Fotografia është muzikë dhe çdo tingull është ngjarje

Kultura February 20, 2017 - 09:41

Në rrëfimin e tij muzikor në rubrikën javore të Gazetës Zëri, “Rrëfej përmes muzikës”, dirigjenti pejan Memli Kelmendi, na tregon sesi u rrit me vargjet e këngës emblematike “Moj e bukura Arbëri”. Ai veçon “Reuqiem-in” e Mozartit, por listës së tij nuk i mungojnë as Celine Dion e Michael Jackson.

Vaçe Zela - Moj e bukura Arbëri


Legjenda e pavdekshme e këngës shqipe, Vaçe Zela, përveç shumë këngëve të pavdekshme e këndoi edhe këtë këngë para dyzet vitesh, mirëpo babai im Xhevat Kelmendi – kantautor, është po ashtu ndër të parët që e këndoi me shumë përkushtim dhe nostalgji këtë këngë pikërisht që nga koha kur e këndoi edhe Vaçe Zela. U rrita në frymën e kësaj kënge duke u frymëzuar edhe nga krijimtaria e babait tim i cili mbeti besnik kësaj fryme, por që këto gjurmë hynë në shpirtin tim që nga fëmijëria.


Michael Jackson – We are the World


Lindja e diellit, lindja e një jete të re, ku askush nuk e din se çfarë e pret në këto ujëra. Mesazhi i këngës është sa më pak vuajtje, dhunë, aq më tepër paqe dhe dashuri, pa marrë parasysh ngjyrat e jetës.

Vangelis - Conquest of Paradise


Kjo është kolona zanore e filmit të njohur “1492 - Conquest of Paradise” e kompozuar nga Vangelis. Për mua kjo vepër ngërthen një emocion të jashtëzakonshëm, ngase aty shihet një jetë e tërë me plot ngjyra, me shumë vuajtje dhe triumfe. Kjo vepër më kujton fëmijërinë time dhe veçanërisht demonstratat e vitit 1998.


Celine Dion – My Heart Will Go On 


Kjo është njëra nga kolonat zanore më të bukura filmike të njohura në botë. E kompozuar nga James Horner që për mua do të mbetët gjithmonë si njeri ndër kompozitorët më të mirë të kinematografisë botërore. Sa herë që dëgjoj këngën, çdoherë e shoh filmin.Jeta është lëmoshë, ngase njeriu gjithmonë kërkon diçka të re dhe kurrë nuk ngopet me ato që i arrin. Edhe pse nuk arrita të njoh dajën tim të ndjerë, megjithatë përmes kësaj kënge e përjetoj një botë të asaj kohe.

 

Mozart - Reuqiem


Për mua kjo mbetët kryevepra e kompozitorit W.A.Mozart. Gjatë studimeve ne përjetuam kënaqësi të posaçme pasi që ne interpretuam këtë me korin dhe orkestrën e fakultetit të drejtuar nga prof. Bajar Berisha. Çdo herë këtë e kam dëgjuar me nostalgji dhe ende vazhdoj të dëgjoj kështu ... por nuk e kisha menduar kurrë se një ditë edhe mua do të më vije radha që edhe unë të dirigjoj pjesë nga ky Requiem i njohur.
    
Eric Whitacre - Lux Aurumque


Muzika korale (viteve të fundit) është ajo që për mua paraqet një përkushtim dhe angazhim të veçantë. Vepra “Lux Aurumque” ka një harmoni dhe dinamikë shumë interesante dhe në të i gjejmë të gjitha. Është vepër që unë e kam dëgjuar shumë dhe e kam përjetuar në një formë të veçantë ngase është interpretuar në një formë të jashtëzakonshme (Virtual Choir).


Henryk Górecki - Concerto for Harpsichord and String Orchestra Op. 40


Gorecki është ndër kompozitorët me të njohur të shek. XX. Veprat e tij më japin shtytje për të gjetur fuqinë time krijuese. Në këtë vepër vërehet pulsi barokian, ku element efektiv është ritmi dhe në të ka po ashtu elemente të muzikës minimalistike. Jeta është ekspresive, prandaj edhe vepra është e tillë.


Duaj / Dafina ZeqirI - Nushi 


Kjo vepër është kompozuar nga kompozitorja jonë e mirënjohur Dafina Zeqiri – Nushi. Kjo vepër i dedikohet të Shenjtës Nënë Tereza. Për herë të parë është dirigjuar nga unë dhe është interpretuar nga kori i Pejës në Basilica di San Marco – Venezia. Për mua kjo është një kujtim i veçantë ngase u interpretua në një vend ku kanë performuar muzicientë të njohur botërorë. Vepra thotë: Duaj deri në dhembje – mesazh për të gjithë njerëzimin.


Hans Zimmer – Gladiator / Now we are free


Një gërshetim aq i mrekullueshëm i fotografisë dhe i muzikës, ku çdo fotografi është muzikë dhe çdo tingull është ngjarje. Pra aq shumë i jep fuqi muzika duke e shikuar këtë film që vazhdimisht të mbanë në emocion. Edhe vuajtjet dhe mundimet e kanë fundin – mbase jemi të lirë. Për mua kjo do të mbetet kolona zanore ndër më të bukurat të të gjitha kohërave dhe inspiruese në çdo moment.