Të shkruash apo të lexosh?

Kultura February 28, 2017 - 09:54

Nëse të gjithë shkruajnë, të gjithë duan të shprehin opinione, ndjenja, nuk bëjnë keq, vetëm se pothuajse kanë harruar pyetjen: Më mirë të shkruash apo të lexosh?

Pa lexuar nuk mund të shkruash, kjo është e vetëkuptueshme. Mund të shkruash vetëm me gjuhën që ke mësuar duke lexuar, qoftë kur formulon një opinion, qoftë kur shkruan një vepër letrare. Është gjuha që ke mësuar nga autorët e tjerë, janë fjalët e tyre që bëhen të tuat, që shkartisen me mendimet e tua dhe përjetimet e tua. Në këtë kuptim leximi është veprimtari superiore ndaj shkrimit dhe ja: kjo harrohet shpesh herë.

Nuk është vetëm çështje mode që për shumë njerëz është më joshëse të shkruajnë se të lexojnë, ka të bëjë edhe me papjekurinë ose me egoizmin. Ndërkaq janë vetë shkrimtarë të mëdhenj që kanë pohuar se lumturia më e madhe nuk është te të shkruarit, por te të lexuarit. Borges-i, për shembull, e pranonte hapur: “Le të mburren të tjerët me faqet që kanë shkruar, unë jam krenar për ato që kam lexuar”.

Afërmendsh, nëse pa lexuar nuk di të shkruash, edhe pa shkruar nuk di të flasësh mirë dhe as të mendosh mirë. Janë aforizma të njohura, por janë çështje të tjera dhe jo për këtu në FB. Po shtoj vetëm një thënie nga esetë e shkrimtarit Mario Vargas Llosa - Nobel ose jo Nobel nuk ka rëndësi - që më ka mbetur në mendje qysh kur e kam pas përkthyer dikur:

“Do të ishim më të këqij nga sa jemi pa librat e mirë që lexojmë, do të ishim më konformistë, më pak të panënshtruar, dhe shpirti kritik, motor i progresit, as që do të ekzistonte”.