Vazhdon protesta e acartë e Plakollit

Kultura January 11, 2017 - 08:19

Që nga data 31 dhjetor regjisori Sokol Plakolli po proteston para Teatrit Kombëtar të Kosovës. As reshjet e borës dhe të ftohtit nuk e kanë larguar nga misioni që i ka dhënë vetës për të kundërshtuar, siç shprehet ai, shkeljet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Regjisori Plakolli thotë se vendimet e Këshillit aktual të Teatrit Kombëtar të Kosovës po i prijnë formimit të strukturave paralele në këtë teatër.

Ai po shpreh shqetësimin e tij duke qëndruar para Teatrit Kombëtar, ku po shfaqet “Pasardhësi” me autor Ismail Kadarenë, me regji nga regjisori Slobodan Unkovski.

Plakolli vlerëson se ky Teatër Kombëtar nuk po jep kontribut dhe madje akuzon se ky teatër po vepron “sipas urdhrave të Beogradit”, pasi sipas tij ndikimi i Beogradit është shtrirë në vet legjislacionin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ai po mbledh peticione, siç shprehet për të kundërshtuar “Sllavizmin e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe shkeljet nga këshilli i këtij teatri”.

Dhjetë ditë që nga protestimi i tij në acar para teatrit, nuk ka reaguar askush nga institucionet e vendit. Gjatë ditës së martë Plakolli përmes rrjetit social Facebook ka thënë se udhëheqësit e Teatrit Kombëtar të Kosovës i kanë kërkuar Policisë së Kosovës ta largojnë atë nga hapësira para teatrit.

Gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktoj përmes telefonit me drejtorin gjeneral të TKK-së, Agim Sopin, për të marr një konfirmim për këtë kërkesë, por edhe për të marr një koment për protestën disa ditore të regjisorit, megjithatë kjo ka qenë e pamundur. Në telefon nuk është përgjigjur as drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftari.

Të çuditshme protestën e Plakollit e shohin qytetarët që kalojnë çdo ditë shesheve të Prishtinës dhe punëtorët e dyqaneve afariste për rreth.

“Në këtë të ftoftë të jashtëzakonshëm që po mbizotëron është vërtetë e dhimbeshe ta shohim këtë artist që proteston këmbëzbathur çdo ditë këtu. Unë nuk marr vesh nga punët e artit, por më duket e çuditshme që më tepër se një javë ai vazhdon të protestojë dhe askush nuk po merret me të”, thotë një qytetar i Prishtinës.

Plakolli ka hapur edhe “librin e grevistëve” siç e quan ai, ku ata që e përkrahin mund të nënshkruhen.