Pelegrinazh për poetët

Kultura March 24, 2017 - 14:24

Është zgjedhur e premtja e 24 marsit për të bërë pelegrinazh tek varret, monumenti dhe shtëpitë e poetëve martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ftesën për pjesëmarrje e ka bërë ISKK, përkatësisht drejtori ekzekutiv i saj, shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) nis nesër, me datë 24 mars, në orën 8.00 një Pelegrinazh për të bërë homazhe tek varret, monumenti dhe shtëpitë e poetëve martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi (Librazhd-Bërzhezhdë), të pushkatuar nga diktatura komuniste me 1977. 
Shoqatat, institutet dhe organizmat që punojnë me kujtesën kombëtare të së shkuarës, do të japin mesazhet e tyre nga vendet ku u lindën u rritën, vuajtën dhe u pushkatuan nga organet e partisë, sigurimit dhe veglave të tjera të diktaturës, këta dy poetë të talentuar.

Ky Peligrinazh synon të krijojë një traditë të përvitshme për të mos e harruar kurrë veprën e tyre, sikundërse dhe falangat e orkestruara që morën pjesë në një nga krimet më të përbindshme të Komunizmit shqiptar.
Pjesëmarrja juaj do t'ia shtonte peshën dhe solemnitetin nderimit tonë të përbashkët për dy poetët martirë, shkruan në njoftimin, përkatësisht ftesën e ISKK.

Vilsoni dhe Genci ishin mësues me profesion në një fshat të Librazhdit që regjimi i çoi të punonin njëri në minierë, tjetri në bujqësi, dhe më vonë i pushkatoi për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, për disa poezi dhe shkrime letrare që nuk u botuan asnjëherë gjatë komunizmit.
Ismail Kadare, i vlerëson këta dy poetë të pushkatuar nga diktatura komuniste, duke u shprehur kështu: “Dy djem nga Bërzeshta, dy poet, dy njerëz kërkuan të bënin art në kohën që kërkohej të bëhej egërsi, dhe ata do të jenë të përhershëm dhe të paharrueshëm”. Pikërisht hapjen e letrave dhe dëshmive të rënda nga dosjet e diktaturës për të cilat flet Kadareja politika jonë shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të drejtësisë e mban peng. Në këtë mënyrë e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng e të shkuarës” - tha zoti Tufa.

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dekoruar nga presidenti i Shqipërisë me tituj nderi dhe në qytetin e Librazhdit është ngritur një monument që nderon kujtimin e tyre, po ashtu krijimtaria e tyre është botuar e plotë. Eshtrat e tyre u hodhën në një përrua nga ushtarakët e atij ekzekutimi dhe u gjetën me shumë vështirësi nga familjarët në fillim të viteve 90.