Koncerti në Romë shënon një datë historike

Kultura September 08, 2016 - 08:40

Shenjtërimi i humanistes shqiptare, Nënë Terezës, tash të njohur si Shën Tereza, që ndodhi më 4 shtator, ktheu vëmendjen e botës nga populli shqiptar. Kësaj ngjarje i parapriu një koncert tejet i veçantë e përmbajtjesor, që u mbajt në Bazilikën papale të Shën Palit, në Romë me pjesëmarrjen e disa prej emrave më të shquar të muzikës lirike shqiptare, nën përcjelljen e Korit dhe Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Mbajtja e këtij koncerti në Bazilikën e Shën Palit jo vetëm që përbënte një rast të veçantë për artistët shqiptarë, por përbënte një rast të veçantë në përgjithësi, meqë Bazilika e Shën palit nuk njihet për aktivitete të tilla.

Nga Kosova në Romë u paraqitën 125 instrumentistë dhe pjesëtar të korit të Filarmonisë së Kosovës, krahas solistëve më të njohur shqiptarë në botë, nisur nga sopranot Ermonela Jaho e Inva Mula, tenori Ramë Lahaj, violinisti Shkëlzen Doli, pianisti Genc Tukiqi dhe solistja e njohur botërisht, Rita Ora.

Për të marr pjesë në këtë manifestim të rëndësishëm drejt Romës kishin udhëtuar dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana dhe aktorët e vegjël Lum Veseli e Andi Bajgora, që me filmin “Shok” dërguan sivjet Kosovën për herë të parë në akademinë prestigjioze të filmit, Oscars.

Lum Veseli rrëfen për Gazetën Zëri eksperiencën e tij në Itali dhe thotë se shkuarja atje për të ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm.

“Ishte një ndjenjë e pa përshkruar vet shkuarja në Romë, në një vend të mbushur me histori, e mos të flasim për kauzën për të cilën kam shkuar atje. Jam më se i privilegjuar që kam qenë pjesë e koncertit të madhe të dedikuar Shenjtërimit të Nenës Terezë, një gruaje, një humanisteje, një nëne të të gjithë botës”, thotë Veseli.

Ndonëse është i ri, Veseli që u paraqit para publikut me poezinë “Gjithmonë kam në zemër” është i vetëdijshëm për peshën historike dhe artistike të kësaj ngjarjeje, ndaj dhe e çmon jashtëzakonisht mundësinë që iu dha atij dhe Andi Bajgorës të interpretojnë në mesin e emrave më të njohur të artistëve shqiptar.

“Poezinë të cilën e kam recituar ishte shkruar nga vetë Nëna Terezë që e bën edhe më madhore prezencën time ne koncert. Kam pasur shumë tremë, sepse kam qenë i rrethuar nga shumë artistë të mëdhenj dhe kam pasur një përgjegjësi shumë të madhe por që besoj se ia kam arritur me sukses para një publiku në numër shumë të madh. Data 3 shator do të mbetet një nga ditët më të rëndësishme të jetës time. A ka kënaqësi më të madhe se të jesh pjesë e koncertit të Shenjtërimit të Shën Terezës!?”, përfundon Veseli.

Në anën tjetër edhe kapiteni Cana përcolli te publiku fjalët e humanistes Gonxhe Bojaxhiu, përmes poezisë së saj “Dua të kthehem në Shqipëri”, të cilën e kishte shkruar pak javë pas vdekjes.

Profesoresha e muzikës, Lumturie Kryeziu, e cila e ka ndjekur me vëmendje këtë koncert përmes medieve në Prishtinë, konsideron se për Filarmoninë e Kosovës kjo ngjarje ishte një zhvillimi muzikor.

“Si shqiptare por edhe si profesioniste e muzikës jam ndjerë shumë krenare atë natë. Mendoj se është folur shumë për vlerën dhe nderin që na bën neve Nëna Terezë, por dua të them se ky koncert që kishte përgatitur Filarmonia e Kosovës ishte aq i plotë sa për ta nderuar figurën e saj. Përzgjedhja e programit, veprat dedikuar Nënës Terezë, instrumentistët e solistët e jashtëzakonshëm. Ermonela, Inva e Rita ishin pasqyrë e pasardhësve te denja të Nënës Terezë. Vend tejet të rëndësishëm zuri edhe fjala e shkruar e saj, gjë që e madhështojë edhe më tepër këtë koncert”, thotë Kryeziu,

Papa Francesku më 18 dhjetor 2015 kishte hapur portën për shenjtërimin e Nënë Terezës, e cila është shpallur e lume në vitin 2003 nga Papa i atëhershëm Gjon Pali i Dytë. Nëna Terezë, e cila vdiq në vitin 1997 në moshën 87-vjeçare, është bërë një prej figurave fetare më me ndikim të shekullit XX. Si fituese e çmimit Nobel për angazhim humanitar, ajo u bë një njeri i dashur dhe shumë i respektuar jo vetëm nga figurat më të rëndësishme botërore të artit dhe kulturës, por edhe nga udhëheqës shtetëror.

Koncerti në romë jo vetëm që afirmoi kulturën shqiptare, por edhe ndërtoi një imazh shumë të mirë për shtetin e ri të Kosovës, duke qenë se ky koncert u transmetua nga një numër shumë i madh i medieve botërore dhe u përcollë nga miliona njerëz në botë.