‘Java e Frankonfonisë’ me plotë aktivitete

Kultura March 17, 2017 - 08:41

Me performacën e muzikantes Blerta Kosova, në Teatrin “Oda” dhe me ekspozitën e artistes kanadeze e Jo Ann Lanneville, në ambientet e Galerisë së Ministrisë së Kulturës. nisi në Prishtinë, më 15 mars, “Java e Frankofonisë”.

Siç ka treguar për Gazetën “Zëri” ditë më parë Jo Ann Lanneville, ekspozita “Natyra e Universit” sjellë reflektimin e saj mbi botën duke tërhequr një paralele mes natyrës së njeriut dhe mjedisit.

Jo Ann Lanneville nuk ishte e pranishme fizikisht.

Ajo erdhi në mesin e të pranishmëve përmes një videoje, ku shprehi gjithë mirënjohjen për gjithë ata që kishin ardhur ta shihnin artin e saj dhe gjithashtu për ata që mundësuan këtë ekspozitë në Kosovë e të cilën ajo e vlerësoi shumë.

“Në këtë korpus veprash kam ndjekur reflektimin tim mbi botë, duke tërhequr një paralele mes natyrës së njeriut dhe mjedisit. Unë dua të flas nga streha që kemi ndërtuar për t’u mbrojtur nga vetja dhe të tjerët. Këto faltore ne i përdorim si vende izolimi, vende ku fshihemi që të mos e shohim shpërbërjen e natyrës njerëzore dhe mjedisit”, ka thënë ajo për Zërin.

Në anën tjetër, i pranishëm në hapjen e ekspozitës “Natyra e Universit” ishte ambasadori rezident në Republikën e Kroacisë, i akredituar për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk, cili foli për marrëdhëniet e Kosovës me Kanadanë, por edhe për veprat e artistes Ann Lanneville.

“Me këtë aktivitet Kanada dëshiron të dëshmojë se Kosova është shtet i plotë në Organizatën Frankofonike dhe gjithashtu shtet i plotë në Organizatën Ndërkom bëtare. Ky ishte mesazhi politik, ndërsa sa i përket atij kulturorë, unë jam shumë i lumtur që kemi sjellë në Kosovë pikturat e artistes Lanneville”, tha ambasadori Maksymiuk.

Në anën tjetër, në Teatrin “Oda”, muzikantja Blerta Kosova argëtoi të gjithë dashamirët e muzikës që u mblodhën për ta dëgjuar në Prishtinë.

Ajo për nder të kësaj jave mbrëmjen e hapi me disa këngë në gjuhën frënge, për të vazhduar pastaj edhe me këngë të tjera nën shoqërimin e kitaristit Art Lokaj.

Mbrëmjen e se enjtes, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita e artistes së njohur Hayoun Kwan me Instilacionin dhe Videon me realitet virtual “489 vite”, kurse këtë të premte, në po këtë galeri, me fillim nga ora 19:30, mbahet një prezantim dhe bisedë rreth video artit dhe inovacionit në art, me kuratoret e ftuara nga Muzeu i Artit Modern i Parisit: Odile Burluraux dhe Jessica Castex.

Në Prishtinë gjatë “Javës së Frankofonisë” janë paraparë edhe ngjarjet e mëposhtme; të shtunën më 21 mars, do të bëhet adaptimi në spektakël të kukullave të veprës “Princi Vogël”, në Teatrin Dodona, në 15:00, kurse në Teatrin Kombëtar do të mbahet një punëtori vallëzimi Hip-Hop me Junior Bosila Banya, Kampion botëror i Break Dance .

Të dielën, më 22 mars, në 14:30, mbahet një demonstrim vallëzimi në Amfiteatrin Zahir Pajaziti, kurse të hënën, më 23 mars, konferencë letrare nga Jean-Paul Champseix, rreth veprës së shkrimtarit shqiptar Fatos Kongoli, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, si dhe një spektakël i cili përfshin vallëzimin klasik, afrikan dhe urban nga Junior Bosila Banya dhe Amala Dianor në Teatrin Oda.

Të enjten, më 26 mars, publiku mund të marrë pjesë në një performancë vizuale dhe muzikore me Anne Horel, artiste franceze dhe Agnes Nokshiqi, artiste kosovare në SOMA.

Të shtunën, më 28 mars, nga ora 12:00 deri më 13:30, në Teatrin Kombëtar, nxënësit e gjuhës frënge në Kosovë do të paraqesin këngë, valle, pjesë teatrale, vizatime.

Paralelisht, në Teatrin Oda, gjashtë filma frankofonë do të shfaqen përfshirë edhe një dokumentar mbi kuzhinierin e njohur francez Pierre GAGNAIRE.

Pas shfaqjes së këtij dokumentari do të ofrohet verë franceze.

Në fund, ditën e hënë, më 30 mars, në kuadër te festivalit të muzikës DAMfest, do të mbahet në ora 20:00, në Sallën e Kuqe, koncerti i trios Liburn Jupolli (Kosovë); Maylis RAYNAL dhe Paul Benham (Francë).

Në anën tjetër, në Prizren, të mërkurën, më 25 mars, me fillim nga ora 15:30 jepet spektakël i kukullave “Princi Vogël” në Shtëpinë e Kulturës, kurse të hënën tre filma francezë do të shfaqen në Dokukino kinema. /ZËRI/