit thonë se protesta e disa aktorëve të Teatrit Kombëtar, është krejtësisht e pakuptimtë, sepse kushtet e përgjithshme në Teatrin Kombëtar, në të gjitha nivelet, janë shumëfish më të mira sesa kanë qenë po mbase edhe janë duke punuar për ngritjen e pagave.

“Protesta e disa aktorëve të Teatrit Kombëtar, është krejtësisht e pakuptimtë, sepse kushtet e përgjithshme në Teatrin Kombëtar, në të gjitha nivelet, janë shumëfish më të mira sesa kanë qenë. Ne konsiderojmë se të gjitha kërkesat apo pakënaqësitë eventuale të ndonjë grupi brenda TK-së, duhet të zgjidhen nëpërmjet veprimeve konkrete, me dialog, me kërkesa racionale dhe jo me protesta. Ne kemi pasur disa takime me përfaqësues të tyre, dhe u kemi shprehur zotimin tonë për të punuar së bashku. Pikërisht për këtë është ngritë një komision që po punon në këtë drejtim. Po ashtu, MKRS-së është duke punuar që ngritja e pagave bazë për krijuesit dhe performuesit e artit, të bëhet në përkim me mundësitë buxhetore, dhe duke i marrë parasysh kërkesat e komunitetit të artistëve, dhe shpresojmë që kjo çështje të realizohet sa më shpejt”, thotë për Gazetën Zëri, Ndue Ukaj, nga kabineti i ministrit Kujtim Shala.

Në tetor të vitit të kaluar Gazeta Zëri pati raportuar për problemet financiare me të cilat përballen përgjithësisht aktorët kosovarë, shumica prej të cilëve bëjnë edhe një punë të dytë.

Aso kohe, burime të Gazetës Zëri brenda Teatrit Kombëtar të Kosovës patën thënë se ky institucion i paguan aktorët rezident me një pagë rreth 400 euro në muaj, pagë kjo që variron edhe në bazë të stazhit të punës. Teatrot tjera qëndrojnë edhe më keq në këtë aspekt.

Në bisedë e sipër, shumë prej aktorëve, pranojnë që pagesa financiare është më e madhe në projektet e tjera filmike apo televizive, por që ato janë thjesht punë sezonale dhe puna si aktor rezidentë në teatro ju jep atyre sadopak njëfarë stabiliteti financiar.