Teatri dhe kultura, kriza e identitetit

Kultura March 27, 2017 - 10:36

Nëse konstatojmë se Teatri është në krizë, do t`i kemi vënë vetes detyrë të ngrehim institucionin e debatit?! Teatri si art sublim sigurisht se i ka edhe arsyet “objektive“ të ngecjes apo të humbjes së rrugës deri tek spektatori?!  Ashpërsia e mediumeve tjera i ka “blerë“ shumë prej spektatorëve dhe krijuesve të mundshëm teatror dhe i ka blerë shumë lirë?!               

Dikur, teatri, artisti - aktori, shkrimtari, përjetoheshin apo ishin “të tjerë” ishin TABU – FETISH dhe kjo sikur i ka mbajtur dhe të kultivuar si të  veçantë. Teatri si gjithë shoqëria u futë në qorrsokakun e krizës së vlerësimit apo në vakuumin e sistemit të munguar të vlerave, ku shumëçka lëvizë e askund nuk shkon! Nuk u gjend autori, nuk u bë repertori, nuk u zu spektatori, iku tema u objektivizuar, ideja, gjithçka u shndërrua ne rutinë. E ku mbretëron rutina skllavërohet krijimtaria?

Fundja në teatrin kosovar nuk është profilizuar thuaja asgjë: as zhanret, as stilet, as meta shprehjet teatrore, as llojet e teatrit (teatri social, teatri i padukshëm...) Teatrin e ka prekur virusi i monotonisë, amullisë dhe provincializmit...

Mungon dashuria për artin teatror, përkushtimi, sinqeriteti në qasje, vullneti në veprim, mungon kritika teatrore. Ka sa të duash vetëmjaftueshmëri, por mungon autoritetit  krijues, jo meskin .... përveç lirisë në shprehjen e dëshirave seksuale në skenë dhe jashtë saj , asgjë tjetër nuk është avancuar...qeshjet, telefonat, përqeshjet.

Meteorolog të kësaj klime janë kryesisht aktorët e diplomuar, studentët që mendojnë të diplomojnë, regjisorët, me master e pa të, që kanë smirë ndaj njeri tjetrit, bardët e teatrit (edhe profesorë) të cilët  “prodhojnë” fans që s`bëjnë gjë tjetër përveçse  propagandojnë për famën e profesorëve të tyre...  Derisa skena teatrore e  pret rrëfimin domethënës, emocionin, dashurinë, përkushtimin, veçantinë artistike për të thënë diçka për sot e reflektuar nesër, si mundësi, skenës teatrore sot  i mungon serioziteti i  Muharrem Qenes, trema mobilizuese e Istref Begollit, figura markante e Avdush Hasanit, sinqeriteti i Faruk Begollit  e të tjerëve si këta, që janë gjallë, por që janë jashtë zhurmës e britmave shurdhuese për sukseset e panumërta të dështimeve?!.Por nuk i mungon  kullerizmi dhe të qënunit(lexo ndenjurit) jashtë vetes pa profil. Shkurt është tepruar me mësimin se teatri është lojë dhe vetëm lojë... edhe kur abuzohet me rregullat e lojës. E,  spektatori ikën, sepse mungon jeta në teatër, është prishur iluzioni mbresëlënës, maska është  çjerr pa ardhur epilogu,...  kanë zënë vend predikimet dhe garat në ngrënie: e hëngra më hëngri, po kush kë... dhe ku ende nuk dihet!

U prish muri i katërt, e ra çatia e invencionit ?! Hipi spektatori në skenë e aktori nuk mbeti as spektator?