Në Kosovë është e pamundur të mbijetohet nga brushat e vizatimit

Kultura February 21, 2017 - 08:35

Piktura është një nga format më të arrira të artit që në historinë botërore të tij ka lënë gjurmë të pashlyera.

Edhe sot vepra të piktorëve eminentë shiten me shifra marramendëse, përkatësisht milionëshe, nëpër ankande të ndryshme, shkruan "Zëri".

Prapa tablove madhështore të pikturave si “Darka e gabuar”, “Vazoja me 12 luledielli” apo “Mona Lisa” që varen nëpër mure muzesh e vështrohen me admirim, qëndron historia e atelieve të vogla a të mëdha, të brushave dhe ngjyrave dhe talenti i rrallë i pikturimit i artistëve të kohës.

Sado që vlera e artit nuk është e lehtë të matet me shifra, arti në shumicën e rasteve krijohet për t’u shitur, por sa vlen kjo në vendin tonë dhe sa mund të jetosh nga arti, konkretisht nga piktura, mund ta thonë vetëm ata që ballafaqohen me këtë problem, artistët që tentojnë të mbijetojnë nga brushat.

Piktori i ri, Albert Reçica, i diplomuar për këtë lëmi në vitin 2012, thotë se realisht, të mbijetosh nga piktura në Kosovës është gati e pamundur.

“Unë e kam zgjedhur këtë drejtim, sepse e kam dashur me shpirt. Për mua piktura është pasion, është pushim i shpirtit. Megjithatë gjithmonë e kam ditur se të mbijetosh nga piktura është e vështirë dhe ky fakt disi më ka munduar edhe gjatë studimeve, kur kam punuar si kamerier”, kujton Alberti, duke shtuar se të studiosh art është edhe e kushtueshme.

Ai veprat e tij i vendos në shitje nëpër disa faqe online dhe siç thotë ai, shpreson për më të mirën. I pyetur se si ia del ekonomikisht ai tregon se si në rrethana të caktuara ka bërë zgjedhje të ndryshme.

“Siç tregova dhe më lart, një kohë kam punuar si kamerier, për të vetëfinancuar studimet e mia. Pas diplomimit për disa muaj kam arritur të aranzhoj disa punë, që përfshinin pikturimin e mureve, pra muralet. Kam vizatuar murale si dekorime të brendshme në disa lokacione në Prishtinë e në Gjilan”, tregon Reçica.

I shqetësuar artisti i ri duket edhe për hapësirën ekspozuese që kanë ai dhe kolegët e tij, duke përmendur kështu vështirësitë e të organizuarit ekspozita, qoftë personale a grupore.

“Duhet të gjendet një hapësirë edhe një formë për të gjithë ata që krijojnë art t’i publikojnë ato vepra dhe mos të vijnë deri në një pikë dëshpërimi që të vendosin ta lënë artin”, thotë ai.

Gjithashtu, Reçica e konsideron të rëndësishme që ky brez i ri t’i largohet plagjiaturës, sepse, sipas tij, ajo e shkatërron artin dhe porositë se më mirë është të krijosh diçka origjinale, e jo diçka shumë të bukur, por plagjiaturë.

Agim Ahmeti, mësimdhënës i Artit Figurativ në një nga shkollat e mesme të Prishtinës, thotë se përkundër gjendjes jo shumë të favorshme në brezat e ri që përcjell ai vëren interes për artin, në përgjithësi.

“Mes nxënësve ka shumë talente të reja. Gjeneratat e reja shpresoj që do të krijojnë kushte më të mira dhe gjendja e artistëve përgjithësisht dhe piktorëve të jetë më e mirë. Ia vlen të studiohet arti, sepse kënaqësinë që ta jep arti nuk ta jep asgjë”, thotë ai.

Anita Prepeza, studente e Pikturës në Akademinë e Arteve në Prishtinë, tregon për Gazetën Zëri se artin e pikturës e ka dashur qysh fëmijë kur shumicën e kohës e ka kaluar me laps, ngjyra e letër dhe ka pasur gjithmonë përkrahjen e prindërve, familjes dhe rrethit.

Mirëpo, prapë vendimi për të studiuar art, pikturë, nuk ka qenë diçka e lehtë dhe e zakonshme për të duke qenë e vetëdijshme për nivelin e kulturës e artit në Kosovë dhe mundësitë që ofrohen për të mbijetuar nga ai.

“Në Kosovë mungon një vetëdije e duhur për artin, pak vlerësohet koha dhe mundi që një piktor apo çfarëdo artisti tjetër ia falë veprës së tij. Është e vështirë ta mendosh së këtu mund të mbijetosh nga arti duke qenë artist i mirëfilltë dhe qind për qind vetvetja. Mungojnë shumë elemente që nuk ta lejojnë ta plotësosh dëshirën dhe vullnetin e madh për art”, thotë Anita Prepeza.

Marrë parasysh këtë gjendje, vendimi për t’i orientuar studimet ka arti mund të jetë një dilemë për të gjithë të rinjtë. Sipas zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës, Akademia e Arteve në Prishtinë, në vitin 2015 pranoi 175 studentë të rinj, që i bie 39 më pak se në vitin 2014. /ZËRI/