Kemi ndërtuar një sistem të gabuar, ku askush nuk ndihet rehat në lëkurën dhe mendjen e vet!

Kultura February 25, 2017 - 08:20

Në rubrikën “Jepi Zërit”, sjellim arkitektin, dramaturgun dhe skenaristin Shefqet Gjocaj, i cili aktualisht mban pozitën e drejtorit në Ansamblin “Shota”. Gjocaj me skenarin e tij të filmit të shkurtër “Kthimi”, ka fituar shumë çmime brenda dhe jashtë vendit.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Ka shumë pyetje qe në periudha të caktuara ia bëj vetës. Ndoshta më e shpeshta është vërejtja që i bëj vetës: Pse nuk arrij dot të përshtatem? E ka fajin bota apo unë?

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Rruga ime e zakonshme është shtëpi- punë, por jo edhe anasjelltas. Sepse drejtimi tjetër shumë shpesh ndodhë të jetë: punë-teatër-kafene-shtëpi, apo e ngjashme.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Ka shumë të tillë. Gjithsesi do veçoja disa nga ata: Si fëmijë i kam dashur shumë “Udhëtimet e Guliverit” të J. Swift, “Lugjet e verdha” të R. Hoxhës dhe “Sarajet e Bardha” të V. Kikajt. Ka qenë një periudhë kur secilin autor që kam lexuar, më është dukur më i mirë se tjetri:  Nga shkrimtarët botëror, i kam adhuruar Markezin, Borhesin, Stendalin, Heminguejn.  Mbresa të jashtëzakonshme më kishte lënë edhe Shollohovi, më saktësisht vepra e tij voluminoze “Doni i qetë”, personazhet e të cilit i kam ende parasysh.  Më vonë, kur kam filluar të lexoi veprat e F. M Dostojevskit (fillimisht “Krimi dhe ndëshkimi”) besoi që kam gjetur autorin tim më të preferuar. Gjithsesi duhet të përmend “Vëllezërit Karamazov”, “Letra nga Burgu” dhe “Kumargjiu”, të cilat janë monumentale, secila në mënyrën e vet. Nga autorët shqiptarë, gjithsesi në radhë të parë vijnë veprat e Kadaresë, nga të cilët do i veçoja: “Pallati i Ëndrrave” , “Rekuiem për Linda B.” dhe “Prilli i Thyer”. Edhe “Lëkura e Qenit” e Kongolit, radhitet në mesin e librave të preferuar. Por këtu, do doja të veçoja edhe dy libra monografik, që besoi se e kanë pasuruar shumë letërsinë shqipe: “Rërët dhe Gurët” e Petro Markos dhe “Rrno vetëm për me tregue” e At Zef Pllumbit....

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Shpesh i zbrazët dhe pa peshë. Shumë shpesh i mllefosur dhe i zhgënjyer. E më së shpeshti i pa fuqishëm përballë realitetit që nuk do ja preferoja as armikut! Në të gjitha kohët, historikisht, është e ditur se ka konflikte gjeneratash, kur ata më të vjetrit nuk i aprovojnë mendimet dhe veprimet e të rinjve dhe thonë “U prish Bota”. Sepse çdo kohë ka krizat e veta. Do doja të besoja se edhe kjo e jona është e tillë, por.... Unë besoi shumë se kjo është edhe më e thellë, për faktin se është përmbysur tërësisht sistemi i vlerave. Edhe koncepti për vlerën tani i afrohet së tepërmi utilitit. Dhe këtu e ka bazën kriza, edhe morale, edhe identitare. Unë nuk them se njerëzit e kanë gabim. Unë po them se ne kemi ndërtuar një sistem të gabuar, ku askush nuk ndihet rehat në lëkurën dhe mendjen e vet!

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Në terren të ri, pra në kohë të re, kultura te ne është ende në kërkim të identitetit, e them me optimizëm. Nëse do isha pak më tepër pesimist, do thosha se as që është duke e kërkuar, sepse krijuesit që moti e kanë humbur garën me “aktivistët” që prodhojnë kinse art e kulturë, për të qenë IN, e në fakt merren me dokrra (për të mos thënë pordhë) të cilat i shesin si art. Ata në shoqërinë tonë edhe promovohen fuqishëm, sepse kjo është e vetmja gjë që dinë (pra vet-promovimi), dhe çdo ditë i shohim në TV, gazeta, në festivale apo bienale.... Kriza e thellë morale, në radhë të parë shkakton krizë kulturore, por edhe atë sociale.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Padyshim pyetje e komplikuar. Jo pse përgjigja është e vështirë, por kohët ndërrojnë dhe krahasimet shpesh janë të pa lavdërueshme. Nëse flasim në kontekst më të ngushtë, do thosha se dje ishte kohë gjakimi për të sotmen tjetër fare. E sotmja, si e tillë, nuk është ajo për cilën jemi angazhuar dhe kemi ëndërruar (e kam fjalën për shumicën e njerëzve). Na mbetet vetëm të shpresojmë se e ardhmja do të jetë “për masën tonë”. Edhe pse shenjat nuk janë shumë inkurajuese. Në këtë situatë na ngelet vetëm të improvizojmë e të përshtatemi dhe natyrisht të “luftojmë” dhe shpresojmë për një të ardhme më të mirë

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Do veçoja këtu Rembrantin, Monenë dhe Rafaelo Sanzin. Po të më pyesnin se cilën nga pikturat do ta preferoja ta kem në dhomën time të ditës, padyshim se do zgjidhja “Gruaja me ombrellë”, të Klod Monesë (Claude Monet) apo “Kalaveshi i Rrushit” i R. Sanzio. Ndërkaq poezia, për mua, është si Atletika në sport. Nga autorët shqiptarë i kam adhuruar Mjeden, Fishten, Lazgushin, Agollin, por edhe  E. Mekulin, Ali Podrimjen ... Nga të huajt për mua të veçantë janë Sonetet e Shekspirit, për të cilin mendoi që ishte po aq madhështor në vjershërim sa në dramat dhe tragjeditë e tij. Por si tituj do veçoja poezitë , “Në mundsh” (orig. “If”) e nobelistit anglez Rodyard Kipling dhe “Kur të jesh mërzitur shumë” e D. Agollit. Nga këngët do të veçoja “Vasha me kaçurrela” të Avni Mulës, por si mund të mos përmend “Bareshën” e Nexhmijës, “I’ll always love you” të W. Huston, “Hello” të Lionel Richie etj.

Filmi? Ah, sa të thjeshta duken pyetjet në fillim dhe sa vështirë është të përgjigjesh pastaj në to. Duke zgjeruar njohuritë dhe kultivuar shijen jam bërë shikues i pasionuar i Filmave- dramë. Nga titujt, megjithatë do veçoja “Njeriu i Shiut”(Rain Man) i  regjisorit Barry Levinson, me Dustin Hoffman dhe Tom Cruise por edhe “Kazablanka” (Casablanka) i Michael Curtiz me  Humphrey Bogart dhe Ingrid Bergman, në rolet kryesore.