“Kamerfest” sjell 30 ansamble në Prishtinë

Kultura October 12, 2016 - 08:47

Një ndër festivalet më të mëdha të muzikës që zhvillohet në kryeqytetin tonë, “Kamerfest”, po zhvillon edicionin e 17-të. Koncepti i këtij festivali është grumbullimi i përbashkët në ansamble më të mëdha i artistëve mbarë shqiptarë me ata botëror.

Siç njoftoi drejtoresha e festivalit, Sihana Badivuku, në konferencën që i parapriu festivalit, në këtë edicion do të marrin pjesë rreth 30 ansamble të kombinuara me artistë nga vende të ndryshme të botës.

“Veçanti e këtij edicioni është bashkëpunimi me ‘Spectrum Concerts Berlin”, ku të pranishëm kemi edhe përfaqësuesin dhe violinistin Frank Doge, që i përzgjedh instrumentistët më të talentuar nga Kosova që vijnë në audicion për të performuar në Gjermani, në ‘Një koncert për Kosovën’, siç u mbajt edhe vitin e kaluar”, thotë Badivuku.

Ky edicion i festivalit “Kamerfest” ka tetë mbrëmje koncertale, shtatë prej të cilave do të mbahen në kishën katolike “Shën Ndou”, në Prishtinë, kurse koncerti i fundit, ai tradicional me Filarmoninë e Kosovës, do të mbahet në Sallën e Kuqe. Datat e rrethuara në kalendar për “Kamerfest” sivjet kanë nisur nga 10 tetori, për të vazhduar më 11,12,13, 20, 25, 26 tetor dhe 1 nëntor. Bëhet e ditur se të gjitha koncertet mbahen me fillim nga ora 20:00.

“Është nder i madh që kemi rastin të shënojmë edhe 100-vjetorin e violinistit Yehudi Menuhin, ky vit jubilar që festohet në gjitha qarqet e muzikës klasike në botë”, thotë Badivuku.

Organizatorët kanë dashur që çdo mbrëmje të këtë koncept dhe tematikë të veçantë, bazuar edhe në kompozitorët që prezantohen, me laramani kulturash e kombinime veprash.

Në mesin e mysafirëve që kanë destinacion Prishtinën, për të marr pjesë në festivalin “Kamerfest”, është edhe violonçelisti shqiptar që jeton në Ceki, Bledar Zajmi.

Mbrëmja e dytë e festivalit solli ‘Stinët e vitit’, të Antonio Vivaldit dhe Astor Piazzollas, duke i kombinuar dy stinë të Vivaldit dhe dy stinë të Piazzollas, karshi kompozitorëve nordik.

Në ansamblin e festivalit “Kamerfest” gjejnë vend për t’u paraqitur, përveç profesionistëve, edhe studentë të muzikës nga Prishtina, nga klasa e instrumenteve harkore, por edhe studentë nga Tetova.

Edhe festivali “Kamerfest” sikur çdo organizim tjetër serioz muzikor në Kosovë, ballafaqohet me mungesën e sallës adekuate të koncerteve.

“Neve si komunitet muzikor na dhemb mungesa e sallës koncertale, sepse as Salla e Kuqe, as Teatri Kombëtar nuk kanë parametra që t’i plotësojnë kushtet. Ne e falenderojmë Ipeshkvinë e Kosovës që na mundësoi t’i mbajmë shtatë koncerte në kishën katolike, një vendim ky që u mor në momentin e fundit. Ne natyrisht shpresojmë që qeveria jonë dhe institucionet tona sa më shpejt ta sigurojnë sallën, sepse së shpejti festivali ynë i bën dy decenie”, thotë Badivuku.

Vilolinisti Frank Doge, nga “Spectrum Concerts Berlin” tha para gazetarëve se konsideron që muzika e kultura dhe arti në përgjithësi e kanë ndihmuar shoqërinë gjermane të ec përpara dhe t’i kalojë pasojat e luftërave dhe ditëve të këqija. Sipas tij, projektet siç është festivali “Kamerfest”, ndonëse mund të jenë të vogla, duhet punuar që ato të kenë vazhdimësi dhe të mos shuhen, sepse kjo është tejet e rëndësishme për kapërcimi e vështirësive dhe shkëmbimi e kulturave.

“Shumë mirë nga ana e Sihanës që më ka ftuar edhe mua, sepse më ka mundësuar të kem qasje edhe direkt, edhe si interpretues në festival, sepse kjo i jep mundësi të krijojë një komunikim edhe më të ngushtë me muzikantët, të cilët me siguri do të konkurrojnë për të interpretuar në Gjermani. Një gjë e rëndësishme që më kujtohet ta përmendi për ‘Spectrum Concerts’ është se përderisa është ky regjimi i vizave ne duam që të hapim një derë në Berlin, t’u japim një mundësi muzikantëve që të prezantohen jashtë Kosovës”, tha Doge.

Festivali i muzikës së dhomës “Kamerfest” po përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ka ndarë 10.000 euro.

“Kamerfest” është festivali i parë i muzikës klasike te ne, i cili ishte një nismë dhe njëkohësisht i hapi rrugë edhe festivaleve tjera si ReMusica, Tingujt e flautit, DAM festival, Jazz Festival e shumë të tjerë.