Mbrojeni artin nga 'artistët' e Kosovës!

Kultura March 19, 2017 - 13:17

Në rubrikën tonë të rregullt “Jepi Zërit”, prezantojmë Agron Shalën, gazetar, dramaturg, psikolog dhe autorë i muzikës për dhjetëra filma, dokumentar e shfaqje teatri, së fundit drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Shumë pyetje ia shtroj vetes. E keqja është se sa herë e pyes veten, kurrë përgjigjen e duhur nuk e gjej. Dhe, nervozohem pse nuk di të jem këshilltar i mirë i vetes. Duke i pasur parasysh këto, pyetja që do ta përmendi tash është: “Pse kurrë nuk mësova të notoj?!”

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Shpesh ndodh të kërkoj azil mendor, me miqtë, së paku duke e dëgjuar njëri-tjetrin e duke i mbajtur gjallë ëndrrat e njeriut të rëndomtë. Sepse, kur vdesë ëndrra, mbaron edhe jeta. Ndaj, këtë udhëtim dua ta mbaj mend.

I takoj botës së gazetarisë! Mbaj mend një finale të Kviskotekës së dikurshme, kur njëri e kishte bërë këtë statistikë: më të mirët në këtë garë diturie dalin të jenë gazetarët dhe inxhinierët. Në atë kohë (kur gazetari kishte kulturë shkrimi e leximi) Halil Matoshi kërkon të intervistojë për “Botën e re” një prej emrave më të njohur të gazetarisë në Kosovë, Maksut Shehun. Por, Shehu i kishte thënë: “Unë nuk jam Lepa Brena; koleg, unë jam gazetar”! Lepa Brena ishte këngëtarja më e njohur e ish-Jugosllavisë, që këtë nofkë - ofenduese - e merr nga një humorist (Mini Maksi). Për të kjo këngëtare ishte “Peshk (brena) i bukur (lepa)”. Kaq! Ajo nuk përfaqësonte as vlerë kulturore e as dije. Por, ishte e famshme, si shumëkush sot, pa merita - në çdo profesion. Sepse, barometër janë klikimet, pëlqimet dhe shpërndarjet në rrjetet sociale. Të bësh emër sot duhet të luash rolin e starletës. E dhimbshme kjo kur kujton se p.sh. gazetar dikur ka qenë një Faik Konicë.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Do ta veçoja “Kështjellën” e Ismail Kadaresë. Isha fillorist. Pas demonstratave të vitit 1981, Kadare ishte i ndaluar në Kosovë. Kisha fat ta kem kompletin e “Rilindjes”, me 10 veprat më të mira të tij (deri në vitin e botimit, më 1980). Ndalimi i tij ma shtonte kureshtjen. E, më vonë edhe stili i Kadaresë, thjeshtësia e tij që të bënte të shihje imazhe kur e lexoje. Ishte kjo koha e interesimit tim për histori, ndërsa “Kështjella” ishte vepër që në ato kohë jo të mira nxiste mitin e pathyeshmërisë së shqiptarëve.

Kur është fjala te kjo vepër dhe te botuesi, duhet të përsëris atë që dikush e ka thënë më herët: “Rilindja” në komunizëm ka qenë Aleksandria e Shqiptarisë. Regjisori polak dhe përfaqësuesi i Kinematografisë së Ankthit Moral, Krzysztof Zanussi, ka thënë: “I kemi bërë filmat më të mirë kundër shtetit (komunist), me para të shtetit”! Redaksia e Botimeve në “Rilindje” - Anton Pashku, Rifat Kukaj, Ali Podrimja, Ali Rexha, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti e Nazmi Rrahmani - kanë botuar të gjithë rilindësit patriotë, që kanë frymëzuar të gjitha rrymat e ideologjitë shqiptare. Kjo redaksi, me këta emra (disa nga ta ish-gazetarë), kanë botuar deri në 200 tituj në vit. Ndaj, ndjehem keq që shumë vëllime të përgatitura nga ta i kam të cunguara e të “humbura” (nga huazimet) e shumë botime të tjera nuk i kisha kurrë.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

I zhgënjyer dhe i pafuqishëm. Në çdo periudhë shqiptari thotë: “Kurrë më keq s’ka qenë”. Në fakt, dikur ka qenë shumë më keq. Por, sot ka një kaos të vlerave. Sot është i barabartë i dijshmi me të padijshmin, i ndershmi me të pandershmin, patrioti me tradhtarin, punëtori me dembelin... Kjo barazi morbide, ku veç i dobëti me të fortin nuk janë të barabartë, të bën të dyshosh në sistemin e vlerave me të cilat jemi edukuar në familje e në shkollë dikur. Dhe, të dyshosh se në këtë darvinizëm social, njeriu që përfaqëson atë që dikur ishte vlerë e virtyt, sot e ka të vështirë të mbijetojë.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Në këtë aspekt, ndoshta kurrë më keq nuk kemi qenë! Jo pse njerëzit me vlerë mungojnë në Kosovë, por sepse në këtë realitet të krimit intelektual e artistik “ekzistojnë” dhe kanë famë veç mediokrit që nuk përtojnë t’i thurin vetes e njëri-tjetrit lavde - fatkeqësisht edhe me ndihmën e gazetarëve. Edhe dikur kishim emra të njohur në botë, si sot, por fatmirësisht atëherë nuk nëpërkëmbeshin artistët e intelektualët e vërtetë që kishin vendosur të krijojnë në Kosovë. Ndaj, vlen ajo që e kam thënë më herët: Mbrojeni artin nga “artistët” e Kosovës!

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

George Orwell ka thënë se “çdo gjeneratë e paramendon veten të jetë më e zgjuar se paraprakja dhe më e zgjuar se ajo që po vjen”! Një përkufizim i tillë vlen kur je tinejxher, po jo kur i afrohesh moshës së mesme. Për mua, krahasimet për dje e sot shkojnë në amplitudat plus-minus-një. Në aspektin e vlerave morale e kulturore, dje ishte më mirë se sot; në aspektin e lirisë, sot më mirë se dje; në aspektin individual, më mirë dje se sot; në aspektin kolektiv, më mirë sot se dje... Megjithatë, duke pasur parasysh tmerret nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët, besoj që ky kaos i vlerave dhe i pasigurisë nuk do të zgjasë shumë e se do të kalojmë në amplitudën pozitive!

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Farmacisti i njohur, që ndërroi jetë në fillim të këtij shkurti, miku im Adnan Mustafa, më herët kishte thënë: “Kosova asht vend ku gjeniu duhet me dishmue para idiotit që asht njeri normal” (sic.). Ndaj, do ta përmendja filmin “Akahige” që ishte temë e bashkëbisedimit dhe afërsisë së dy kolosëve të artit (që të dy ish-gazetarë), Gabriel García Márquez dhe Akira Kurosawa. Erich Fromm te “Arratisje nga liria” thoshte se betejat për lirinë u bënë nga të shtypurit dhe se pavarësisht nga përmbytjet e shumta, liria i ka fituar betejat! Te “Akahige”, ndonëse thuhet se “asnjë ligj nuk miratohet për ta zhdukur varfërinë dhe injorancën”, aty në një mënyrë shpallet triumfi i humanizmit dhe dijes.

E përmenda këtë film, sepse vet Kurosawa dhe Japonia e tij e pasluftës dëshmojnë se pas shkatërrimit e kaosit, drejtësia dhe mirësia zënë vend. Të njëjtën dua ta besoj për shqiptarët, kudo ku ata jetojnë në Ballkan.