Dëshmitari që pa me sy vdekjen e 3-vjeçares

Kronika June 08, 2016 - 07:27

Fillimisht kishte dëgjuar një zhurmë, pastaj pluhuri ia kishte zënë pamjen nga shembja e murit. “Kur e pashë që ndërtesa u rrënua, vrapova dhe pashë që rrënoja kishte zënë një fëmijë”, tregon Nue Spaqi, fqinji i parë i familjes Gashi, i cili humbi një ditë më herët vajzën trevjeçare nga kjo tragjedi.

“Një prej anëtarëve të familjes e tërhoqi fëmijën, nën rrënoja kishte mbetur edhe e ëma e fëmijës pa ndjenja dhe unë tentova që t’i ndihmoj”, rrëfen momentet e para të ngjarjes, që tronditi Prizrenin ditën e hënë, i indinjuar se për këtë ndërtesë ishin lajmëruar tashmë organet kompetente, të cilët e neglizhuan rrezikshmërinë dhe pasojat. “Kur nënës i erdhi vetëdija nisi ta kërkonte fëmijën, i cili ishte transportuar në spital, u mundova t’ia jap ndihmën e parë, pastaj e mori ambulanca dhe e dërgoi edhe atë në spital”, tregon Spaqi. Ai tha se kjo tragjedi ishte paralajmëruar shumë kohë më parë. “Dhe ne si banorë i kemi paralajmëruar institucionet për këtë rrezik që mundet të ndodhë, ne i posedojmë edhe shkresat që i kemi drejtuar te organet kompetente, mirëpo deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë gjë”, ka thënë Spaqi.

 Banorët kanë thënë se vazhdimisht i janë drejtuar institucioneve për rrezikshmërinë që po paraqesin këto objekte, por, sipas tyre, kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.

Ndërsa përgjegjësia për gjendjen e këtyre objekteve, të cilat janë buzë shembjes, po bartet sa në njërin e në tjetrin institucion. Të kontaktuar nga “Zëri” zyrtarë të Komunës së Prizrenit kanë thënë se ata nuk kanë kompetencë mbi këto objekte, pasi, sipas tyre, e tërë kompetenca ligjore bie mbi Ministrinë e Kulturës.

Edhe zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se vazhdimisht i janë drejtuar me kërkesa si Inspektoratit Komunal, po ashtu edhe Ministrisë së Kulturës për gjendjen e rëndë të këtyre objekteve, mirëpo ata asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje nga këto institucione.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Shafi Gashi, ka thënë se buxhetet për restaurimin e objekteve, të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore, janë minimale dhe se është momenti përfundimtar që Qeveria e Kosovës të ndajë një buxhet më të madh për restaurimin dhe mirëmbajtjen e këtyre objekteve, në mënyrë që të parandalohen raste të tilla sikur ai që ka ndodhur dje në Prizren.

Në anën tjetër, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka thënë se ata janë në fazën fillestare të mbledhjes së provave në lidhje me këtë rast dhe se do të ketë fillim të hetimeve për përgjegjësit e këtyre objekteve.

“Ne jemi në fazën fillestare të grumbullimit të provave në lidhje me shtëpinë që është rrënuar, ku si pasojë ka mbetur një fëmijë i lënduar. Ne dyshojmë se kemi të bëjmë me vepër penale me ‘Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’. Kush do të jenë këta persona përgjegjës, sigurisht se rrjedha e hetimeve pas grumbullimit të provave do të shohim. Ne do ta gjejmë përgjegjësin për këtë dhe sigurisht që ndokush do të duhej të përgjigjet, ne nuk po aludojmë në askënd, por sigurisht se ndokush do të duhej të përgjigjej për këto raste. Ne e respektojmë mbrojtjen e monumenteve kulturore, por nuk mbrohen monumentet duke shkaktuar rrezik për qytetarët”, ka thënë kryeprokurori, Sylë Hoxha. 

Të hënën në orët e pasdites në Qendrën Historike të Prizrenit është shembur një shtëpi e vjetër, ku një vajzë trevjeçare nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra nga shembja e shtëpisë së familjes së saj dhe si pasojë e këtyre plagëve ajo e ka gjetur vdekjen. Të lënduara rëndë kanë mbetur edhe nëna, edhe motra e saj.