Në kujtim të Anita Takes

Kultura January 14, 2017 - 09:13

Anita Take ishte një zonjë e pazëvendësueshme, e cila me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare me një repertor prej rreth 750 këngësh. Kështu kujtohet në njoftimin zyrtarë për vdekjen e saj këngëtarja Anita Take, që vdiq mbrëmjen e 12 janarit.

“Zëri i dashur, i ngrohtë e i pa ngatërrueshëm, zonja e skenës Anita Take është ndarë nga jeta. Anita, e cila mbetet një ndër këngëtaret më të dashura të publikut qëndroi aktive duke kënduar live deri në vitet e fundit të jetës së saj artistike”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Kulturës në Shqipëri.

Këngëtaren Take e kanë kujtuar edhe kolegët nga komuniteti artistik. Eneda Tarifa i ka dhënë lamtumirën duke e cilësuar si zë të ëmbël e zonjë të mirë.

“Lamtumirë zonjë e thjeshtë, lamtumirë zonjë e mirë, lamtumirë zë i ëmbël, lamtumirë ikonë e muzikës sonë ‘të vështirë’. Lamtumirë Anita Take.

Jam e lumtur që një nga kompozimet më të bukura e trashëgoj dhe e këndoj kudo me qejf. Të prehesh në paqe!”, ka shkruar Eneda Tarifa, duke shpërndarë kështu këngën “Kanapeja”.

Në anën tjetër, artisti Vasil Tole e ka kujtuar Taken si zonjën të padiskutueshme të muzikës shqipe.

“Janë me mija interpretimet gjatë jetës së saj në publik e me këtë kuptojmë jo thjesht sallat e mbyllura, por kudo ku brezat e shqiptarëve të etur për këngën shqipe jetonin e punonin: në shkolla, në fusha e ara, reparte ushtarake, fabrika e kantjere pune, aty ku gjallonte jeta. Janë të rrallë këngëtarët si Ajo që ta kenë ndjerë pulsin e publikut të shkrirë me ritmet e këngëve që ajo këndonte për ta. Në këtë ditë të mbramë e nderojmë atë si këngëtaren që me zë të gjallë mbushi me jetë shpirtrat tanë. Ky ishte misioni i përmbushur i saj! Prandaj sot largohet vetëm fizikisht duke lënë mes nesh zërin që bëri historinë e këngës sonë” ka shkruar Tole.

Anita Take ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot. Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë ajo ishte dekoruar nga presidenti i vendit me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”. /Zeri/.