Puna e fotografit tek ne

Kultura March 23, 2017 - 09:50

Thuhet se fotografia vlen sa 1.000 fjalë dhe ajo dokumenton të vërtetën, kap momentin dhe ka fuqi edhe t’i jap kthesë ngjarjeve të ndryshme me një shkrepje, pra është edhe një dëshmi historike.

Ajo ka zgjuar ndërgjegjen e fuqive të mëdha për gjenocide të shumta, ruan momente të rëndësishme triumfi a dështimi për personalitete të ndryshme në botë e edhe kujtimet e secilit prej nesh.

Për shembull, të gjithë jemi dëshmitarë për jehonën që pati fotografia e djaloshit sirian të vdekur në brigjet e Turqisë në vitin 2015.

Ndonëse nuk ka një shkollë publike a universitet ku mësohet fotografia si degë, në Kosovë mund të thuhet lirisht se ka dashamirë të këtij arti.

Rrjeti social Facebook po i ndihmon adhuruesit e fotografisë artistike të mblidhen ne një vend dhe të shkëmbejnë aty shkrepjet e tyre. I emëruar “Maniakë t’fotografisë”, ky grup përbëhet nga mbi 3.000 persona që e kanë pasion këtë art dhe që duan ta ndajnë me njëri tjetrin.

Aty ata marrin këshilla, vërejtje, ide e sugjerime dhe tregojnë teknika të ndryshme.

“Ky grup është vërtet i veçantë për mua, si e pasionuar e fotografisë. Unë kam një kamerë që deri diku mi plotëson pritshmëritë dhe me të përpiqem të realizoj në fotografi idetë e mia artistike, të cilat me kënaqësi i prezantojë në këtë grup por edhe shoh punën e fotografëve të rinj e të vjetër, profesionistë e amatorë të cilët janë vërtetë inspirues”, thotë për “Zërin” Anita Hyseni, fotografe e re dhe anëtare e grupit.

Në kuadër të ekspozitave të ndryshme në vendin tonë që organizon Galeria Kombëtare e Kosovës veçohen edhe ato të fotografisë artistike me karakter garues që janë “Gjon Mili”, “Muslim Mulliqi” e “Artistët e së nesërmes”, në të cilat fotografët mund të sfidohen me artin e tyre të fotografisë.

Fotografi i ri, Ardian Jaha, tregon për gazetën “Zëri” se si puna e tij si fotograf i ditëve të sotme në Kosove ashtu si edhe e shumë fotografëve të rinj, nuk lidhet me fotografinë gazetareske, me agjencitë e lajmeve apo me ekspozita të ndryshme, por me sesionet fotografike ku bëhen foto digjitale siç janë ato për dasma, ditëlindje a ngjarje të caktuara.

“Unë punoj me porosi për persona të caktuar që duan të kenë foto-sesione në ngjarje të rëndësishme për ta siç janë dasmat, ditëlindjet apo rastet e tjera. Pas marrëveshjes me klientin së pari caktohet lokacioni, sepse duhet përshtatur me ngjarjen që ndodhë, a është dasmë, fejesë apo ditëlindje. I bëhen përafërsisht 300 ose 400 fotografi, 20 prej tyre përzgjidhen nga stafi ynë, editohen dhe printohen dhe vendosen ne album që të ruhen më mirë, ndërsa fotografitë tjera i jepen klientit në dvd”, sqaron kështu procesin e punës së tij ai.

Ai gjithashtu thotë së nga puna që bën ai mund të jetohet në Kosovë, por duhet të mundohesh të jesh unik, serioz, dhe të kesh pajisje te profesionale që e bëjnë të mundshëm këtë realizim. /ZËRI/