Pink Floyd dëshmon se muzika është filozofi

Kultura March 20, 2017 - 10:21

Kësaj here, në rubrikën javore të “Zërit”, të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”, ju flet dramaturgu dhe profesori universitar, Ilir Muharremi. Ai, përmes kujtimeve te tij, na shëtit prej Mozartit e Shpoenit deri te Edith Piaf e Pink Floyd.

“Requiem” – Mozart

Duke pas parasysh se të tjerët e gjeneratës time janë rritur me muzikë me sharkia, unë dëgjoja Mozartin, sepse aty gjeja seriozitetin dashamirës dhe jo të tmerrshëm ose monoton, për të cilin shumë thonë këtu në Kosovë. Këtë muzikë e pëlqeja për shkak se ka shpirtin e gurtë, të kthen në kohë, rilind në kohën e shpirtrave, thjesht takohesh me Zotin. Mozarti i gjen frymëzimet jo duke dëgjuar muzikë, por duke jetuar jetën dhe ai gjithnjë ëndërronte të shkonte në Itali edhe pse asnjëherë nuk ka qenë.

“Romantica” – Shopen

Kjo këngë më dërgon pranë brigjeve, i vetmuar nën dritën e hënës me një shishe verë në një varkë të vjetër duke u përhumbur në detin e pa fund. Ka qetësi dhe shumë gjendje shpirtërore, ky është çasti më i bekuar në veprën e tij. Artistët e fortë e godasin këtë çast. Turmën afër plazhit, turmat e zhurmshme, kaq bukur i përktheu Shopeni, saqë secili mund të gjen kënaqësi duke u zhytur me një varkë gjatë natës nën ndriçimin e hënës. Shopeni si piktori Rafael kishte shumë fisnikëri.

“Hight Hopes” – Pink Floyd

Kjo këngë është aq e thellë, sepse nga vuajtja të ngritë dhe të dërgon tek shpresat e larta. Teksti dhe melodia veçanërisht tingujt e pianos kalojnë tepër shpejt në gjak, si një verë e fortë nga jugu dhe lë pas shpirtin e budallosur, të dehur, gjysmë të zgjuar, të etur për gjumë. Këtë pasojë ma ka lënë kjo muzikë e kthjelltë. Këtë e dëgjoja kur shkruaja pran kompjuterit. Pija verë dëgjoja këtë muzikë dhe shkruaja.

“Hey You” – Pink Floyd

Kjo muzikë kërkon ta tejkalojë murin, ta ndjejë buzëqeshjen, t’i japë fund vetmisë, dhe njeriu të mos dorëzohet pa luftë. Është muzikë që bashkohet me gjenialitetin dhe shkon deri në këtë kufij. Sa shumë kam shkruar me muzikën e Pink Floydave. Muzikë që rrëfen jetën e individit, sistemin, regjimin dhe vdekjen, ose ballafaqimin me të. Muzika është filozofi, këtë më së miri e përshkruajnë Floydat. Është vështirë të rrëzohen muret dhe të ketë liri në botë, gjë të cilën Floydat e kërkuan përmes muzikës me rastin e shembjes së murit të Berlinit. Ata në muzikë nuk kanë mëkate, por drejtësi, duke penalizuar padrejtësinë.

“Shine on you crazy diamond” – Pink Floyd

Kjo këngë me mushkëritë e saja të bën të hysh në thellësitë e vetes, t’i dëgjosh tingujt e padëgjuar, veçanërisht në pjesën hyrëse, ku melodia është shumë e gjatë dhe i përket botës së ideve. Pastaj, vazhdon vokali i David Gilmor, i cili njeriun e kthen në fëmijëri në kohën kur ka ndriçuar si yll, e tash në të ndriçon diamanti i çmendur. Është dramatiko-tragjik, njeriun e largon nga realiteti i hidhur, në fillim e bënë të ndjehet mirë, pastaj e bënë për vete dhe e takon në kufijtë e çmendurisë, aty ku sheh revoltën dhe drejtësinë. Është muzikë jo shumë e shëndetshme, sepse nëse nuk je i pjekur mirë mund të dëshpërohesh dhe të jetosh vetëm me muzikën e Floydave.

“Non je ne regrette rien” – Edith Piaf

Edhe nëse nuk ke prirje për një lloj muzike, ose nuk e kupton gjuhën franceze, t’i do të magjepseshe nga zëri i saj i kristaltë, i rëndë dhe i pasur, aq më shumë për disa orë do të sundohesh. Këtë këngë e kam dëgjuar dhe e dëgjoj në banesë ose makinë me qindra herë, sepse ka shije të mirë dhe buron nga thellësia e shpirtit.

“Tombe la neige” – Salvatore Adamo

Këtë këngëtar francez e çmoj shumë, sepse vërtet ka vokal të shkëlqyeshëm sidomos në këtë këngë. Ndjenë borën sikur vërtetë po bie edhe në dhomën tënde. Gjithmonë do të mbetem mikë i ngushtë i kësaj muzike të vjetër, e cila përherë është moderne. Tek ne është pak e avancuar, sepse pak njerëz janë edukuar me këtë lloj muzike, ose kanë mungesë leximi për artin e Parisit të shek. XIX.

“Dance Me To The End Of Love” – Leonard Cohen

Kjo muzikë duhet të mësohet me klimën tonë në Kosovë, të cilën e pëlqej shumë herët dhe ende tash. Zëri i tij që vjen nga thellësia arrin të sfidoj çdo tingull. Sa më shumë e dëgjon më shumë të bënë për vete. Kjo muzikë mbi mua ushtron efekt të mrekullueshëm, jo veç që flet gjuhën e së shkuarës, por që ka vlerë dhe çdo muzikë e së shkuarës bëhet gjithnjë më e mirë, sepse ngjallë sentimentalistet. Kurse kjo e lindura ka më pak vlerë.

“Sous le ciel de Paris” - Mireille Mathieu

Në këtë këngë dëshmohet që muzika nuk ka nevojë për gjuhën, vetëm për vokalin, ritmin dhe melodinë. Është muzikë e shijes së mirë. Është muzikë e së ardhmes dhe pse të kthen shumë në kohë. Njeriu i cili ka lexuar filozofinë dhe letërsinë franceze s’mund ta anashkalojë. Ose që ka parë piktura të impresionistëve. Vërtet ta kënaq shpirtin.