Të vegjël janë ata që e kundërshtojnë shtatoren e Anton Çettës

Kultura February 28, 2017 - 09:53

Shtyrja e vendosjes së gurthemelit të shtatores së veprimtarit të pajtimeve të gjaqeve, profesorit Anton Çetta, i njohur në popull si Plaku i Kosovës, para Institutit Albanologjik në Prishtinë, ka shkaktuar habi dhe reagime të ndryshme në opinionin publik në Kosovë.

U tha se gjithçka ishte gati të ndodhte të premten, përkatësisht më 24 shkurt, por kjo nuk ndodhi. Krejt kjo si pasojë e mospajtimit të disa personave brenda Institutit Albanologjik. Prandaj edhe kjo ceremoni është shtyrë.

Gazeta “Zëri” ka provuar ta kontaktoi Don Lush Gjergjin, nga Ipeshkvia e Kosovës, për të marrë një qëndrim të tij lidhur me këto zhvillimet e fundit dhe problemet që dolën për vendosjen e shtatores së bashkëveprimtarit të tij, por gjatë të hënës ishte e pamundur të kontaktohej.

Për “Zërin” ka folur gazetari dhe publicisti Halil Matoshi. Ai ka thënë se Anton Çetta e meriton t’i ngrihet shtatore në çdo qytet të Kosovës, e jo vetëm pranë Institutit Albanologjik, ku ai ka vepruar për shumë vite.

“Anton Çetta është Garibaldi i Kosovës, unifikuesi dhe urtaku, pajtimtar - mbështetës i Ibrahim Rugovës, prandaj logjika staliniste që si frymë e drejton Institutin Albanologjik dhe dijet albanistike nuk e durojnë pamjen e tij hijerëndë që mbjell shpresë e uzdajë ndër shqiptarët kosovarë. Për atë që ka bërë profesor Çetta për Kosovën duhej t’i ngrihej përmendore në secilin qytet të Kosovës e jo vetëm tek Instituti Albanologjik, ku ai ka shkri një pjesë të madhe të shekullit të tij jetësor. Mësues e mbledhës folklori, etnolog e patriot i paepur i Republikës së pavarur të Kosovës! Nuk është vetëm marre po edhe ligësi e atyre shkretanëve që refuzojnë shtatoren e Anton Çettës në oborr të Institutit Albanologjik. Ata janë tepër të vegjël para emrit të tij të ndritur, ndaj edhe i trishton ideja se Republikën e bënë durimtarët dhe ata që i lidhën vegëzat e këputura me Perëndimin, siç ishte Rugova dhe miku i tij i afërt, profesor Antoni dhe një vargan i pafund shqiptarësh idealistë! Prandaj për t’u lidhur rreth idesë së çlirimit duhej arritur një pakt, një pajtim mes shqiptarëve të hasmuem mes vete, që profesor Çetta e arriti në mënyrë shembullore”, thotë Matoshi.

E zhgënjyer me këto keqkuptime që lindën javën e kaluar, rreth vendosjes së shtatores së Anton Çettës në Prishtinë, është shprehur përmes rrjeteve sociale edhe gazetarja dhe shkrimtarja Majlinda Bregasi, e cila shkruan se kushdo që ka gisht në këtë turp, duhet ta dijë se as sa një thua i plakut të odave nuk vlen. 

“Që dikujt t'i pengonte edhe busti i Anton Çettës, nuk është më çudi. Kjo është e keqja më e madhe, në Prishtinë asgjë më nuk është çudi. Është kohë idiokracie edhe kur ndonjë ngjarje normale sporadike del si me e prish rutinën, çohen qentë e uritur për lavdi e shqyejnë çdo nismë. Kushdo ka gisht ne ketë turp, ta dijë se as sa një thua i plakut të odave nuk vlen. Oda ka qenë institucion për shekuj me radhë, Antoni u bë zot në to”, shkruan Bregasi ndër të tjera.

“Kush qenkan kundërshtuesit e ndërtimit të shtatores së Anton Çettës nga Instituti Albanalogjik, shumë interes kemi ta dimë. Nëse edhe figura e Anton Çettës qenka problem për ta dhe madje paskan edhe fuqi ta parandalojnë ndërtimin e kujtesës për të, atëherë ai vend, ai shtet paska marrë vërtet fund. Turp më të madh se ky s'ka!, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, publicisti dhe shkrimtari, Xhemal Ahmeti

Rikujtojmë se vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës u bë publik pas një takimi që pati ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me një delegacion të Këshillit Organizativ për Pajtimin e Gjaqeve, të udhëhequr nga Don Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu dhe Riza Krasniqi.

Ministri Kujtim Shala atë ditë u shpreh se figura e Anton Çettës është unike dhe si e tillë  përfaqëson vlerat të jashtëzakonshme për Kosovën dhe identitetin e saj kulturor e shtetëror, vlera këto me të cilat krenohet populli i Kosovës. Më tej ministri Shala shtoi se kjo shtatore është shenjë e vlerësimit për kontributin e tij të madh për kulturën dhe për humanizmin shqiptar.

Burime të Gazetës “Zëri” brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit thonë jo-zyrtarisht se kjo ceremoni ka gjasë të planifikohet sërish dhe të mbahet gjatë kësaj jave.

MKRS-ja në projeksionin buxhetor sivjet ka paraparë 50 mijë euro për këtë projekt.