Albulena Kryeziu triumfon në Mediterranean Film Festival
Aktorja kosovare, Albulena Kryeziu, është shpallur aktorja më e mirë në Mediterranean Film Festival të Italisë. Këtë çmim Kryeziu e ka marrë për paraqitjen e saj në filmin “Tradhti me letra”, me regji nga Valmir Tertini. Lajmin e ka konfirmuar vetë aktorja përmes rrjetit social Facebook.
Filmi “Tradhti me letra” flet për Meritën, e cila ka pranuar që Azemi, burri i saj, të martohet me një grua gjermane sa për t'i bërë letrat. Merita dhe Azemi kanë një vajzë. Pas katër viteve, Ana, gruaja e Azemit, insiston të vijë në Kosovë për të parë se ku ka jetuar burri i saj. Azemi Meriten e prezanton si motrën e tij, kurse vajzën si mbesë të tij. Atë natë, të gjithë flenë, ndërsa Merita nis të qaj te pragu i derës, përballë dhomës së Azemit dhe Anës. Merita aty ndjenë tradhtinë e hapur.
Me rolet në këtë film paraqiten aktorët: Alexandra Waluk, Fisnik Zeqiri, Albulena Kryeziu, Granit Shala, Molikë Maxhuni dhe Nexhip Nexhipi.
Aktorja Kryeziu është edhe pjesë e Ansamblit Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Filmi dhe teatri janë të pandashëm në karrierën e saj. Publiku e njeh më së shumti për rolet në serialet “Stinë dashurie” dhe “O sa mirë”.