“A thua” më bën krenar me popullin të cilit i takoj

Kultura January 16, 2017 - 09:44

Kësaj radhe, në rubrikën javore “Rrëfej përmes muzikës”, ju flet eksperti për çështje të sigurisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani. Për të folur shqip përmes këngëve ndër të tjerë ai ka zgjedhur Muharrem Qenën, Elina Dunin e Shkëlzen Jetishin, por jashtë listës së tij nuk kanë mbetur as grupi legjendar Deep Purple e Frank Sinatra.

“A thua” - Muharrem Qena

Është këngë që më bën të krenohem me popullin të cilit i takoj. Muharrem Qena me stil të pakrahasueshëm të bën të ndjehesh superior për dinjitetin e popullit tonë. Jam rritur me këto këngë në familje, duke i dëgjuar e kënduar. Më kujton kohën e fëmijërisë, në të cilën këto këngë i kemi pasur përditshmëri.

“Dashurova sytë e bukur” - Vëllezërit Korçarë (Endri dhe Stefi)

Një këngë e vjetër, që në formë fenomenale e sjellin Endri dhe Stefi, të njohur edhe si Vëllezërit Korçarë. Është këngë e momenteve të vetmuara, në të cilat njeriu sigurisht gjendet në faza të ndryshme të jetës. Por, në të njëjtën kohë, është këngë edhe e shoqërimit me njerëzit që më së shumti i dua në jetë.

“Ka një mot e gjysmë viti” - Elina Duni

Një këngë e këtillë e vjetër, në formën që këndon Elina Duni, është jashtëzakonisht e këndshme. Në të njëjtën kohë, e përshkruan në mënyrë të veçantë privatësinë që njeriu vendos ta mbajë për vete. E kam dëgjuar për kohë të gjatë tashmë dhe sigurisht, do ta dëgjojë gjithnjë.

“Fustani me pika” - Shkëlzen Jetishi dhe Zenel Doli

Këngët qytetare dhe popullore janë jo vetëm trashëgimi jona, por edhe një thesar i veçantë yni.“Fustani me pika” është një prej këngëve të paharrueshme, të cilën e këndojnë shumë këngëtarë të njohur, si për shembull Myslym Lela me stilin e tij krejt të veçantë. Versionin e Xenit dhe Zenel Dolit e dëgjoj me shumë vëmendje dhe më kujton kohën e moshës më të re kur së bashku me motrën, Linditën, dhe vëllain, Ilirin, jemi marrë me muzikë të këtij zhanri.

“Episodi i fundit” - Grupi 403

Më kujton fëmijërinë në përgjithësi dhe adoleshencën në veçanti. Grupi 403 është një nga grupet kosovare të cilat i dëgjoj me nostalgji. Njëjtë me “Telex”, me “Gjurmët”, me “Minatori”, me “TNT” e grupe të asaj kohe. Këngët e tyre më mallëngjejnë papërshkrueshëm.

“My way” - Frank Sinatra

Së pari, Sinatra është një legjendë e pakontestueshme dhe këngët e tij pothuajse të gjitha kanë kuptim që përshkruan jetën e secilit prej nesh. Kënga “My way” është përshkruese për vendosmërinë e individit në botën e trazuar, në dimensionet që mundet të takojë ai ose ajo. E tillë është edhe për mua, një këngë që më përshkruan për vendimet të cilat i marrë për vete në jetën time.

“Soldier of fortune” - Deep Purple

Gjenerata ime, sikurse besoj edhe gjeneratat pak më të hershme, ndjehen të veçantë që i takojnë të njëjtës epokë me Deep Purple. Sidoqoftë, “Soldier of fortune” është një prej këngëve që më bën të rrëqethem në kuptim të plotë sa i përket ballafaqimit me jetën individuale. Me ecjet përpara dhe me rrëzimet. Me nostalgjinë për veprimet e mëhershme, por edhe me dinjitetin personal.

“Vivo per lei” - Andrea Bocelli dhe Laura Pausini

Së pari për këngëtarin, i cili është një rast unik i motivimit për jetë, për arritje, për karrierë dhe për dashuri. Andrea Bocelli është i papërsëritshëm, jo vetëm për shkak të zërit, por edhe për shkak të jetës së tij. “Vivo per lei” është kënga ime e dashurisë, kënga me të cilën e përshkruaj veten në dashurinë. Qartësisht, dashurinë në të gjitha kuptimet e saj, për njeriun, për punën, për profesionin, për vendin, për jetën. Po ashtu, motiv tjetër për këtë këngë është edhe një fakt: “Vivo per lei” është kënga e Anës dhe imja, po ashtu. E këndojmë bashkë çdo herë që jemi në veturë bashkë, por edhe në shtëpi. Ajo e di përmendësh secilin varg dhe secilën shkronjë, e këndon shumë bukur dhe nganjëherë nuk është e kënaqur se si unë e këndoj pjesën e mashkullit.

“Beso në diell” - Grupi ODA

Më kujton kohën menjëherë pas luftës. Është koha kur e kam dëgjuar shumë këtë këngë, disi të përshkruan ndjenjën e triumfit me të cilin motivohet njeri. Motivimi për triumf i ndërlidhur në mënyrë jashtëzakonisht të qëlluar me fjalinë e njohur se “Pas çdo shiu, dielli do të nxejë”.

“Ty Kosovë t’njeh historia” - Dida-Çela- Kovaçi

Kënga për Isa Boletinin dhe që përfaqëson realisht përpjekjet e kombit shqiptar për liri e pavarësi. Sidomos, përpjekjet e plota të shqiptarëve të Kosovës dhe rolin vendimtar në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në nëntor 1912. Sigurisht se ka shumë këngë folklori që më pëlqejnë dhe i dëgjoj, por kjo këngë është ajo të cilën e dëgjoj dhe e këndoj me ëndje për vete.