Po jetojmë në frymën e antivlerave

Kultura January 14, 2017 - 09:09

Në rubrikën “Jepi Zërit” sjellim Veli Sahitin, shef i grupit “Trix” dhe kantautor nga Ferizaj. Sahiti është autor i 20 albumeve muzikore si solo këngëtar dhe si kompozitor. Ishte themelues i Festivalit të parë të rokut të njohur si “Kitariada”, në vitin 1987. Pastaj themelues i Festivalit të muzikës argëtuese “Ferfest”, në vitin 2005. Veli Sahiti është një këngëtar i njohur dhe i pëlqyer jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha hapësirat shqiptare.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Është në natyrën e njeriut që të ngjet në një det të trazuar, për më tepër krijuesi, i cili me dilemat e tij i ngjet një deti me valë të trazuara. Pyetja që më sillet më shpesh vërdallë është ajo që ka ë bëjë me karrierën time prej këngëtari: Mos vallë më mirë do ta kisha në një vend ku era e rokut mund të nuhatet edhe nëpër kalldrëme të vjetra rrugësh dhe nëpër gurë të objekteve të vjetra me një traditë të theksuar të muzikës, ndërsa në këtë qytetin tim të ri më është dashur të përballem me shumë sfida, madje edhe aso të keqkuptimit. Por si ngushëllim kam ndjenjën se i kam dhënë një frymë moderne qytetit tim të ri dhe kam ndikuar sadopak në krijimin e një atmosfere qytetare.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Zakonisht zgjohem herët. Kafenë e mëngjesit e pi para orës 8 dhe atë në kafeterinë “Nostres”, apo në “Rut 66”, që ndodhen poshtë pallatit ku banoj. Zakonisht kafenë e mëngjesit e pi duke shfletuar gazetat e ditës, një shprehi e vjetër kjo e imja. Pastaj përgatitem për nxënësit, meqë bëj punën e mësimdhënësit në shkollën e qytetit “Vezir Jashari”. Pasditen e kaloj duke punuar në studion time të vogël, në kompozim apo orkestrim të ndonjë kënge. Në mbrëmje shkoi në fitnes, ku marrë energji të mjaftueshme për ditën tjetër. Natën vonë nuk e preferoj të dalë. Kjo më ndodhë vetëm kur kam angazhime muzikore.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Janë disa, por unë do ta veçoja romanin “Emri i trëndafilit”, të Umberto Eco. Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare? Kjo nuk është kohë as për krijuesit e mirëfilltë, por as për njerëzit e ndershëm. Është zor të shohësh si në jetën tonë është shthurur gjithçka. Kriza morale po shpërfaqet në të gjitha dimensionet e jetës dhe po krijon një ambient të kontaminuar, nga i cili edhe nuk po mund të ikim, sepse kemi mbetur të getoizuar brenda kësaj Evrope, gjithashtu e ngarkuar me kriza të mëdha. Në bazë të muzikës që më shumë servohet tek ne, zor e ke të besosh se jeton në një tokë të shqipeve. Pastaj kurrë më shumë nuk ka pasur tendenca që të rrënohen figurat emblematike të identitetit tonë kombëtar. Këto figura sulmohen edhe publikisht dhe për fat të keq institucionet tona nuk reagojnë në masën si duhet. Për këtë arsye është shumë e nevojshme që të krijohet hapësirë më e madhe për njerëzit tanë që me vlerat e tyre përfaqësojnë identitetin evropian të shtetit tonë të ri, i cili ka nevojë të njihet në fytyrën e vërtet të tij identitare. Emra përfaqësues për fat të mirë po kemi gjithnjë e më shumë. Të tillët janë ambasadorët tanë më të mirë për të na përfaqësuar, prandaj duhet t’i përkrahim dhe t’i afirmojmë si shembuj të mirë.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Sot vendin tonë e ka përfshirë një frymë e antivlerës, e cila po ngushton gjithnjë e më shumë hapësirën e vlerave. Tani muzika nuk dëgjohet, por shikohet. Personazhe publike janë bërë edhe ata që nuk dinë çka janë akordet a notat muzikore dhe që nuk kanë fije talenti as për të kënduar. Kësaj fryme të antivlerave po i kontribuojnë shumë mediet tona, madje edhe televizioni publik, i cili do të duhej që të kishte kujdes, ndërsa mbahet nga taksat tona. Kundër kësaj fryme duhet angazhuar në mënyrë institucionale, sepse kultura mësohet edhe në shkollë. Duhet provuar që të identifikohen vlerat në çdo fushë të jetës e jo të ngulfaten ato nga antivlerat. Kulturën duhet shkëputur nga politika. Kultura është arteria kryesore e një kombi, prandaj duhet një kujdes dhe përkushtim i madh për të. Askush nuk ka mund ta paramendojë një gjendje kështu të çoroditur si e kemi krijuar duke stimuluar dhe përkrahur antivlerat. Antivlerat po kultivohen edhe në sferat tjera të jetës, sepse po përkrahen edhe nga institucionet. Kështu kemi ardhur në një nivel të degradimit të përgjithshëm të shoqërisë sonë, e cila nga kjo pozitë e ka shumë të vështirë të krijojë një sistem vlerash, pa të cilat nuk mund të prosperojë një shoqëri.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Për dje mund të them se kishte më shumë frymë miqësie ndërmjet njerëzve. Raportet e tyre ishin shumë më të sinqerta, gjë që na bënin të ndjeheshim më njerëzorë. Sot ke bindjen se gjithçka është hedhur në tezgë për shitje, sipas një logjike të kapitalizmit të egër, ku si shoqëri konsumi sillemi si të çoroditur. Për nesër të shpresojmë dhe besojmë se do të bëhet më mirë. Gjërat natyrshëm lëvizin, ndërsa e rëndësishme është që nëse nuk mund t’i lëvizim më shpejt, së paku të mos i ndalim në lëvizje, siç po bëjmë tash. Madje shpesh të krijohet bindja se gjërat po i lëvizim nga prapa.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Meqë hobi kam pikturën, me të cilën mbushi kohën e lirë, ka shumë sosh, por unë ende nuk kam arritur të ndahem nga misteri i magjishëm i “Monalizës” së Leonardo da Vinçit. Në përgjithësi nga poetët më shumë pëlqej Lasgushin, ndaj kisha veçuar poezinë e tij “Ndjenja dhe njeriu”. Nga filmat nuk mund të mos e veçoj “Odiseun” me aktorin tonë të madh Bekim Fehmiun./Zeri/.