Efekti 'gjuhë më e mirë'

Kultura March 24, 2017 - 14:22

Limite në gjuhën time nënkuptojnë limite në botën time (Ludwig Wittgenstein) Para se t’i vihemi në mbrojtje e të fillojmë ta himnizojmë me poezi gjuhën shqipe, fillimisht le të pyesim veten nëse mund të themi që një gjuhë është më e mirë se tjetra dhe ku qëndron shqipja në krahasim me gjuhët e tjera? Gjuha dhe aftësia për të komunikuar janë ndër të vetmet gjëra që na ndajnë nga kafshët dhe na bëjnë dominues.

Gjithsesi një aspekt shumë i rëndësishëm është komunikimi interkulturor. Por a ekziston efekti i ashtuquajtur “gjuhë më e mirë”? Sepse kur flasim për komunikimin interkulturor duhet t’i vëmë gjuhës edhe një tjetër kusht: të jetë “better by comparison” me qëllim që ky komunikim të realizohet si duhet. Për t’iu përgjigjur kësaj dileme duhet të vëmë një standard se çka e bën një gjuhë më të mirë se tjetrën. T’i definojmë kriteret që një gjuhë të jetë “më e mirë”, apo “më e keqe” se tjetra.

Ne varemi nga gjuha për t’i shprehur mendimet tona, për t’i rrëfyer historitë fiksionale apo për bisedat me miq, por shohim që disa gjuhë janë më të mira se e jona në këtë aspekt. Domethënë: kanë vokabular më të zgjeruar. Ky efekt shihet, sidomos, gjatë përkthimit të veprave, si ato letrare edhe ato jo letrare. Për më tepër, një gjuhë e paaftë të thotë çdo gjë, a mund të na sjellë një përkthim (në shqip) të plotë dhe i cili i qëndron besnik origjinalit?

Të gjithë mund të pajtohemi që vokabulari është një aspekt shumë i rëndësishëm i një gjuhe. Vokabulari paraqet një grup fjalësh që përdoren brenda një gjuhe, por a ka mundësi që vokabulari të sintetizojë efektin “gjuhë më e mirë”. Duke parë që ne po i qasemi çështjes nga ana e traduktologjisë, duhet të përmendet se fillimisht gjithçka varet nga përgatitja e përkthyesit. Një përkthyes

i përgatitur e ka të lehtë t’i sjellë në shqip veprat e Hemingway-it, të F. Scott Fitzgerald-it e të Sir Walter Scott-it, por si t’ia bëjmë me tregimet e Edgar Allan Poe-s, i cili përdor një set fjalësh që nuk kanë ekuivalent në shqip. Set fjalësh që u duhen dy-tri e më tepër fjalë për t’u kapur esenca, ose përdor kompozita duke e bërë gjithçka edhe më të vështirë. Nëse një fjalë e vetme përkthehet në një paragraf, sa kemi arritur t’i qëndrojmë besnik origjinalit? Është shkaku kryesor që tregimet e Poe-s ende s’janë ashtu të kënaqshme si në anglisht. “The raven”, pavarësisht përpjekjeve dhe njohurive të përkthyesve, nuk do ta arrijë kurrë madhështinë dhe nuk do të sjellë horrorin që sjell gjatë leximit të origjinalit.

Këtu kemi të bëjmë me mungesën e aftësisë së shkrimtarëve dhe të gjuhëtarëve për të vjedhur, adaptuar, inkorporuar dhe shpikur fjalë që do ta pasuronin fjalorin. Le të marrim një shembull nga kulturat e tjera: Në vitin 1844, S. Kierkegaard publikon veprën e tij “The concept of anxiety”, ku, përveç të tjerave, na dhuron një term nga danishtja “angest” që tregon kombinimin e frikës, të tmerrit dhe të ankthit që ndjen dikush. Pikërisht këtë fjalë anglezët e marrin dhe e integrojnë brenda fjalorit të tyre duke i hequr zanoren e. Tash fjala “angst” është pjesë e fjalorit anglez.

Ose nga ana tjetër gjermanët kanë shpikur fjalë, që shpesh herë janë kompozita, për t’i rënë pikës, gjë që gjuhëve të tjera u duhen fjali dhe paragrafë për t’i shpjeguar. Përveç këtyre gjermanët përdorin fjalë të vetat edhe për t’i emëruar objektet si “televizor”, “frigorifer” etj. Patjetër që s’duhet t’i harrojmë titujt ekuivokë si ai i Eliotit, “The hollow men”, i cili gjatë përkthimit ne shqip varfërohet kuptimisht. Titull po kaq problematik është edhe “Cat's Cradle” e Kurt Vonnegut.

Kur përkthejmë nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, ne nuk e përkthejmë një fjalë në një tjetër, por edhe një pjesë më të thellë të saj[1], sepse sipas Ludwig Wittgenstein, kuptimi i fjalëve gjendet në bazë të asaj se si një fjalë përdoret brenda gjuhës, por nëse ia ndryshojmë gjuhën fjalës, a ka mundësi që ia ndryshojmë edhe kuptimin. Në këtë rast Wittgenstein prapë do të përdorte argumentin se kuptimi i fjalëve gjendet sipas përdorimit (meaning is use!). Ai besonte që nuk ka definicione të sakta të fjalëve dhe duke u munduar të gjejmë kuptimin e saktë të fjalëve na lë të besojmë që fjalët kanë definicione të tilla. Kjo do të thotë se nëse duam ta kuptojmë një fjalë, duhet të shohim se si e përdorin personazhet si dhe kontekstin në të cilën përdoret. Po çka do të thotë kjo kur e përdorim të njëjtën logjike për përkthime? Me pak fjalë kjo sugjeron që nuk ka nevojë të ketë një fjalë ekzakte me fjalën në anglisht, sepse situata të njëjta ndodhin edhe te ne. Fare lehtë mund t’i përdorim ca fjalë pak më ndryshe që përdoren si në situatën e tekstit që po përkthejmë.

Edhe pse këtu po e përdorim për të nxjerrë ide rreth përkthimit, dimë që Wittgenstein ishte më shumë i interesuar në filozofi të gjuhës. Sipas tij qëllimi i filozofisë është të nxjerrë sa më shumë miza nga shishja me miza!

Prapë po them që për të arritur te një përkthim i mirë, një fjalor më i zgjeruar është çelës kryesor, sepse pamë se si mungesat vokabulare çojnë në humbje apo dobësim të tekstit, por është deri diku e arsyeshme kur marrim parasysh mundësinë që për të ruajtur kuptimin më të thellë, një përkthyes mund ta ndryshojë referimin.

Të ndalemi te rastet ku as vokabulari nuk ndihmon, sidomos në përkthimin e poezive sepse këtu përkthimi fjalë për fjalë bie poshtë. Nëse hidhen poshtë të gjitha kriteret e poezisë, e vetmja gjë që do të mbetet është eufonia apo bukurtingëllimi. Në këso raste negocimi bëhet edhe më i vështirë, sepse nuk është njëjtë si të thuash “Do not go gentle into that good night” si “Mos shko butë në atë natë të mirë”, ose poezive si “She walks in beauty” e Byron-it që u duhet t’u bashkëngjitet edhe një bukurtingëllim që t’u qëndrojnë karshi teksteve origjinale.