Komuniteti artistik kujton me nderime Nuredinin

Kultura January 17, 2017 - 08:49

Familjarët, miqtë, dashamirët e bashkëpunëtorët i kanë dhënë lamtumirën aktorit, regjisorit, dramaturgut e pedagogut shqiptar, Sefedin Nuredini, shkruan sot, gazeta Zeri.

Regjisori kosovar Fadil Hysaj, e kujton Nuredinin si njërin nga themeltarët e aktrimit modern shqiptar. Si aktor me kulturë dhe energji titanike, me të cilin, sipas tij, mund të bëje shfaqje që tejkalonin kufijtë e çdo konvence.

“U dorëzove shpejt, miku im Sefedin Nuredini! Ky dimër i egër pamëshirshëm gllabëroi jetën edhe të një artisti. Pasi mori Bujar Lakon, Anita Taken, Ramiz Kelmendin, Mensur Raifin, pamëshirshëm e mori edhe jetën e artistit të madh të skenës shqiptare, Sefedin Nuredini, njërin nga themeltarët e aktrimit modern shqiptar, aktorin me kulturë dhe energji titanike, me të cilin mund të beje shfaqje që tejkalonin kufijtë e çdo konvence. Pos si artist skene e ekrani ai ishte edhe drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, të cilin teatër ai e bëri të jetë vërtet shqiptar në të gjitha aspektet si dhe të jetë oazë kreative për shumë dramaturgë dhe regjisorë shqiptarë që aty krijuan veprat e tyre më të mira. Sefedin Nuredini bëri shumë për teatrin shqiptar kur ishte shumë vështirë aty të bëje pak. Dhe kur dukej se erdhën kohë më të mira dhe kishte mundësi të bënte edhe shumë, por... Ti kishe shpirt luftarak. Si u bë që u dorëzove kaq shpejt, miku im!?”, ka shkruar regjisori Hysaj në rrjetin social Facebook.

Edhe për regjisoren e mirënjohur Lendita Zeqiraj, vdekja e aktorit Nuredini është humbje për kinematografinë. Ajo shprehet e nderuar për rastin që pati të punoi me të.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për humbjen e aktorit tonë Sefedin Nuredini. Ishte nder e kënaqësi të punoja me të. U prefsh në paqe Sefedin! Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që e njohën”, ka thënë Lendita Zeqiraj.

Me shumë mirënjohje Nuredinin e kujton edhe regjisori nga Maqedonia, Ibër Deari. Ai konsideron se ka shumë gjëra për të cilat komuniteti artistik duhet të jetë mirënjohës ndaj Sefedin Nuredinit, por edhe të ndihet borxhli.

“I jemi mirënjohës për çka na ka dhuruar dhe i jemi borxhlinj për çka mund të bënim më shumë për aktorin e madh, nga të parët Sefedin Nuredini. I përjetshëm do të jetë kujtimi për ty. Ngushëllime familjes Nuredini”, shkruan Deari.

Nuredini u lind në Kumanovë, më 24 janar. Ai mbaroi Fakultetin e Arteve Dramatike, degën e aktrimit në Shkup, në vitin 1977. Fill më pas nisi punë në Teatrin e Kombësive në Shkup (sot Teatri Shqiptar), ku ka luajtur mbi 40 role kryesore nga dramaturgjia botërore dhe ajo kombëtare. Ka qenë drejtor i këtij teatri për dy mandate, themelues dhe dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike të Universitetit të Tetovës.

Në vitin 1980 mishëroi figurën e ndërlikuar dhe tepër komplekse të Monseratit në dramën “Monserati”, me nëntitull “Të shpëtojë shpresa të Emanuel Roblesë”, me të cilin fitoi çmimin e Aktorit më të mirë në Festivalin e Prilepit në Maqedoni. Ai nxori në pah shpirtin liridashës të këtij ushtaraku, duke ia dalë mbanë presionit të tmerrshëm, në kufijtë e të pamundurës, të Iskierdos. Paçka se i vendosur në një situatë të jashtëzakonshme, makabre, cinike, në rolin e tij ra në sy, krahas shqetësimit dhe turbullimit shpirtëror (nga krimet që po kryheshin në sytë e tij), po aq edhe vetëpërmbajtja, logjika, arsyeja e kthjellët, shtysa heroike që e çonte drejt vetësakrifikimit.

Në një tipologji të këtillë epiko-dramatike ai e luajti edhe figurën e Prometeut nga tragjedia homonime e Eskilit, me të cilin fitoi çmimin e parë në Festivalin e Prilepit, në vitin 1982. Hamleti në tragjedinë homonime të Shekspirit është nga figurat e vështira të jetësuara prej tij, duke u mëshuar njëherazi të dy kaheve karakteriale të personazhit: i thjeshtë dhe i ndërlikuar, klasik dhe bashkëkohor, real e fiktiv, i vrullshëm dhe i përmbajtur, emocional dhe racional.

Një qasje krejt të ndryshme e të veçantë realizoi ai me personazhin e Voicekut në dramën me të njëjtin titull të Teki Dervishit, me të cilin fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu” për rolin më të mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të teatrove në Tiranë, në vitin 1994. Këtu spikatën dhunti të tilla aktoriale të Nuredinit, si dinamizmi dhe energjia e brendshme, shpërthimet dhe pështjellimet psikike, klithmat dhe dukjet nevrotike, ritmi i lartë, “patologjia” psikofizike e shoshur dhe e kontrolluar.

Si regjisor Nuredini ka vënë në skenë pjesët “Qeni me katër sy”, “Lulja dhe Shega”, “Dhëndër nga Parisi”, “Policët” e “Sfida e madhe”. Ai mbante edhe titullin universitar, profesor.

Rikujtojmë se Sefedin Nuredini vdiq mbrëmjen e 14 janarit. Mbledhja komemorative për të ndjerin  u mbajt në Teatrin e Shkuptit, ndërsa ai u varros në Varrezat e Butelit, në Shkup, të hënën, më 15 janar.