“Moskuptimet” e Ilir Muharremit

Kultura March 28, 2017 - 08:47

“Zoti dhe ekzistenca”, “Arti dhe vlera”, “Njeriu i revoltuar si dominues”, “Letërsia dhe absurdi”, “Përjetësia në artin skenik” janë këto katet e shqyrtimit filozofik, marrëdhënies me njeriun si një vetvete e gjithë pranuar në proces, në evoluim, në konflikt, dyshues dhe thelbësisht moskuptues. Midis veprave njerëzore, vepra e artit, ajo që duket më rastësorja në këtë përqasje filozofike trajtohet në shtresëzimet e kohëpaskohëshme. Muharremi e rrëmon humusin që ka zënë për fundi mendimi dhe e nxjerr faqe dritës si një arsyetimi të ndryshëm.

Ne, vijojmë të jemi të prirë të besojmë se mëkuesja estetike si akt çlirimi brendandjesor dhe si gjuhë komunikimi ka lindur nga kuturisja, nga mungesa e rregullave dhe e arsyes. Ajo është në duart e realitetit, të paparashikueshmes dhe arbitraritetit. Si e tillë, për Muharremin është një motivim për një këndshikim më përshkues. Kur artisti krijon ai i vihet nga pas fantazisë së tij vetjake dhe kur publiku e miraton, dakordësohet, ose më saktë arrin të realizojë pjesëmarrjen në këtë bashkëndarje ideshë dhe përjetimesh. Ai praktikisht ka rënë pre në grackën e joshjes dhe trandjes përmes mendimit por diçka duket se ia prish drejtpeshimin.

Ai është aty, pavarësisht se në një të përkohshme që e rrëmben. Merr gjithçka që mundet dhe ikën, ndoshta për të mos u kthyer më kurrë tek ky cak përjetimi, por gjithsesi duke pranuar të vetvetishmen ta përshkojë, ta përthith në shtjella që e gremisin në një hon lënde të ngjeshur dhe të ndrysët, që është mëdyshëzimi i pranimit. Gjithqysh artisti me mirëdashjen e tij krijuese arrin të gjej strehë admirimi, por pa u mjaftuar me aq. Nesër ai është sërish në arenë duke kërkuar të jetë “viktimë” e spektaklit të trajtave të shpërthimit.

Është ky arti, qiriri fatkeq që ndrin duke u djegur, ai i cili ka bërë vend në nevojën e gjithëkoheshme për të dëshmuar. Ai i ka besuar veprës së tij, gjithçka që i duhet për të dhënë, dhe gjithçka që është bërë e mundur si reale e thelbësores është moskuptimi. Ilir Muharremi me një përvojë të admirueshme publicistike dhe akademike, me një dije të kultivuar i vihet kësaj sprove të guximshme, jo dhe aq nga zelli për të bërë heroiken, se sa nga emergjenca për të çliruar artin dhe njeriun si unitet, nga barra e anatemës, cingërimat e keqkuptimeve dhe t’i nxjerrë nga fundi i detit si amfora të thyera dhe duke i bashkuar me durim dhe kujdes të na ri jap dëshminë e asaj ndërkohe, atij botëkuptimi, e saj force përfytyrimi dhe përjetimi, e cila nëpër kohë është hedhur në skutat ku e nënshtron terri dhe e përjashton logjika boshe dhe arsyetimi i fasadës.

Ilir Muharremi jo rastësor ka përzgjedhur në këtë betejë ridimensionimi të vlerës në botëkuptim, mendësi dhe art, Zotin. Në tharm të gjithçkaje është Ai, si i tillë “Moskuptimet” i kanë qëndruar gjithnjë si një aureolë pushteti, adhurimi dhe keqkuptimi. Kanë blatuar më të shtrenjtën për të, i janë qasur, e kanë shënjuar, e kanë qëlluar, gjithqysh janë përpjekur të mëkojnë mundësinë e njësimit në mëtim dhe kumtim. Kjo specie që gjithnjë kërkon të zgjerojë territorin e unitet të vetes në gjithçka, në një farë mënyre të këmbehet me supremen.

Në kapitullin fillues të kësaj beteje sa kulturale aq dhe akademike, Ilir Muharremi ndalet pikërisht aty, te “Zoti dhe ekzistenca”. Një ngucamë për të trazuar grerëzat dhe turfulluar gjakrat, apo një dimension shterues filozofik, si Zotit si dimension, Zotit si koncept dhe Zotit si marrëdhënie. Në kuadrin e referimeve moskuptuese, Muharremi rreket të zgjidh nyjën Gordiane të “Antikrishtit” të Niçes. Mbi poteren e anatemës ai ndërton një komunikim mirëkuptues. Dhe ia arrin kësaj duke e ndarë Zotin si drita në spektrin e ngjyrave të saja përbërës. I shprish me delikatesë fijet e holla, i akordon dhe i ribashkon duke krijuar një ide novative, një marrëdhënie prej rishtari, një mundësi komunikimi, konfigurimi i një botëkuptimi tej etiketës dhe caqeve. Ilir Muharremi me zellin e mitologjikes që mishërohet në Prometheun, përtërin një dritë të munguar, atë krahasuesen, shndritjen e njëmendtë që vjen prej tjetërsimit të trajtave.

Gjithë emrat e mëdhenj të kultit të artit pararendës të iluminizmit, gjithë asaj plejade ideologësh dhe idhujtarësh të mendimit, vijnë, ballafaqohen dhe marrin shqyrtim të gjithë pranuar. Muharremi i nxjerr nga labirintet e volumeve pafund, nga mohimi dhe shumë përdorimi, nga e shkuara dhe e tashmja që i gropos në harrim. I sjell në thelbin e tyre dhe i shqyrton, i shpërfaq dhe në një vullnesë gjakftohtë selektimi, shumë të tjerë i lë jashtë vëmendjes, natyrisht jo si të përjashtuar. Sepse të gjithë përbashkohen në filozofinë e kumtimit estetik, të gjithë i ngas një energji, por edhe një forcë angështie i pështjellon.

“Moskuptimet” e Ilir Muharremit nuk pretendojnë të rikthejnë ekuilibrin e përbotshëm të marrëdhënieve të Njeriut me vete, me Zotin, me gjithë format shprehëse që atij i janë qasur dhe vijojnë ta godasin duke e lënë gjithnjë kërkues, gjithnjë të huaj dhe të panjohur, dyshues deri në refuzim, mospërputhës, në konflikt me veten dhe me gjithçka që i kumtohet.