Kërkimi i së vërtetës në fenomenet e pafundme

Kultura February 27, 2017 - 09:39

Një gjë që të trandë në cilëndo përballje me veprën e Shuk Oranit është shumëllojshmëria e mediumeve (dhe teknikave) që ai përdor dhe gjithashtu edhe pasuria e temave dhe veprave të tij. Është njëlloj vërshimi që të merr para vete dhe krijon një pafundësi kuptimi dhe vendosjeje para dhembjes, përvojës apo vizionit të tij. Të jetë kjo pavendosmëria (undecidedness) derridiane? Mos-atashimi i njeriut me njeriun, dhe asgjëje me asgjë tjetër deri në pafundësi. Njëlloj prodhimi i pandalshëm i shënjuesve, zinxhirëve të shënjuesve që nuk arrijnë të kuptimësohen deri në pafundësi.

Ngjanë paradoksale, por ky është një depresion fizik, i shkaktuar pikërisht nga presioni i kësaj pafundësie. Më lejoni ta shpjegoj: thyerja e çdo strukture (të “vërtete”) në atë që shohim, ndjejmë dhe përjetojmë, krijon mungesën e presionit në aktualitet. Pamundësia për t’u atashuar krijon de-presionin, i cili pikërisht kalon në shtytje (presion) të pafundmë të të gjitha fenomeneve të dukshme në horizontin e tij. Dhe për të përfunduar këtë komplikim, ky presion është ende i pasigurt (i paqëndrueshëm) dhe i pabesueshëm për të arritur në një marrëdhënie siç është për shembull ajo ndërmjet regjisorit dhe aktorit/es së preferuar të tij. Apo më saktësisht ndërmjet Oranit dhe objektit të tij të studimit. Sigurisht nuk mund të merret si dobësi e Oranit dhe as si pasiguri e tij, por gjithsesi është fenomen aktual i cili arreston thellimin (atashimin) apo edhe gjetjen e zonës së përhershme të interesit të tij. Dhe ky nuk është fenomen unik për Oranin, në të vërtetë tërë ky shtjellim bëhet këtu, për të shpërfaqur nemitjen (pavarësisht prodhimtarisë së shumtë) të artistit sot para botës postmoderne. Të nisemi nga piktura e tij “WTF 2000”. Është një kaos i tërësishëm, apo edhe përfshirje artistike e tij dhe personale, brenda këtij kaosi. Është shpërndërrim i çdo sistemi dhe plazme të realitetit.

Në tërë këtë disharmoni fenomenesh brenda kësaj vepre të Oranit, rrotat arrijnë artistikisht të krijojnë mocionin dhe gjallërimin e jetës pavarësisht kuptimit apo përkufizimit të tij. Thënë më saktë janë tërësisht të pavarura nga tërësia e mocionit në këtë kompozicion. Pastaj gjuha e huazuar nga forma “strip” për të narrativizuar njëlloj tragjedie të njeriut, tragjedi e paraparë dhe fuqishëm e theksuar, që duhet t’i jap jo kuptim, por lidhje dhe përvojë të njeriut brenda këtij shpërthimi horizonti apo edhe universi kontekstual.

Ajo që është më goditëse në këtë pikturë, është prapavija tërësisht mbi këtë tragjedi dhe shpërthim. E kaltra dhe një e portokalltë e “shpëlarë” (e zbehur) krijojnë edhe thellësinë e edhe njëlloj gjendje zjarri. Zjarri/energjia nuk janë të rrëmbyeshme dhe as kërcënuese, janë tërësisht edhe konsekuencë edhe pandjeshmëri e këtij kurthimi. E kaltra dhe e portokallta krijojnë njëlloj reje tërësisht post-strukturale (megjithëse tingëllon paradoksale me qenë se janë në një strukturë), janë njëlloj eskalimi i prekshëm megjithëse i pabesueshëm në tërë atë që kemi përvojë.