Lekaj për Hadi Shehun: Mbetëm pa një aktor të madh

Kultura March 12, 2017 - 13:36

 

Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka shkruar me rastin e vdekjes së aktorit Hadi Shehu, se Kosova dhe gjithë shqiptarët humbën një aktor të madh.

“Hadi Shehu, aktor i përmasave më madhore të kulturës mbarëshqiptare të artit. Gjurmët e tij do të jenë të pashlyeshme në historinë e artit teatral, veçanërisht për Gjakovën, por edhe për Kosovën dhe mbarë hapësirat ku flasin shqip”, ka thënë Lekaj.

Deputeti gjakovar shtoi se përkundër shuarjes fizike, veprimtaria artistike e Shehut nuk do të shuhet kurrë.

“Hadi Shehu do të mbetet padyshim aktori ynë më i madh, pa të cilin sot mbeti Gjakova, Kosova e krejt shqiptarët. Të gjithëve do t’iu mungojë, por vetëm fizikisht, sepse trashëgimia që ka lënë prapa do ta bëjnë që të kujtohet gjithnjë. Ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të aktorit Shehu”.

Shehu është ndarë nga jeta në moshën 68 vjeçare.

Familjarët kanë njoftuar se Shehu ka vdekur pas një sëmundje.