Nisin xhirimet e dokumentarit ‘Rrugëtim prej Kampioni’

Kultura March 13, 2017 - 11:40

Kanë filluar sot, më 11 mars, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë xhirimet e dokumentarit që flet për rrugëtimin e legjendës së Bodibilldingut shqiptar Idriz Humolli, shkruan zeri.info.

‘Rrugëtim prej Kampioni’ vjen me regji nga Kushtrim Kadriu dhe me skenarist dhe producent Arton Humollin. Këto xhirime  pritet të zgjasin deri në fund të muajit korrik të këtij viti.

Ky dokumentar do të shtjelloj themelimin e sportit të Bodibilldingut në Kosovë, hapjen e klubit të parë, sukseset e Idriz Humollit si kampion i shtatëfishtë i Kosovës si dhe ndikimin e tij në popullarizimin dhe masovizimin e Bodibilldingut në Kosovë.

Sipas Arton Humollit dokumentimi i rrugëtimi të themelimit të këtij sporti ishte sfidues.

“Duke i pasur parasysh konditat e asaj kohe; gjendjen politike, sociale e ekonomike si dhe informatat e pakta që ishin rreth Bodibilldingut, doli që rrugëtimi drejt themelimit të këtij sporti të ri të ishte sa sfidues e i mundimshëm aq edhe frymëzues e inspirues për gjeneratat e reja”, thotë Humolli.

Ky film është prodhim i shtëpisë filmike ‘A&G Production’ i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe pritet të përfundoj në muajin tetor të këtij viti./Zeri/