Kryeveprat italiane të shekullit XX para publikut shqiptar

Kultura January 17, 2017 - 08:50

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë ka hapur dyert për ekspozitën me kryeveprat e artit italian të viteve 1900, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kjo ekspozitë që ofron më shumë se 100 vepra të shkëlqyera të Galerisë së Artit Modern të Romës, përfaqëson një kontribut thelbësor në historinë e artit italian të shekullit të XX.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite, në Galerinë Kombëtare të Arteve, e konsideroi këtë një ngjarje të shënuar për artin dhe kulturën në Shqipëri.

“Është hera e parë që në Shqipëri vjen një koleksion veprash origjinale të artit botëror. Artdashësit, apo edhe nxënësit e studentët mund t’i shijojnë ato në muret e Galerisë tonë Kombëtare”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama.

Duke e cilësuar artin dhe kulturën si një ushqim dhe pjesë të identitetit të një kombi, kryeministri shtoi se kur është fjala për kulturën, identiteti ynë nuk është vetëm shqiptar, por është edhe evropian.

“Një shprehje shumë e mençur thotë: ‘Rrënjët e atdheut nuk janë në tokë, janë në ushqim’. Ushqimi nuk është vetëm buka që hamë, por është kultura dhe identiteti ynë. E nëse kur vjen puna tek kultura, është e pafundme sasia e ushqimit që na duhet e për të cilën duhet të shkojmë edhe përtej kufijve tanë, kur vjen puna vetëm te identiteti ynë, identiteti ynë nuk është vetëm shqiptar, por është edhe evropian”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falënderoi kompanitë që mundësuan hapjen e kësaj ekspozite.

“Jam profan në këtë fushë, por si gjithë shqiptarët, kur shoh një gjë të bukur më pëlqen. Ndikimi i artit ka ndikim në jetën e qytetit. Aty ku ka art, nuk ka pisllëk. Mjafton të shohim këtu përballë, ku kemi Renë, ku nuk ka pisllëk. Brezi i ri rritet më i mirë kur shijon këto bukuri”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, uroi që të rinjtë shqiptarë përmes kësaj ekspozite të njohin më mirë kulturën dhe artin italian, si dhe falënderoi të gjithë ata që bënë të mundur hapjen e saj.

Figurat femërore të mrekullueshme, portretet e personazheve të famshëm, natyrat e qeta, pamjet e Qytetit të Përjetshëm dhe të fushave romane, janë këto temat dhe subjektet që kanë kontribuar në afirmimin e artistëve të mëdhenj italianë të 1900.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 16 janari deri më 2 prill në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë./ZERI/.