'A new day has come', kënga e një jete të re

Kultura March 13, 2017 - 10:06

Këtë javë në “Rrëfej përmes muzikës” vjen regjisori dhe gazetari Korab Leci. Ai iu flet për këngët e RTSH-së, kolonat zanore të disa filmave, për Adele e Celine Dion..

“O e bukura More”

Kam qenë shumë i vogël, ndoshta 8-9 vjeçar, kur në orët e hershme të mëngjesit, derisa babi im përgatitej për të shkuar në punë, dëgjonte Radio Tiranën. Në mesin e shumë këngëve ishte edhe kënga “O e bukura More”. Ashtu i përgjumur, pothuajse çdo mëngjes këtë këngë që në vete përmban një rrëfim për migrimin apo sekretin për krijimin e fshatrave arbëreshe të Italisë, e kam dëgjuar me qindra herë. Prandaj, “O e bukura More” është ndër këngët që ka lënë gjurmë te unë, që në fëmijëri. Kur jam rritur, e kam deshifruar mesazhin e këngës dhe e kam kuptuar se është këngë e vjetër 600 vjeçare që i dedikohet trevës së madhe që sot grekët ia kanë ndryshuar emrin në Peloponez, që në fakt emri i saj i vërtetë është More. E dua këtë këngë sepse ajo memorizon mallin e një atdheu të humbur.

“Jon” – Ardit Gjebrea

Duke pasur parasysh se jam rritur në kufirin me Shqipërinë qasja në mediet  shqiptare të asaj kohe ka qenë më e lehtë. Rajoni ku unë kam kaluar fëmijërinë ka qenë i ndikuar dhe i rritur me TVSH-në. Prandaj, kënga “Jon” e Ardit Gjebresë më kujton vitet e hershme të ’90-ta, Shqipërinë postkomuniste; më kujton pamjet e largimit masiv të vëllezërve tanë nga Shqipëria. Këtë këngë e kam dëgjuar me mijëra herë në TVSH dhe Radio Tiranë. E dua këtë këngë edhe për tekstin e fuqishëm dhe interpretimin e jashtëzakonshëm të Ardit Gjebresë. Thjesht, kjo këngë më kujton Shqipërinë e imagjinatës tonë, Shqipërinë të cilën nuk e kishim parë, por e ëndërronim secili në formën e vet.

 “Hit the road Jack” – Ray Charles

Kjo është këngë ikonë e viteve të ’60-ta që më pëlqen dhe e kam dëgjuar gjithmonë. Ritmi dhe teksti i kësaj kënge është ilustruesja më e mirë e Amerikës së  viteve të ’60.. Thjesht e dua këtë këngë.

“Black or White” – Micheal Jackson

Në vitet e ’90-ta, në mungesë të medieve në Kosovë, dritare të vetme kishim satelitët. Në atë periudhë e shikonim MTV-në ose VIVA. Njëra prej këngëve që ka qenë hit i madh i asaj kohe e që e kemi dëgjuar gjatë gjithë viteve të ’90-ta ka qenë edhe “Black or White” e Micheal Jackson.
Thjesht kjo këngë më kujton vitet kur nuk kishim asgjë, përveç shpirtit dhe shpresës. Më kujton periudhën kur në ëndrrën tonë jetonim me Perëndimin, dëgjonim muzikën e Perëndimit, mundoheshim të vishemi si rinia e Perëndimit, e në fakt, realiteti që na rrethonte ishte shumë i vrazhdë. Luftonim për të mbijetuar.

“Xhamadani vija- vija” – Ilirët

Nuk je shqiptar nëse nuk e do këngën “Xhamadani vija-vija”. Për mua kjo këngë është himn. Është shpirti ynë. Dëshira jonë shekullore për bashkim. Është më shumë se një këngë. Kjo këngë më kujton vitin 1997. Kohën kur në Kosovë kishte filluar të vinte era luftë. Më kujtohet Shemi i Ilirëve, këtë këngë, në një kasetë të Vitit të Ri, e këndonte me uniformë ushtarake. Kjo këngë na jepte moral. Na jepte shpresë. Në shpirt na bënte të ndjeheshim të lirë edhe pse atëherë nuk ishim.

“Shfletoj gazetën” – Minatori

Menjëherë paslufte, rok grupi “Minatori” ka publikuar albumin e ri. Njëra prej këngëve që më bën të kujtoj vitin 2001-2002 është edhe kënga “Shfletoj gazetën”. Ishte periudha e fillimit të studimeve në Prishtinë. Kjo këngë më kujton Prishtinën e pasluftës, entuziazmin e një populli të çliruar si dhe vitet e para të mia si student i gazetarisë.

“Now we are free” – Lisa Gerrard (Soundtrack i filmit “Gladiator”)

Kjo është një prej këngëve që unë e dua më së shumti. Ndoshta edhe pse filmi “Gladiator” është filmi im i preferuar, të cilin e kam shikuar rreth 100 herë. Kjo këngë është e veçantë edhe për faktin e gjuhës së tekstit që tingëllon si latinisht. Padyshim mesazhi i saj është i fuqishëm ngase flet për lirinë e njeriut dhe shpirtin pa frikë.

“Dust in the Wind” – Kansas

Kjo këngë më kujton vitin 2008, periudhën kur jam njoftuar me Luljetën, bashkëshorten time. E kemi dëgjuar bashkë qindra herë, sepse ka qenë kënga jonë e preferuar.

“Skyfall” – Adele

Këngëtaren Adele e çmoj. Ka fuqi të zërit dhe fuqi të brendshme artistike. Ajo thjesht nuk këndon, por rrëfen fuqishëm përmes këngës. Kënga “Skyfall” më kujton ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar në vitin 2013.
Më kujton interpretimin live të Adele në këtë ceremoni, ku secili nga ne që merremi me film, e kemi ëndërr të jemi në atë sallë. Më kujton edhe fundin e këngës kur e gjithë salla, me yje të kinematografisë, çohen në këmbë për ta nderuar një këngëtare të madhe si Adele.

“A new day has come” – Celine Dion

Këtë këngë e kam dëgjuar qindra herë në periudhën kur bashkëshortja ime ka qenë shtatzënë dhe prisnim lindjen e djalit tonë, Priamit. Kjo këngë përmban vargje të fuqishme që vetëm një nënë di t’ia kushtojë djalit të saj, siç është në këtë rast Celine Dion. Është kënga që gjithmonë do të mbetet në memorien time. Është kënga që gjithmonë do të ma kujtoj ardhjen ne jetë të Priamit.