Krenarë, por të pambështetur

Kultura March 02, 2017 - 09:46

Të gjithë kosovarët në përgjithësi e artdashësit në veçanti ju gëzuan pa masë viteve të fundit sukseseve të arritura në fushën e kinematografisë. Nga sfera e kulturës filmi bëri hapin më të rëndësishëm drejt afirmimit të vlerave tona.

Që nga filmi “Kthimi” i Blerta Zeqirit, që shënoi sukses në arenën ndërkombëtare e deri tek nominimi i parë në historinë e kinematografisë sonë në Oscars, me filmin “Shok”, e së fundi triumfi në çmimet prestigjioze “BAFTA”, të gjitha këto zhvillime iu kanë dhënë shpresë filmbërsve dhe artdashësve se produktet filmike që dalin nga Kosova mund të kenë sukses.

Emri i këtyre regjisorëve, aktorëve e producentëve u lakuan nga politikbërësit dhe ekipet u uruan përzemërsisht. As premtimet për rritje të përkrahjes nuk munguan.

Por për të diskutuar për këto eksperienca u mblodhën të martën në Prishtinë, në ambientet e kafe-librarisë Dit’ e Nat’ panelistët Blerta Zeqiri, nga Shoqata e Producentëve të Kosovës, Shpend Qamili nga Zyra e Koordinatorit për Kosovë të Kombeve të Bashkuara (UN) dhe Drejtori Ekzekutiv i Festivalit DokuFest, Eroll Bilibani.

Në diskutimin me moton “Krenarë të pambështetur: Bafta, Oskar, Çfarë i duhet tjetër këtij vendi për të përkrahur talentet/ët?” regjisorja Blerta Zeqiri tha se artistët çmohen vetëm në raste të tilla, në suksese kulmore, por në rrethana të tjera jo.

“Mendoj se kemi një problem shumë të madh sa i përket punës së artistëve, pasi nuk çmohet aspak puna e artistëve edhe pse ne mburremi në rastet kur ata kanë sukses apo diçka, por në përgjithësi nuk është diçka e cila çmohet dhe e cila çmohet me pare, sepse gjithmonë llogaritet se artisti punon pa pare ose me pak të holla. Puna e tij llogaritet si diçka e zemrës, e shpirtit, diçka që po bëhet problematike”, tha ndër të tjera Kryetarja e Bordit në Shoqatën e Producentëve të Kosovës.

Me Zeqirin u pajtua edhe drejtori  ekzekutiv i DokuFest-it, Eroll Bilibani, i cili foli për kreativitetin dhe vullnetin e të rinjve kosovar për të punuar filma dhe eksperiencën e tij me të rinjtë e shkollës së filmit që organizon ky festival.

“Fatkeqësisht neve duhet të vijë dikush nga jashtë të na vlerësojë, që njerëzve t’ju hapen sytë. Talentet janë, mirëpo përkujdesja institucionale është pothuajse zero. Prandaj menaxherët e fondeve publike duhet pak që t’i rishikojnë politikat e tyre të ndarjeve të fondeve dhe të krijojnë një strategji”, tha Bilibani.

Si pjesë e ekipit të filmit “Home”, përveç anës së ndritshme të këtij projekti, Bilibani foli edhe për vështirësitë e realizimit të tij në Kosovë dhe refuzimet nga ana e Qeverisë së Kosovës për tu bërë pjesë e filmit duke e përkrahur më shumë.

“Qeveria na ka dhënë pak, disa fonde të vogla vetëm sa me e pas logon aty, mirëpo financimi substancial ka ardhur përsëri prej të huajve. Pastaj ky qëndrimi që të realizojmë një film të Kosovës, harrojeni, nëse ne në Kosovë shkojmë me këtë mendësi që të realizojmë një film 100% produksion të Kosovës ka me dalë diçka shumë mediokre, sepse tash kudo në botë punohet me bashkëproduksion”, ka theksuar Bilibani

Shpend Qamilit nga Zyra e Koordinatorit për Kosovë të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se filmi “Home” i ka mësuar realisht se sa pak përkrahet kultura në Kosovë.

“Çka më ka mësuar ky projekt është se krejt sistemi tek ne është mbrapshtë i vendosur për përkrahje ose për mospërkrahje të kulturës së mirëfilltë. Krejt komuniteti artistik me bo pak presion të vendimmarrësit që të fillojë ngadalë apo edhe pak më shpejt t’i ndërrojë edhe ligjet, që edhe nëse nuk munden më t’i shtyjnë përpara apo t’i ndihmojnë, së paku mos me t’i pengojnë, sepse nuk mundeni ta besoni nivelin dhe sasinë e pengesave që ekzistojnë”, tha Qamili.

Rikujtojmë së filmi “Home” trajton temën e migrimit. Lufta për mbijetesë, ikja, përndjekja e dhimbja shpalosen në njëzet minuta. Familja e Jack O’Connell dhe Holly Grainger përjetojnë atë që kosovarët e kishin përjetuar para 17 vjetësh kurse filmi “Shok” është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy djemve të vegjël, të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.