'Psikozë n’4:48' vjen në Prishtinë

Kultura January 11, 2017 - 08:18

Teatri Kombëtar i Kosovës do të hapë dyert për një shfaqje nga qyteti i Ferizajt. Të premten, më 13 janar, në skenën e TKK-së do prezantohet shfaqja “Psikozë n’4:48”.

Teksti i shfaqjes, që vjen mysafire nga Teatri “Adriana”, është shkruar nga Sarah Kane dhe vjen në regjinë e Fatos Berishës.

Siç tregon regjisori Berisha, shfaqja është shkruar në kohën kur Sarah Kane vuante nga depresioni i rëndë dhe si e tillë kjo dramë trajton temën e mendjes psikotike.

“Kjo dramë është e njohur si vepra më e fragmentuar e saj, ku nuk ka as tregim e as personazhe, si dhe pa indikacione se sa aktorë duhet të luajnë në shfaqje. Është shkruar në kohën kur Sarah Kane vuante nga depresioni i rëndë, siç e përshkruan miku dhe kolegu i saj David Greig. Si e tillë kjo dramë trajton temën e ‘mendjes psikotike’. Sipas Greig, titulli derivon nga ora 4:48, kur Kane, në gjendje depresive, shpesh zgjohej nga gjumi”, thotë regjisori Fatos Berisha për Gazetën Zëri.

I pyetur se pse ka vendosur që së pari ta prezantojë shfaqjen para publikut ferizajas, Berisha thotë se kjo ka qenë një ftesë, të cilën e ka pranuar me kënaqësi, duke punuar kështu me trupën e sapo formuar rezidente të teatrit.

“Teatri i Ferizajt më ka ftuar të punoj një shfaqje dhe unë ftesën e pranova me kënaqësi. Ata po ashtu pranuan edhe propozimin tim për tekstin, që tregon edhe një guxim dhe vizion artistik. Pasi Teatri ‘Adriana’ sapo formoi trupën rezidentë të aktorëve, unë pata rastin së pari gjatë një procesi një javor t’i njoftoj më mirë, e pastaj vendosa të angazhoj gjithë trupën në këtë shfaqje. Kaluam një proces interesant, jo të lehtë të provave, sepse drama është shumë e vështirë për realizim, por gjithë ekipi ishte i hapur për eksperimentim dhe punë të disiplinuar”, thekson Berisha.

Tutej ai shton se e sheh qytetin e Ferizajt si vend me potencial për zhvillimin e teatrit.

“Mendoj që qyteti i Ferizaj është me fat që ka një grup të tillë aktorësh, si dhe ndërtesën e teatrit në gjendje të mirë, që jep mundësi të mirë për publikun e qytetit të shijon shfaqje profesionale kualitative. Vetëm se duhet të vazhdojë dhe të rritet mbështetja edhe e nivelit lokal dhe atij qendror”, thotë Berisha.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre paraqiten aktorët Mevlan Saraçi, Edona Berisha, Ekrem Jakupi, Jajush Ramadani, Ali Krasniqi, Arben Marevci, Sherif Bega dhe Milot Salihu, ndërsa asistent regjie është Kushtrim Asllani.

Sipas regjisorit, struktura aspak klasike që ka kjo dramë i ka dhënë atij mundësi të mira regjisoriale, por edhe vështirësi.

“Sfida më e madhe ishte vet qasja ndaj dramës. Duke qenë se nuk ka strukturë klasike narrative, si dhe nuk përcakton numrin e aktorëve, njëkohësisht jep edhe mundësi të mira regjisoriale, por edhe vështirësi të shumta në përzgjedhjen e qasjes ndaj tekstit. Unë kam vendosur të angazhoj 8 aktorë, të gjithë të trupës së Teatrit “Adriana” të Ferizajt”, thotë regjisori.

Shfaqja pati premierën më 24 nëntor në Teatrin ‘Adriana’, në Ferizaj, me fillim nga ora 19:00, duke vazhduar menjëherë me reprizën e parë me 25 nëntor dhe të dytën me 26.

Regjisori thotë se ekipi realizues ka ambicie të dalin nga korniza e nivelit lokal.

“Shpresojmë që pas publikut të qytetit të Ferizajt e Prishtinës të vazhdojmë me shfaqjet në qytetet tjera të Kosovës si dhe në festivale teatrore në rajon”, përfundon ai.

Në fund të janarit në Teatrin Kombëtar të Kosovës vjen si mysafire edhe shfaqja “Caveman” me tekst të Robert Becker e regji të Agim Selimit. “Caveman” do të shfaqet më 28 janar.

Në anën tjetër gjatë këtij muaji në Teatrin Kombëtar të Kosovës po reprizohen edhe shfaqjet “Pasardhësi”,  “Tregtari i Venedikut”, “Hamletmachine”, “Gazetarja e kultures vetëvritet, “Në det” e “Eshtrat vijnë vonë”.