I ftohti largon librashitësit nga sheshet e Prishtinës

Kultura January 12, 2017 - 08:43

Të premten mbushen një javë që kur librashitësit e shesheve të Prishtinës nuk shihen në lokacionet e tyre të zakonshme. I ftohti i ka detyruar ata të ndërpresin punën.

Që nga paslufta, shitësit e librit vendosen çdo ditë në të njëjtin pozicion në qendrën e Prishtinës, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Për vite me radhë çdo mëngjes e mbrëmje kutitë e tyre zbrazen e mbushen me libra, të rinj e të vjetër që ekspozohen për shitje.

Librashitësve, nga pushteti lokal i Prishtinës, tash e një kohë u është premtuar zgjidhje për problemin e tyre, strehim e mbrojtje nga shiu dhe i ftohti.

Gjatë dimrit të vitit 2013, në fund të mandatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në krye me Isa Mustafën, në Prishtinë, atyre iu ofruan disa shtëpiza të vogla të drurit, të cilat ata i refuzuan unanimisht, ndaj ato mbetën të pashfrytëzuara për një kohë të gjatë nëpër sheshet e Prishtinës.

Siç kujton Besian Zeneli, nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, i cili për vite me radhë shet në sheshet e Prishtinës, ata i refuzuan për shkak se nuk i plotësonin kushtet elementare të punës.

“Neve na ishte premtuar krejt diçka tjetër dhe në fund sollën krejt diçka tjetër, prandaj nuk i pranuam”, tregon Zeneli.

Në programin për Prishtinën, të kryetarit aktual, Shpend Ahmeti, ishte paraparë projekti “Këndet e librit”, i cili mëton t’i plotësojë kushtet e punës për këta librarë. Komuna e Prishtinës ka shpallur në qershor të këtij viti fituesin e konkursit që ka hapur kohë më parë në fushën e Arkitekturës dhe Dizajnit të Enterierit për projekt-propozimin arkitektonik “Këndi i librave” në sheshet “Zahir Pajaziti” dhe “Nëna Terezë”.

Fituese e këtij projekti është shpallur kompania “Studio 11”, e cila për dizajnin do të paguhet 1.200 euro. Megjithatë në këtë periudhë shtatë mujore nuk është parë ndonjë rezultat i këtij projekti. Edhe pse dizajni u vendos në verë, edhe ky dimër i gjeti shitësit e librave nën qiell të hapur.

I pyetur nga Gazeta “Zëri”, zëdhënësi për media i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi, thotë se këto shtëpiza do të përfundohen në pranverë, e deri atëherë do të caktohet një kriter për shfrytëzimin e tyre.

“Shtëpizat janë duke u ndërtuar dhe projekti pritet të jetë gati në pranverë të këtij viti, në ndërkohë  do të caktohen kriteret dhe do të shpallet konkursi për shfrytëzimin e këtyre stendave. Normalisht librashitësit ekzistues do të merren parasysh. Takimet me librashitës janë mbajtur paraprakisht”, deklaron për “Zërin” Vraniqi.

Për Besian Zenelin, fakti se ata mund të konsiderohen të barabartë me këdo që do të aplikojë për njërën nga tetë shtëpizat e librave, është i papranueshëm.

“Komuna ka filluar të krijojë një klimë jo të mirë në raport me ne! Këtij ‘Sheshi të librit’ apo sido që të emërohet identitetin ia kemi dhënë pikërisht ne, librashitësit që veprojmë çdo ditë në këtë shesh prej korrikut të vitit '99. Kemi pasur probleme nga më të ndryshmet me të gjithë kryetarët e Komunës së Prishtinës, përveç Isa Mustafës, i cili bile na pat liruar edhe nga gjithë obligimet karshi komunës, por si të themi, respektin e tij për librin e gaboi që nuk e përfundoi me realizimin e asaj që premtoi, një kënd të dinjitetshëm për librin”, përmend Zeneli.

Ai kujton se si kandidati i atëhershëm për kryetar komune, Shpend Ahmeti, e kritikoi Mustafën për këtë fakt.

“Ende pa u përfunduar mandati i tij, asokohe kandidati për kryetare të Prishtinës e kritikoi ashpër Isa Mustafën rreth librashitësve dhe tha: ‘Do t’ua bëjmë një vend të dinjitetshëm librashitësve siç e meritojnë!’ U desh një mandat i tërë që një projekti tillë ‘shumë problematik dhe me një kosto marramendëse’ të cilin me sa di e ka mbështetur dikush nga jashtë Komunës të realizohej! Dhe tash, 3-4 muaj para se të realizohet projekti, thuhet se do të merren parasysh edhe aplikimet e librashitësve ekzistues! Kjo vërtet është për çdo lëvdatë, ata që i dhanë identitet këtij projekti, të jenë të barabartë më këdo që dëshiron të marr një nga tetë shtëpizat! Sakrifica jonë 18 vjeçare në borë, shi, besa edhe gaz lotsjellës e plumba gome që morën jetë pikërisht në këtë shesh, ku do të mbesin, zotëri kryetar?!”, pyet Zeneli.

Ai dhe kolegët e tij projektin fitues që është zgjedhur e kanë parë vetëm në fotografi, mirëpo për të konstatuar se a do të jenë vërtetë funksional dhe a i plotësojnë kushtet ato kënde ata duhet të shohin një mostër të tyre. /ZËRI/