Shkrimtarët e rezidencës letrare 'Prishtina nuk ka lumë'

Kultura March 19, 2017 - 13:20

Qendra Multimedia, në bashkëpunim me TRADUKI-në dhe Goethe Insitut, ka përzgjedhur pesë artistë për rezidencën letrare “Prishtina nuk ka lumë” 2017.

Shkrimtarët e përzgjedhur, siç transmeton KultPlus, janë: Luljeta Lleshanaku nga Shqipëria, Dinko Telecan nga Kroacia, Peter Waëerzinek nga Gjermania, Ekaterina Petrova nga Bullgaria dhe Iva Brdar nga Serbia.

Artistët e parë që do të vijnë në Prishtinë për rezidencën letrare “Prishtina nuk ka lumë” 2017, janë Ekaterina Petrova dhe Dinko Telecan në muajin maj, dhe pas tyre në muajin qershor do të vijë Luljeta Lleshanaku nga Shqipëria. Artistët e përzgjedhur do të qëndrojnë në Prishtinë për një muaj dhe përveç bursës që do ta kenë, do t’ia prezantojnë punën e tyre audiencës së Prishtinës.

Luljeta Lleshanaku është një autore dhe përkthyese nga Tirana, Shqipëria. Ajo ka studiuar Gjuhë dhe Letërsinë në Tiranë dhe shkrim kreativ në North Carolina. Vlerësohet si njëra nga krijueset më të mira të poezisë bashkëkohore shqipe. Poezia e saj është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Dinko Telecan ka lindur në vitin 1974 në Zagreb dhe ka studiuar Filozofinë. Peter Waëerzinek ka lindur në ish Gjermaninë Lindore dhe është anëtar i PEN-it në Gjermani.

Ekaterina Petrova ka lindur në Sofje të Bullgarisë, në vitin 1980. Ajo është diplomuar në shkollën Amerikane në Kuvajt, dhe pastaj ka përfunduar Bachelor në Studime Internacionale dhe Gjermane në Macalester College në Minesota. Iva Brdar është nga Serbia. Ajo ka studiuar Dramaturgji të filmit dhe teatrit dhe Artin dhe Mediat në Beograd.

Rezidenca letrare “Prishtina nuk ka lumë” është e financuar nga TRADUKI dhe Goethe Institut dhe e implementuar nga Qendra Multimedia.

Gjatë kohës që janë pjesë e rezidencës, artistët do të punojnë në projektet e tyre, si dhe do të njoftohen me jetën kulturore në Kosovë. Programi zgjatë 4 javë. Ndërkaq, qëllimi kryesor i programit është që artistët nga rajoni të kenë mundësinë të njohin skenën kulturore, artistike dhe letrare të Kosovës dhe në të njëjtën kohë, publiku në Prishtinë do të ketë mundësinë unike që të njihet me punën e artistëve të përzgjedhur.