“Kalle Llamen” kryeson top-listat në Shqipëri

Kultura January 10, 2017 - 08:32

Kënga “Kalle Llamen”, e muzikantes kosovare Fatime Kosumi, po kryeson top-listat muzikore në Shqipëri. Kënga është renditur e para në krye të listës së këngëve më të dëgjuara në “Top awards”.

Kjo këngë është inspiruar nga histori të vërteta të vajzave që martohen pa dëshirën e tyre në vegjëli. Kosumi, që së fundi krijon nën emrin artistik “Andrra”, ka zgjedhur këtë fillim të vitit për ta publikuar këngën që rrëfen se si një vajzë 14-vjeçare po martohet nga familja e saj.

Sipas artistes, teksti përmban pjesëza të historive të grave që vetë kanë përjetuar martesën në një moshë fëmijërore, përfshirë këtu dhe nënën e saj.

“Pasi nëna ime vetë e ka përjetuar një gjë të tillë, për videoklipin e këngës shkova në Bajqinë, në Podujevë. Vajzat në videoklip janë kushërirat e mia dhe ishte kënaqësi të punoja me to”, tregon Kosumi.

Së fundi këngëtarja po punon në albumin e saj “Palinë”, pjesë e së cilit do të jetë edhe kjo këngë.

Kosumi njihet edhe për përpunimin e këngëve të vjetra, të cilat i sjellë në versionet e saja unike. Përfshirë këtu “Andërr kesh në gjumë të parë”, “Dashurinë që e kam për ty”, e hite të tjera të pavdekshme të muzikës shqipe./Zeri/.