Lamtumirë Ramiz Kelmendi!

Kultura January 13, 2017 - 08:33

Familjarët, miqtë, dashamirët, studentët e bashkëpunëtorët i dhanë lamtumirën e fundit Ramiz Kelmendit. Me nderime shkrimtari, gazetari, publicisti e profesori Kelmendi u varros të enjten në varrezat e qytetit të Prishtinës. Klemendi ndërroi jetë mbrëmjen e 11 janarit, në moshën 86-vjeçare.

Teatri Kombëtar i Kosovës hapi dyert për homazhe me fillim nga ora 10:30. Aty parakaluan për ta nderuar tashmë të ndjerin dhe për të ngushëlluar familjarët personalitete të ndryshme, nga fusha e artit, letërsisë e politikës.

Veseli: Kelmendi bëri që kultura jonë të komunikojë me kulturën botërore

Në mbledhjen komemorative Kelmendi u kujtua si veprimtar i shquar, profesor i dashur, shkrimtar e gazetar i zoti.

Në fjalën e tij të rastit kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kelmendi duke qenë shkrimtar, publicist, mësimdhënës, gazetar, përkthyes i veprave monumentale të letërsisë botërore, bëri që kultura jonë, gjuha shqipe në Kosovë, të gjej rrugët e komunikimit me vlerat më të larta të kulturës botërore.

“Ramiz Kelmendi jetoi pjesën më të madhe të shekullit 20, shekull gjatë të cilit populli ynë ishte në përpjekje të pandërprera për të fituar dinjitetin, të drejtat legjitime dhe lirinë kombëtare. Ishin kohë të vështira. Veç luftës politike, kërkohej edhe diçka më shumë. Kërkohej ngritje shpirtërore, kulturore dhe arsimore e popullit tonë. Profesor Ramizi ishte ndër të parët që shkëlqeu në këtë drejtim”,  tha ndër të tjera Veseli.

Në anën tjetër kryeministri i vendit, Isa Mustafa, kujtoi se si profesor Kelmendi ka nxjerr breza të tërë gazetarësh të suksesshëm dhe ka pasur rol të rëndësishëm në afirmimin e kulturës e letërsisë sonë.

“Kam pasur fatin ta njoh personalisht Ramizin duke pasur kënaqësinë të shkëmbej me të pikëpamje për shumë zhvillime në Kosovë gjatë disa dekadave. E kam vështirë të përshkruaj me pak fjalë përshtypjet që më ka lënë ai me idetë e tij. Ramiz Kelmendi është një intelektual erudit që na ka dhënë një kontribut të shquar në zhvillimin e gazetarisë dhe krijimtarisë letrare. Ndarja nga jeta e Ramiz Kelemendit është humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë, artin dhe kulturën dhe të gjitha fushat e veprimtarisë së tij. Të gjithë qytetarët e Kosovës, përveç dhimbjes së pashmangshme duhet të jenë krenar që patën një profil të tillë të një intelektuali, që në familjen e tij la pasardhës të gazetarisë, kulturës, ekonomisë e fushave tjera”, tha Mustafa, duke shtuar se shoqëria kosovare duhet t’i jetë mirënjohës Kelmendit për kontributin e tij.

Për Kelmendin foli edhe miku i tij, Don Lush Gergji, i cili u shpreh se i ndjeri mund të përkufizohet me trinomin: Populli, libri dhe kultura.

Migjen Kelmendi: “Dashnia” është fjala që e përkufizon babën

Një telegram urimi familjes i ka dërguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala. Ndër të tjera Shala shkruan se Kelmendi do të kujtohet me pietet dhe respekt për veprën e tij të çmuar letrare.

Drejtori gjenerali i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, e kujtoi të ndjerin si artist të thellë e të guximshëm, krijues e kritik të teatrit modern të Kosovës, baba të skenës poetike e rugovas.

“Ai erdhi nga eposi i përjetësisë, nga bjeshkët e namuna i mbështjellë me legjenda. Shndriti gjatë në kohëra të errëta të historisë dhe iku padiktueshëm duke na lenë dhimbjen dhe kujtimin e pashlyeshëm, të gjithë neve që ishim nxënësit e tij”, tha Sopi.

Në emër të familjes Kelmendi të gjithë të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi për prezencën në numër aq të madh i biri i Ramiz Kelmendit, Migjeni.

“Kjo prezencë e juaj kaq e madhe është shumë e vlefshme për familjen. Unë kam shumë për të thënë për babën. Për të u thanë aq fjalë të mira, sa unë vetëm dua ta potencoj një aspekt të tij, që e përshkruan. Ajo është dashnia. Ai nuk kursehej kurrë në fjalë të mira, dinte ta shprehte respektin për secilin. Pra, nëse diçka e përkufizon babën, Ramiz Kelmendin, ajo është fjala dashni”, theksoi Migjen Kelmendi.

Mbledhja përkujtimore u mbyll me një poezi të recituar nga aktori dhe poeti rugovas, Çun Lajçi.

Publicisti dhe shkrimtari Ramiz Kelmendi është autor i disa romaneve, teksteve shkollore, dramave e fejtoneve. Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Shtatë persona ndjekin autorin”, “Vija e vrragë”, “Abrakadabra”, e të tjera.