Eja në botën time të kërcejmë në lumin tënd

Kultura February 27, 2017 - 09:36

Këtë javë në “Zëri” përmes muzikës ju rrëfen Roland Spahiu, shkrimtari i ri prizrenas që ka përfunduar studimet e filmit dhe shkrimit në Stamboll, e që para lexuesve është paraqitur me dy libra, “Fluturat” dhe “Gjenocid i hirtë”.

E bukura Morea

Për mua, këngët që i përzgjodha kanë kuptimin e identitetit kombëtar. Vetëm aty e zbuloj ekzistencën e moçme të një identiteti autokton. Vetëm aty e kuptoj se si kemi qenë dhe si duhet të jemi. Këngën “E bukura Morea” së pari e kam dëgjuar jashtë vendit tim. Ndryshe nga kënga, unë u ktheva nga mërgimi por njëlloj si te kënga, vazhdojë të kem mall po për vendin tim. Njëlloj si ajo këngë, por unë duke jetuar në vendin tim, kam mall për atë vend, i cili duhet të jetë shumë më i mirë se që është sot. 

Bukuroshja e Lalës

Bukuroshja e Lalës, me fjalët e saj tregon një proces shumë të bukur të të dashuruarit. Aty dashuria jetohet me poezi, jo me dhunë. Aty kuptojë që dhuna ndaj grave, në këto troje është refuzuar prej kohësh kështu duke u ngritur lart  bukuria e fjalës. Kënga i thur lavde një gruaje, bukuroshes së lalës, e cila vishet me metafora të bukura. Ajo duket si zambak, ka sy si bajame, fytyrë të bardhë si borë, prandaj propozohet ta vë një kurorë. 
Baresha. Baresha e Nexhmije Pagarushës m’i kujton përrallat. Aty era luan me barin, dhe nga ndarja e një bareshe mali dridhet me pikëllim. Për së dyti mali dridhet prapë, nga gëzimi kësaj radhe, meqë bareshat luajnë në një vend që e zë dielli mirë. Pra pa hije dhe pa erë. Po në këtë Bareshë me malin si protagonist, aty poshtë diku grumbullon përroi malor dhe bjeshka shkon lart në qiell që të rri me borë. Kaq e bukur është jeta e kësaj bareshe përrallore. Larg nga konsumi ditor, vendi ynë ka nevojë për rigjetjen e përrallave.  

Fustanin që ta solla mbrëmë 

Fustanin që ta solla mbrëmë, sa i përket dallimeve dhe polarizimeve të shoqërisë që i kemi në ditët e sotme, e shoh si një përgjigje të duhur. Kënga e bën të mundur që një i rritur jetim, të bie në dashuri dhe të blejë një fustan për të dashurën e tij. Dhe kërkon nga e dashura që ta ketë parasysh statusin e tij e të mos ia prish qejfin duke e veshur atë fustan me plot lule. Kjo në fakt nuk është kaq e thjeshtë dhe nuk mbetet vetëm në këtë prizëm. Me rëndësi është që ne në shoqërinë tonë e kemi si pjesë të identitetit që t’i mbajmë sipër supeve jetimët dhe ata të jenë domosdoshmërisht të inkuadruar edhe në këngët tona.  

Udhëtoj i menduar

Si kujtim për Dritëro Agollin, i cili e shkroi këtë, desha të merrem më katër fjalë që i ka shkruar ai. Titulli i tekstit nënkupton një udhëtar të mendjes. Në udhë e sipër, të paktën mua më duket ashtu, Dritëroi zbulon që duhet flijuar për brezat që vijnë. Ai thotë kështu: “Diçka do flijonim/ Në emër të jetës/ brezat që vijnë/ për ne bukur të thonë /Unë për ty poet, për shkrimet që i ke, “i bukuri” po them”.

Malda Susuri – Heronjtë

Kjo këngë mua më kujton që ne kemi nevoje për heronj edhe pas luftës. Një njeri që lexon, gjatë rrugës në autobus, duke e pritur dikë në ndonjë vend publik, në shtëpi e bibliotekë, është hero që syri dëshiron ta sheh. Kënga e Maldës thotë, heronjtë jetojnë tek të gjithë ne. Por pa lexuar, gjithandej, në secilën kohë, heronjtë harrohen dhe mbesim edhe pa heronj të rinj. Sepse pa lexuar, nuk mund t`i mbartim në mënyrën e duhur  heronjtë në gjeneratat e ardhshme.

Genc Salihu – Ujku don mjegull

Kur e dëgjojë këtë këngë shoh një sinqeritet, që për mua është e domosdoshmja e domosdoshmes. Në të njëjtën kohë është një poezi minimale, por edhe një vetëkritikë e mirëfilltë për shoqërinë tonë. Refreni i këngës “Ujku don mjegull” është një reflektim i një ligji i cili nuk e bën fajtor ujkun por e tregon thjeshtë që në natyrën e ujkut është të i ha qengjat. Për mua, ujku në këtë rast, i metaforizon fenomenet të cilat e rrjepin identitetin tonë shoqëror ndërsa qengjat, populli ynë, mund të jetë pre e fenomeneve negative. 

Jericho  - Kanga jonë

Petriti, miku im i shpirtit, në këngë thotë: “Veç edhe njëherë të ecim /Dhe të jemi bashkë si dikur. Zemra për zemrën e tjetrit / Të jetë për ne si flamur /Dora që zgjat kur rrëzohem /Është ajo që ne na mban /Mos e lejo të harrohet /Nuk kemi tjetër vatan”.

Troja  - Amaneti i Clown-it

Kjo këngë më duket si një avangarde e cila thërret dekadencë intelektuale. Avangarda është pararoja, ata të cilët ecin të parët në luftë. Këtu lufta është gjendja e keqe e shoqërisë sonë ndërsa avangarda dhe dekadenca jenë mjetet me të cilat duhet të i zgjidhim problemet. Këtu, në këtë këngë, faktori mendje, nuk është i potencuar aq shumë sa në nocionin dekadencë. Por në këtë këngë ndodh një gjë më e veçantë, kryelartësia dhe kokëfortësia e avangardës zëvendësohet me thirrje për mendje. Sepse fenomenet, disa nga ato, kanë marrë trajtë bukur kërcënuese për shoqërinë, vetëm me pararoja nuk zbuten, prandaj na nevojitet edhe dekadenca, kundërshtim me mendja pra. 

Eja në botën time, të kërcejmë në lumin tënd

Kjo këngë ekziston, ndonëse nuk është kënduar asnjëherë. Këtë këngë, akoma nuk e ka dëgjuar, e ndoshta nuk do ta dëgjojë njeri. Kjo nuk varet nga unë. Por ajo këngë ekziston, e di këtë. Vetëm i duhet të këndohet apo të shuhet.