Trofeu i 'BAFTA'-s në Prishtinë, filmi 'Home' në shtëpi

Kultura February 23, 2017 - 08:30

Për herë të parë një film me ko-produksion kosovar fitoi një çmim “BAFTA”, e ky trofe u prezantua të mërkurën në Prishtinë.

Ekipi i filmit “Home”, përfshirë producentin Shpat Deda dhe regjisorin Daniel Mulloy, dolën para medieve.

Producenti Shpat Deda hapi konferencën duke prezantuar ekipin që qëndroi prapa produksionit të filmit dhe duke i falënderuar ata. 

“Suksesi vjen në formën e tij më të bukur kur ndahet me njerëz të tjerë, dhe në këtë rast ka aq shumë njerëz me të cilët po e ndajmë. Ne duhet të ndërtojmë më shumë ura në mënyrë që talenti kosovar ta gjejë rrugën në qendrën e vëmendjes botërore, sepse tanimë kemi mjaft suksese që na e dëshmojnë se kjo është e mundshme”, tha Deda, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Home” është i pari produksion kosovar i cili shpërblehet me “BAFTA”, ndërsa filmi pati një sukses të madh nëpër botë pas publikimit në kinematë e Britanisë së Madhe, përfshirë triumfin në mbi 15 shpërblime në festivale botërore dhe nominimin në Akademinë Evropiane të Filmit.

Regjisori i filmit, Daniel Mulloy, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Kosovën për realizimin e këtij projekti.

“Kosova është vend i jashtëzakonshëm për të bërë filma. Njerëzit e ri kanë shumë talent dhe pasion dhe çdo gjë është e mundur këtu. Mbështetja nga Kosova e bëri këtë film dhe ishte jashtëzakonisht e fortë. Ne kemi bashkëpunuar me shumë institucione përfshirë me policinë dhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilët i kanë sjellë shumë filmit përmes eksperiencës dhe pasionit të tyre. Filmi ynë synon të sjellë ndjeshmëri ndaj krizës aktuale të refugjatëve dhe populli i Kosovës dha aq shumë për të mbështetur këtë mesazh. Ka aq shumë mëshirë, bashkëndjesi dhe talent këtu në Kosovë sa që tashmë është vulosur në secilin kuadër të filmit tonë. Mbështetja që populli i Kosovës na ka dhënë, nga Prishtina në Prizren, është forca më e madhe e filmit tonë. Janë përpjekjet e secilit nga këta individë që kanë mbledhur dhe krijuar këtë sukses. Kjo do të thotë se mesazhi i bashkëndjesisë së filmit dhe të kuptuarit ndaj refugjatëve dhe agonisë prej të cilës ata po ikin do të rezonojnë edhe më tej me publikun përreth botës”, tha Mulloy, shkruan "Zëri".

Në konferencë ishin të pranishëm një pjesë e ekipit të ‘Home’ nga Kosova, të cilët ndanë me të pranishmit përvojat e tyre personale të realizimit të projektit.  

Dizajnerja e produksionit, Mrina Godanca, theksoi vullnetin e njerëzve për të ndihmuar filmin. 

“Për mua, sado sfiduese që ka qenë ky projekt, ajo që e ka mbajtur në këmbë këtë proces kompleks ka qenë mirëkuptimi, dhembshuria dhe të qenit i hapur, e kjo vlen për të gjithë të involvuarit. Nuk e di pse por ka momente kur prapë befasohem nga vullneti i njerëzve për të ndihmuar njëri-tjetrin. Krejt çka duhet të bësh është ta kërkosh atë. Është mahnitëse. Ne kemi biseduar dhe punuar me persona tërësisht të panjohur për ne dhe ata menjëherë kanë pranuar të jenë pjesë e diçkaje më e madhe se ata. E kjo sidomos kur ata e kuptonin mesazhin e filmit. Ne duhet t’ia rikujtojmë vetes se gjëra të mëdha mund të arrihen edhe në Kosovë, nëse punojmë me pasion dhe zell. Për mua, kjo ka qenë një eksperiencë jetësore”, u shpreh Godanca.

Elmedinë Morina, Drejtoresha Artistike në Kosovë,  po ashtu ndau përvojën e saj të punës.  

“Bashkëpunimi i mirë mes njëri-tjetrit brenda ekipit ka ardhur si rezultat i besimit të ndërsjellë, si reflektim i drejtpërdrejtë i besimit të Danielit në secilin prej nesh qysh prej fillimit të përfshirjes tonë në projekt. Të përfshihesh në një projekt të tillë, si një profesionist i ri dhe me vetëbesim të brishtë do të kishte ndikuar në rezultatin e punës, por me mbështetjen dhe besimin e pakusht që Danieli dhe Shpati kanë shfaqë gjatë tërë kohës te ne ka bërë që edhe ne të punojmë me të njëjtin entuziazëm dhe përkushtim, të sigurt në çdo vendim që e kemi marrë”, tregoi Morina.

Nita Deda, Drejtoreshë e DokuFest si dhe Line Producer në filmin “Home”, foli për përvojën e saj dhe rëndësinë e çmimit.

“Si bashkëproducentë të filmit, ne në DokuFest jemi tepër krenarë që kemi qenë pjesë e familjes që e ka jetësuar këtë projekt. Suksesi i tij është frymëzim për të gjithë ne që punojmë në kulturë dhe që dimë për rëndësinë e komunitetit edhe magjisë që ndodhë kur njerëzit bashkohen rreth një ideje dhe kauze. Çmimi ‘BAFTA’ është edhe një dëshmi se projektet e tilla kulturore janë mënyra më e mirë përmes të cilës mundemi me prezantuar vendin tonë ende të izoluar dhe si të tilla meritojnë mbështetje”, tha Deda.

Shpend Qamili nga Zyra e Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të cilët ishin mbështetësit të filmit, në fjalën e tij të rastit tha se “UN Kosovo Team” mbështet të talentuarit, novatorët dhe entuziastët që e duan Kosovën.

Rikujtojmë se “Home” është bashkë-produksion i DokuFest, Somesuch dhe Black Sheep Studios me aktorët Jack O’Connell dhe Holliday Grainger në rolet kryesore.

Filmi 20 minutash është xhiruar në Kosovë dhe Britani të Madhe dhe e thekson gjendjen e refugjatëve dhe dhunës me të cilën përballen qindra mijëra njerëz në të gjithë botën. /ZËRI/

Image