67 organizata nënshkruajnë peticionin kundër privatizimit të kinemasë 'Jusuf Gërvalla' në Pejë

Kultura March 20, 2017 - 15:55

Është bërë e ditur se 67 organizata tashmë kanë nënshkruar peticionin kundër privatizimit të kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, dhe kjo mbështetje është iniciativë për t’ia kthyer kinemanë qytetit.

Deklarata e përbashkët e këtyre organizatave nis me konkluzën se Kino Jusuf Gërvalla, është kinemaja e vetme dhe pikë qendrore në jetën kulturore të Pejës.

Sipas tyre, ajo përfaqëson kujtesën e përbashkët dhe identitetin kulturor të banorëve të këtij qyteti por edhe të vizitorëve të saj.

“Kinemaja është një nga pikat e rralla referente të qytetit që është pjesë e kujtesës kolektive te qytetarëve të Pejës dhe Kosovës. Ky vend përfaqëson një pasuri të parbashkët kulturore e cila vazhdimisht kontribon në ndërtimin e kësaj shoqërie. Përpjekjet e skenës së pavarur të kulturës në Pejë për rivitalizimin e saj kanë marrë mbështetje nga i gjithë komuniteti si në vend ashtu edhe jashtë saj. Një sërë punëtorive janë organizuar për të rimenduar funksionet e kinemasë, dhe përgjigjet nga komuniteti kanë qenë se ajo është më shumë se kinema,një hapësirë e hapur për komunitetin ku mbahen dhe zhvillohen aktivitete me karakter kulturor dhe edukativ”, thuhet mes të tjerash në këtë deklaratë, duke potencuar edhe faktin e rëndësishëm se Kinemaja Jusuf Gërvalla është në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Më poshtë mund të shihni listën e organizatave të cilët kanë nënshkruar deklaratën.
 

DEKLARATË E PËRBASHKËT

Kinemaja është e qytetit!

Kino Jusuf Gërvalla, është kinemaja e vetme dhe pikë qendrore në jetën kulturore të Pejës. Ajo përfaqëson kujtesën e përbashkët dhe identitetin kulturor të banorëve të këtij qyteti por edhe të vizitorëve të saj. Kinemaja është një nga pikat e rralla referente të qytetit që është pjesë e kujtesës kolektive te qytetarëve të Pejës dhe Kosovës.

Ky vend përfaqëson një pasuri të parbashkët kulturore e cila vazhdimisht kontribon në ndërtimin e kësaj shoqërie. Përpjekjet e skenës së pavarur të kulturës në Pejë për rivitalizimin e saj kanë marrë mbështetje nga i gjithë komuniteti si në vend ashtu edhe jashtë saj. Një sërë punëtorive janë organizuar për të rimenduar funksionet e kinemasë, dhe përgjigjet nga komuniteti kanë qenë se ajo është më shumë se kinema, një hapësirë e hapur për komunitetin ku mbahen dhe zhvillohen aktivitete me karakter kulturor dhe edukativ.

Njoftimi i javës së kaluar nga AKP në lidhje me likuidimin e pronës ka cenuar që qyteti të mbetet pa kinema dhe një pikë të rëndësishme kulturore. Ky njoftim ka rrezikuar edhe procesin e rivitalizimit të kinemasë i cili ka filluar në janar të vitit 2017 kur institucioneve të pavarura të kulturës në Pejë i është besuar menaxhimi i kinemasë për 15 vitet e ardhshme nga Komuna e Pejës. Ne jemi të bindur se ekzistojnë argumente të fuqishme ligjore dhe shoqërore mbi të cilat e bazojmë përpjekjen tonë për të mbrojtur Kino Jusuf Gërvallën nga privatizimi, rrënimi, dhe tjetërsimi i destinimit.

Ne organizatat e shoqërisë civile nga e gjithë Kosova i jemi bashkuar Iniciativës për t’ia kthyer të revitalizuar kinemanë qytetit të Pejës! Përmesë kësaj deklarate, kemi dëshirë të qartësojmë qëndrimin tonë të vendosur si dhe gaditshmërinë tonë për t’i përdorur të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar procesin e likuidimit të kësaj prone publike. Bazuar në argumentet vijuese, ne kërkojmë anulimin e procesit të privatizimit të Kinemasë Jusuf Gërvalla.

Mbrojtja ligjore e ndërtesës

Kinemaja Jusuf Gërvalla është në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Kjo listë është e aprovuar nga Ministria e Kulturës, me datën 10.10.2016. Kinemaja është objekt i mbrojtur në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore me numrin rendor 467 dhe numri unik në databazë 000362. http://www.mkrs-ks.org/repository/d...

Kinemaja Jusuf Gërvalla është në Pronësi të Komunës së Pejës në kadastër. Në kadastrin komunal Prona figuron si pronë e Komunës së Pejës me numrin e njësisë kadastrale P-71611071-02398-1.

Plani Zhvillimor Urban 2006-2025 i miratuar me 14.05.2007 në Kuvendin Komunal Pejë e vendos objektin e kinemasë si një ndër monumentet më të rëndsishme për pjesën jug-përendimore të qytetit bashkë me teatrin dhe objektet tjera të listuara në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore të qytetit të Pejës.

Plani Zhvillimor Komunal 2006-2025 i miratuar me 14.05.2007 në Kuvendin Komunal Pejë. Kinemaja bashkë me një sërë monumentesh paraqesin rëndësi për zhvillimin komunal dhe identitetin kulturor të qytetit, duke u listuar me monumentet tjera të trashëgimisë kulturore sikur që janë kullat, muzet dhe teatroja.

Vlerat shoqërore dhe kulturore

Historiku i ndërtesës – Kinemaja është ndërtuar në vitet e 50-ta të shekullit 20 dhe është njëra ndër objektet më të vjetra publike në Pejë. Në këtë ndërtesë është sjellë për herë të parë teknologjia e projektimin përmes shiritit filmik 35 mm, ndërsa tashmë shtatë dekada hapësira e saj është pikë referente për ngjarjet kulturore në qytet. Kinemaja Jusuf Gërvalla është dëshmi e traditës artistike, filmike dhe teatrale të qytetit dhe ka ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të komunitetit.

Vendlindja e festivaleve – Kinemaja Jusuf Gërvalla është hapësira më e rëndësishme e skenës kulturore të Pejës para dhe pas luftës së fundit. Në hapësirën e Kinemasë Jusuf Gërvalla kanë lindur dhe janë zhvilluar një numër i madh i festivaleve të qytetit. Një pjesë e rëndësishme e suksesit, por edhe e vetë identitetit të këtyre festivaleve lidhet pikërisht me hapësirën e Kinemasë Jusuf Gërvalla. Prandaj, çfarëdo tjetërsimi i kësaj hapësire, nënkupton edhe sulm mbi këto ngjarje të skenës kulturore të Pejës.

Shënjues (pikë referimi) kulturor – Përveç vlerave të trashëgimisë kulturore, Kinemaja Jusuf Gërvalla është shndërruar edhe në një shënjues kulturor, pasi që është njëra nga pikat e referimit më të njohura në qendrën e qytetit. Si shënjues kulturor, Kinema Jusuf Gërvalla është shndërruar në ikonë (një simbol me kuptime të shumta) që përfaqëson (shënjon) një epokë, një zonë, një besim, një kulturë, një qytet, dhe një traditë. Shënjuesit kulturor dhe historik të qyteteve sot trajtohen në nivel të njëjtë me monumentet e trashëgimisë kulturore, ndërsa në shumë raste ato edhe janë shpallur monumente në mbrojtje për shkak se me kohë janë shndërruar në shënjues kulturor (cultural landmark).

Kujtesa kolektive – të gjitha këto vlera shoqërore dhe kulturore i japin Kinema Jusuf Gërvallës një hapësirë të veçantë në kujtesën kolektive të qytetarëve. Struktura urbane e qytetit të Pejës ka pësuar transformime drastike viteve të fundit, me ç’rast është sulmuar kujtesa e qytetarëve (jo vetëm nga Peja) për qytetin. Shitja dhe rrënimi i Kinemasë Jusuf Gërvalla do të ishte edhe një goditje për qytetin të cilin qytetarët duan ta kujtojnë. Mijëra qytetarë të Pejës janë duke e mbështet iniciativën për mbrojtjen e kinemasë. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mos ndryshimin e destinimit dhe ruajtjen e objektit të kinemasë në formën aktuale. Prandaj, çdo përpjekje për ndryshimin e strukturës aktuale të objektit ose/dhe ndryshimin e destinimit si hapësirë kulturore/filmike (kinema), përveç tjerash paraqet edhe shkelje të vullnetit të qytetarëve të Pejës dhe sulm mbi kujtesën kolektive të tyre.

Skena e pavarur e kulturës në Pejë zotohet të Shndërrojë kinemanë në një hapësirë kulturore të vetëqëndrueshme dhe shumëfunksionale, e cila ofron një numër programesh (film, produksion, edukim filmik, hapësirë komunitare dhe të tjera).

Iniciativa për t’ia kthyer kinemanë qytetit është e strukturuar rreth një numri veprimesh, që do ta pasojnë këtë deklaratë të përbashkët, ndërsa rekomandimet tona për institucionet shtetërore janë:

Anulimin e procesit të privatizimit (përmes likuidimit) të Kinemasë Jusuf Gërvalla nga Agjencia Kosovare e Privatizimit,
Mbështetja e organizatave të pavarura kulturore dhe rrjetit të organizatave të kulturës në Pejë për të revitalizuar kinemanë e qytetit
Ngritja e fondeve nga buxheti shtetëror, donatorët ndërkombëtar dhe vendor, dhe palët e tjera për restaurimin dhe rifunksionalizimin e ndërtesës së Kinema Jusuf Gërvallës.

Organizatat:

1.7 Arte

2.Advocacy Training & Resource Center - ATRC

3.Alter Habitus

4.Anibar

5.Aragonit

6.Artpolis

7.Asociacioni Kosovar “Chopin”

8.Autostrada Biennale

9.BIRN Kosova

10.CBM

11.CDF

12.CHwB Kosova

13.CRDP

14.CTI-P

15.DAM Festivali

16.Docomomo_Kosova

17.DokuFest

18.EC Ma Ndryshe

19.ERA

20.Festivali i Arkitekturës në Kosovë

21.Fondacioni Kosovar i Arkitekturës

22.Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile - KCSF

23.Fondacioni Lumbardhi

24.Fondacioni për Trashëgimi Kulturore Legatum

25.FRABAAC

26.Fryma e Re 27.IITP

28.Iniciativa Kosovare per Stabilitet - IKS

29.Internews Kosova

30.Instituti Demokratik i Kosovës - KDI

31.Instituti GAP

32.Instituti i Prishtinës për Studime Politike - PIPS

33Instituti per Politika Zhvillimore – INDEP

34.INTEGRA

35.Komunikimi Social - KOMS

36.Konsumatori

37.KosovaArs

38.Let’s do it Peja

39.Lëvizja FOL

40.Marimangat

41.Me dorë në zemër

42.Motrat

43.NGOMfest

44.Nisma Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë (YIHR)

45.OJQ "ETEA"

46.OJQ "Mitrovica Guide"

47.OJQ "Mundesia"

48.OJQ BFF

49.OJQ PRAM

50.OJQ Rritu

51.ORCA

52.Plenumi për Arsim

53.Qendra Multimedia

54.Qendra RInore Mitrovice-QRM

55.Qendra Rinore "Ate Lorenc Mazrreku"

56.REDO Conference

57.Riverside

58.Rrjeti i Grave të Kosovës

59.Rrjeti I Organizatave të Kulturës Pejë

60.Rrjeti I Organizatave të Kulturës Prizren

61.S’Bunker

62.Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë

63.STIKK

64.Syri i Vizionit

65.Shoqata për Përsonat e Verbër dhe me Shikim të Dëmtuar "Drita Jonë"

66.Teatri ODA

67.X40