Kush është kundër vendosjes së shtatores së Anton Çettës!?

Kultura February 25, 2017 - 08:22

Ishte planifikuar që të premten në Prishtinë, pranë Institutit Albanologjik, të vendoset gur themeli i shtatores së veprimtarit të pajtimeve të gjaqeve, profesorit Anton Çetta, i njour në popull si Plaku i Kosovës.

Kjo ceremoni u anulua. E shkaqet nuk janë krejtësisht të qarta. I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, zëdhënësi për media në Komunën e Prishtinës, Erzen Vraniqi, pranoi se ata kanë marrë një ankesë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, por problemin e cilësoi si mosmarrëveshje mes Universitetit të Prishtinës dhe Institutit Albanologjik, e jo si çështje të Komunës.

”Ky konflikt është mes Universitetit të Prishtinës dhe Institutit Albanologjik. Nuk është me ne. Duhet ato dy institucione të arrijnë pajtueshmëri”, tha shkurt Vraniqi.

Se janë ankuar në Komunë e pranoi edhe drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi.

“Është e vërtetë se kemi dorëzuar një ankesë në Komunën e Prishtinës, sepse kemi konsideruar se për këtë çështje duhet pyetur edhe Instituti Albanologjik, por nuk dimë asgjë lidhur me anulimin e ceremonisë”, tha shkurt përmes telefonit Matoshi.

Burime të Gazetës “Zëri” brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit bëjnë të ditur jo-zyrtarisht se gjithçka ishte gati që kjo ceremoni të ndodhte të premten. Madje sipas këtyre burimeve edhe krerët e lartë të institucioneve shtetërore e kishin konfirmuar pjesëmarrjen, por si pasojë e mospajtimit të disa personave brenda Institutit Albanologjik, kjo ceremoni është shtyrë për një ditë të pacaktuar. Me gjasë për javën e ardhshme.

Rikujtojmë se vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës u bë publik pas një takimi që pati ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me një delegacion të Këshillit Organizativ për Pajtimin e Gjaqeve, të udhëhequr nga Dom Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu dhe Riza Krasniqi.

Ministri Kujtim Shala atë ditë u shpreh se figura e Anton Çettës është unike dhe si e tillë

përfaqëson vlerat të jashtëzakonshme për Kosovën dhe identitetin e saj kulturor e

shtetëror, vlera këto me të cilat krenohet populli i Kosovës. Më tej ministri Shala shtoi se kjo shtatore është shenjë e vlerësimit për kontributin e tij të madh për kulturën dhe për humanizmin shqiptar.

MKRS-ja në projeksionin buxhetor sivjet ka paraparë 50 mijë euro për këtë projekt.