Me shkëlqen shpirti nga emocionet që përcjell Rita

Kultura March 27, 2017 - 10:35

Këtë javë në “Zëri” përmes muzikës ju rrëfen Pranvera Sylejmani, piktore dhe njëherazi kryetare e shoqatës së artistëve figurativ “Zef Kolombi” në Ferizaj

TRIX- Balada për mikun

Kjo është njëra ndër këngët që jo vetëm për mua, po edhe për historinë  e muzikës shqiptare do të mbetet e pavdekshme dhe njëra ndër këngët më të bukura, e cila artistikisht qëndron në nivel shumë të lartë e që i është kushtuar dëshmorëve tanë. Tamam fjalë krenarie dhe dhembje për mikun, ashtu siç e përjetoi shkrimtari i këtij teksti, Bardh Frangu,  për humbjen e shokut të tij piktor, tani me dëshmori i kombit, babai im Gursel Sylejmani. Sigurisht që merita për këtë këngë ka edhe shefi i ansamblit TRIX, përkatësisht kantautori Veli Sahiti. Kjo këngë më bën që ta shoh babanë edhe me pushkë, edhe me brushë në dorë. Kjo këngë ma sjell përpara imazhin e pikturës së tij “Burgu, lufta, liria”. 

“O e Bukura More”

Këngë që këndohet tash e më shumë se 500 vjet. Kjo këngë doli nga zemra e arbrshëve dhe kjo është njëra ndër këngët e pavdekshme qe i këndohet atdheut. Kjo këngë me sensin e tragjikes kombëtare më ka përcjellë edhe mua si shumë gjenerata përpara. Kjo këngë do të përcjellë gjenerata e gjenerata në vazhdimësi dhe që secilin  do ta ngrijë nga emocionet, sepse është një pasuri e dallueshme e thesarit tonë kombëtar.

Rovena Dilo –Dorëzohem

Këngë që fjalën  “Dorëzohem” e bën më të bukur, nga ajo se si tingëllon në realitet! Një këngë kjo që kur e dëgjoj më shkakton edhe emocione, edhe refleksione të ndryshme.

Rita Ora-Shine Ya Light

Me shkëlqen shpirti nga emocionet që përcjell Rita përmes kësaj kënge.
Ashtu siç thotë dhe Rita “We Shine “

Pirro Çako dhe Elsa Lila-Diferenca je Ti

“Parandjenja më thotë mos të pres sa të vdes, ta provoj këtë ndjesi, vetëm se kam shumë frikë të shpëtoj unë i gjallë nga kjo dreq histori”. Ky është përshkrimi më i bukur i asaj që quhet “Dashuri”!

Armend Rexhepagiqi-Dikur

Këngë që mes rreshtave flet për shpresën edhe pse çdo gjë mbetet “Dikur” Megjithatë është një këngë që unë e pëlqej edhe shkaku i kësaj kohe që po e jetojmë.

Tonic-Vashat

Bend i pare ferizajas i viteve 70-ta. Për mua si gjeneratë e re, kur ende nuk isha lindur, me dëgjuar  këtë tekst të atyre viteve, është shembull i vlerave që duhet të përcillet  brez pas brezi.

Pink Floyd-Wish you where here

Këtu nuk bëhet fjalë për një këngë, por për krejt albumin. Anëtarët e bendit, një ditë papritmas i viziton ish anëtari Syd Barrett. Gjendja e tij ishte e tmerrshme, e frymëzon bendin për t’ia përkushtuar albumin atij. Kështu që  çdo këngë në këtë album është bërë me një emocion të veçantë dhe këtë emocionin e lë të përjetojë edhe dëgjuesi.

Leonard Cohen- Dance me to the end of love

Pa dyshim është një këngë tepër romantike, të cilën e dua shumë dhe të cilën e dëgjoj shumë shpesh.

Charles Aznavour - La Bohème

Teksti i këngës ka të bëj për një piktor, I cili jeton ne Montmartre te Parisit. Besoj që çdo piktor ka një kujtim me këtë këngë, ndërsa unë më shumë shkaku që trashëgoi nga babai këtë art, përkatësisht këtë gjuhë të komunikimit nëpërmjet ngjyrave.