Krimi në tokë, dënimi në hava

Kultura March 13, 2017 - 10:10

Sigurisht që shkas për këtë shkrim u bë një protestë poetike, organizuar nga shkrimtari Agron Tufa me krijuesit e tjerë, të cilët bënë që të prolongohet promovimi i shkrimtares Diana Çuli, nga një aktivitet i sponsorizuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, manifestim ky që shpërfaqte një metaforë të shije së keqe, ndërsa takimi me Dianën ishte paraparë të mbahej pikërisht në Ditën Botërore të Shkrimtarëve! Ky mbase ishte shkas edhe për një debat më të gjerë, i cili u shtri nëpër mediet tona dhe rrjetet sociale. Motiv shtesë për këtë ishte edhe përballja në një TV e Diana Çulit, si e akuzuar në procesin e dënimit me pushkatim të poetit nga Librazhdi, Genc Lekës dhe shkrimtarit Agron Tufa, i cili është i angazhuar në zbardhjen dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Natyrisht që pastaj rrodhën edhe motive shtesë. Duke qenë se edhe vetë isha i përndjekur dhe i dënuar pikërisht për shkak të poezive, mbi të cilat binte akuza se, siç thoshin punëtorët e sigurimit, i kisha përzier me mish dhie, nuk mund të mos ishte një motiv tjetër, sikundër edhe ai i faktit se në vitin 1986, me vendim gjykate, ishte djegur publikisht libri (panoramë poetike), ku ishin poezitë e mia dhe të miqve të mi krijues, një rast ky i pashembullt edhe për diktaturën në Shqipëri, por që kurrë nuk gjeti satisfaksionin të nevojshëm ndër ne.

Po çështja është se çka të bëjmë tani me krimin komunist dhe me viktimat e tij, përkatësisht a ka kuptim të bashkëjetojnë këto? Sigurisht që shoqëria jonë andej dhe këndej Drinit nuk është e interesuar që të mundësojë një ndarje qoftë edhe për hir të një morali kaq të nevojshëm që i duhet kujtesës sonë kolektive dhe mbi të gjitha të ardhmes sonë. As andej e as këndej nuk jemi të interesuar për këtë, përkundrazi bashkëjetesën e krimit me viktimën e shohin si një pajtim të natyrshëm, mbase duke krijuar mundësi të paimagjinueshme rehabilitimi.

Tani përse është e zorshme të ndajmë sheqerin nga shapi, përkatësisht viktimën nga xhelati? Kjo gjë bëhet më e zorshme në Shqipëri, ku diktatura ka shpërla individin në emër të kolektivitetit dhe nga ai ka ndërtuar një instrument që ka pasur kuptim vetëm për interesat e partisë, por jo edhe të vendit, sepse partia ishte shndërruar në atdhe, ndërsa atdheu ishte futur nëpër bunkerë. Edhe tani atdheu parti vazhdon të jetojë. Në këtë kontekst edhe shkrimtarja Diana Çuli nuk ndjehet fajtore dhe madje nuk është e gatshme të bëjë as edhe një kërkim falje, sepse kjo i ngjet në ato vetëkritikat që pastaj përdoreshin si argument akuze! Sigurisht që kjo ndjenjë është e tmerrshme për një shkrimtar, i cili objektivisht do të duhej të ishte në një dimension më human, sepse kërkim falja hyn në radhën e fjalëve të para që mësohen në botën e lirë.

Dhe gjasat që të mësohemi të kemi respekt për viktimat janë më shumë se minimale, shkaku që edhe gjenerata e re postdiktatoriale nuk është e gatshme ta bëj këtë, shkaku që nuk ka guximin qytetar të ngrihet kundër etërve të tyre, t’i denoncojë dhe t’i dënojë për krimet e bëra. Kështu krimi vazhdon të mbuloj atdheun parti, ndërsa ndëshkimi të qëndroi pezull në hava.

Për më keq, ka të tillë që vihen në mbrojtje të plotë të Diana Çulit, njësoj si ajo, në emër të fajit kolektiv, gjë kjo e cila është shumë e dëmshme për ndërtimin e një shoqërie të hapur, ku roli i individit vendoset në qendër. Kjo logjikë mbase dëmton rëndë pozitën e viktimave, ndërsa pengon afirmimin e vlerave të tyre, do të thosha antologjike, siç është rasti me poezinë për gruan të Genc Lekës dhe poezinë “Saharaja” të Vilson Bloshmit. Kjo është keq për letërsinë dhe rrjedhat normale të saj.