Jo Ann Lanneville në Prishtinë për 'Ditët e Frankofonisë'

Kultura March 15, 2017 - 10:27
Artdashësit në Kosovë do kenë rastin të njihen nga afër me punën e artistes kanadeze Jo Ann Lanneville. Në ambientet e Galerisë së Ministrisë së Kulturës në Prishtinë do të zërë vend ekspozita e saj e titulluar “Natyra e Universit”, shkruan sot, gazeta Zeri.
 

Siç tregon për Gazetën “Zëri” artistja Lannevielle, kjo ekspozitë do hapet më 15 mars, me fillim nga ora 18:00 dhe do të qëndrojë e hapur vetëm një ditë, deri më 16 mars në ora 15:00. Më 17 mars ajo do të udhëtojë për në Zagreb të Kroacisë, ku do të prezantohet në “French Media Library”.
 
“Natyra e Universit” përfshinë dy mediume të artit, veprat në formatin e printuar dhe objektet, që prezantojnë refugjatët dhe prishjen e ekuilibrit.
 
“Në këtë korpus veprash kam ndjekur reflektimin tim mbi botë, duke tërhequr një paralele mes natyrës së njeriut dhe mjedisit. Unë dua të flas nga streha që kemi ndërtuar për t’u mbrojtur nga vetja dhe të tjerët. Këto faltore ne i përdorim si vende izolimi, vende ku fshihemi që të mos e shohim shpërbërjen e natyrës njerëzore dhe mjedisit. Shkëmbinjtë, gurët foletë dhe vezët janë shtrembëruar aq sa për t'i dhënë atyre një funksion të ri, duke sjellë humbjen e tyre dhe shkatërrimin e ekuilibrit të mjedisit. Duke përmbysur natyrën e objekteve të caktuara dhe duke ndryshuar funksionin e tyre primar”, thotë Jo Ann Lanneville.
 
Artistja shprehet shumë e kënaqur që ka rastin të prezantohet me artin e saj para publikut prishtinas, duke qenë e sigurt se arti është një gjuhë universale që i prek të gjithë.

“Unë jam e nderuar dhe shumë entuziaste ta paraqes ekspozitën time në Prishtinë. Me këtë punë kam kërkuar t’i prek njerëzit, t'i bëjë ata të kuptojnë se sa e brishtë është bota jonë. Unë besoj se artet pamore flasin një gjuhë universale dhe emocionet nuk kanë nevojë për përkthim. Komunikimi është një nocion i rëndësishëm për mua, kështu që prezantimi i punës time këtu është një kënaqësi, e kënaqësia shpresoj se është e përbashkët”, shprehet ajo.

 E pyetur nëse ka ndonjë vepër që e veçon nga kjo ekspozitë, ajo thotë se i gjithë kolazhi është reflektim i botës që e rrethon atë si artiste.Image

 
“Unë vërtet nuk kam ndonjë vepër të preferuar në këtë ekspozitë. Të gjitha veprat që përbëjnë ekspozitën janë të rëndësishme për mua. Punimet korrespondojnë me njëri-tjetrën duke krijuar një tjetër univers, një të ardhme të mundshme. Në fakt kjo është një sekuencë e një reflektimi të thellë në botën që më rrethon mua. Në një seri të mëparshme kam vënë pikëpyetjet e fjalët që mbeten në fyt. Unë kam filluar të punoj për këtë seri duke respektuar mjedisin tim. Unë kam një shtëpi në breg të një liqeni në Quebec, kështu që mund të shoh efektet e ndotjes në natyrë. Ky është një shqetësim i madh për mua”, tregon Lanneville.
 
Siç pohon artistja kanadeze, ajo është impresionuar gjithmonë nga puna e artisteve gra, që kanë luftuar traditat.
 
“Unë jam e inspiruar nga artistet gra, të cilat kanë luftuar traditat për të përmbushur vetën e tyre, siç janë Louise Bourgeois dhe Betty Goowin. Gjithashtu unë thellësisht admiroj punën e William Kentridge, që më prek dhe më vë në lëvizje”, thotë ajo.
 
I kënaqur për këtë ekspozitë që organizohet në kuadër të “Ditëve të Frankofonisë” në Kosovë shprehet edhe ambasadori  rezident në Republikën e Kroacisë, i akredituar për Republikën e Kosovës,  Daniel Maksymiuk, i cili bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, pritet të hapin këtë ekspozitë.
 
“Unë e ndjeva se ishte e rëndësishme që të ketë aktivitet kanadez në Kosovë gjatë muajit të Frankofonisë, për shkak se Kanada është e angazhuar për avancimin e gjuhës dhe kulturës frënge. Kanada beson fuqimisht se Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Pra, me këtë aktivitet, unë jam gjithashtu mbështetës i pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si një partner i barabartë. Jam shumë i kënaqur gjithashtu me bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës në Kosovë dhe sjelljen e veprave të Jo Ann Lanneville në Prishtinë”, thotë për “Zërin” Maksymiuk.
 
Jo Ann Lanneville është një artiste kanadeze e lindur në vitin 1955. Lanneville është në skenën e artit ndërkombëtare për më shumë se tri dekada. Ajo është bashkëthemeluese e Atelierit Presse Papier dhe Bienales Ndërkombëtare te Trois-Riveres, në Qubec. Ajo ka pasur mbi 30 ekspozita individuale në Kanada dhe vende të ndryshme të botës.
Lanneville ka marrë pjesë në bienale dhe ekspozita te ndryshme te artit grafik në pesë kontinente.
 
Ajo ka marrë shpërblime në Kanada dhe vende të tjera, duke përfshirë “Grand Prix” të Bharat Bhavan International Biennial of Print Art në Bhopal, Indi, shpërblimin “Salon de Paris” dhe shpërblimin e Bienales Ndërkombëtare të Ekspozitës Wrexham, në Britani të Madhe, ndër shume shpërblime të tjera.