E mbylla atë dreq derë?

Kultura March 25, 2017 - 08:35

Majlinda Bregasi është gjuhëtare. Ka doktoruar në teori kominikimi. Ka studiuar në Universitetin e Firences për Gjuhë e Letërsi Evropiane e Amerikane, në Universitetin e Prishtinës për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Prej 2003, ka punuar si asistente në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Gjuhës Shqipe dhe të Gazetarisë. Aktualisht është Dekane në Drejtimin Gjuhë Angleze dhe studime Amerikane, në Kolegjin Dardania.

Prej 2004, ka punuar si gazetare redaktore në RTK.

Është autore e një numri dokumentarësh, disa prej të cilëve pjesëmarrës në disa festivale ndërkombëtare. Në 2015 boti librin studimor, Përtej Debatit Politik - analizë e bisedës.

Ka përkthyer librin me studime nga fusha e Gjuhësisë Gjenerative të studiuesit të mirënjohur italian Leonardo M. Savoia, botim i Akademisë së Shkencave, Prishtinë.

Në 2016 botoi romanin “Ikje”, me të cilin mori vlerësimin më të lartë për prozë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

E mbylla derën? Në fakt më ndodh kur jam në makinë, mundësisht në rrugë njëkalimshe. Për t’u kthyer mbrapsht që të kontrolloj duhet të humbas mjaft minuta e zakonisht jam vonë. Doja të thosha, vonë për të qenë jo e përpiktë. E urrej veten të jem vonë. Qoftë edhe në një takim për kafe. Ideja se mund të mbërrij vonë më mundon. Më mirë të pres unë sesa të më presin. Kështu që një pjesë të mirë të rrugës e kaloj duke u munduar të kujtoj momentin kur dola nga dera, më kujtohet me përpikëri çdo gjë që bëra para se ta mbyllja atë derë e vetëm ai moment nuk më bije në mend. Është pak a shumë si një histori që ke vendosur ta mbyllësh. Të kujtohen të gjitha dilemat, sfidat, por jo momenti kyç. Më pëlqen kjo te vetja, se shpesh më bije në mend që nëse kam lënë ndonjë kyç hapur, pasojat mund të jenë të pakëndshme. Ndaj mirë është me e mundu veten me pyetjen “E mbylla atë dreq derë?”.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Më i bukuri është mëngjesi kur shpije djalin në shkollë. Unë këndoj e ai nga mbrapa kënaqet. Jo se unë di të këndoj, runa Zot, por se i dukem si shoqe dhe fillon edhe ai më imiton. Dukemi dy konkurrentë të stonuar të The voice, të bindur se juria nuk e ka aftësinë të na e kuptojnë talentin. Kështu që e fillojmë ditën komod brenda aftësive tona.  

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Portreti i Dorian Gray. Poetika e artit për art, ku shprehja artistike nuk njeh asnjë barrierë morale, estetizëm i përsosur, më mrekullon. Dorian Gray kur kupton se rinia e bukuria nuk është e përhershme, vendos të heqë dorë nga shpirti, për të ruajtur dy të parat. Çdo shenjë e kohës e çdo mëkat duhej të shfaqej vetëm në pikturë, jo në fytyrën e tij. Do mjaftonte vetëm thënia e  Lord Henry-t për të shfaqur gjenialitetin e Wilde-it: Jeta ime imiton artin, shumë më tepër se arti jetën.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Si fëmija kur shkëputet nga dora e prindit dhe humbet në turmën me njerëz. Trembet. Mund t’i dalin shumë monstra përpara. Ka dëgjuar mjaft histori të tilla. Pastaj vjen momenti i gjetjes e fëmija premton se nuk do largohet më kurrë dhe e mban fjalën. Tranzicioni i ka këto pasoja të dhimbshme. Histeri vlerash, pasiguri ekonomike, frikë për të ardhmen. Pastaj izolimi  i Kosovës e bën tranzicionin edhe më të egër. Korrupsion e megalomani, pafuqishmëri, duar të lidhura, ajër i ndotur. Nuk e kisha menduar kurrë se mund të arrinim deri këtu. Ne ishim të rinj plot shpresa në këtë fillim shekulli.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Kultura nuk mund të mos jetë pjesë e tranzicionit. Është reflektim i jetës. Nuk mund të jetë ndryshe. Ndaj ka shumë tallava e më pak vlera. Por kjo tashmë duket të jetë edhe dukuri globale. Me rrjetet sociale bëri bum edhe kultura e masës, e cila çdo ditë arrin të më befasojë me idiotësitë brilante.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ish keq, por e dinim, sot është keq por nuk jam e sigurt në e dimë, nesër, Zoti na ruajt nga e sotmja!

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

“Vajza me vëthin e perlës”, e Vermeerit, “Nji lule vjeshtet”, e Fishtës, “Dio come ti amo”, e Modugnos, “This must be the place”, i Sorrentinos.