Policia tregon shkaktarët e vdekjes së 3-vjeçarit nga Prizreni

Kronika June 06, 2016 - 18:04

Si pasojë e shembjes së një shtëpie të vjetër tek shatërvani në Prizren, ka humbur jetën një vajzë tre vjeçare.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit Vesel Gashi, i cili përmes një lidhjeje direkte në emisionin Info Magazine, tha se përveç viktimës së fëmijës tre vjeçare, lëndime nga shembja e shtëpisë e cila ishte objekt i vjetër banimi, kanë pësuar edhe një fëmijë tjetër, vajzë e moshës 10 vjeçare si dhe nëna e tyre 40 vjeçare.

‘’Sot rreth orës 15:50 ka ndodhur një incident ku është shembur muri i një shtëpie të vjetër ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë i moshës 3 vjeçare femër dhe janë lënduar dy persona të tjerë, një fëmijë i moshës 10 vjeçare femër si dhe nëna e tyre 40 vjeçare.’’

LEXO EDHE: Vdes fëmija që u zu nga shembja e shtëpisë në Prizren

Zëdhënësi Gashi, për Klan Kosova tha se arsyeja e shembjes së kësaj shtëpie ishte se ajo ishte objekt i vjetër e si pasojë e rrjedhjeve nga shiu ka ardhur deri tek shembja e saj.

‘’Shtëpitë kanë qenë të vjetra dhe si pasojë e reshjeve ka ardhur deri te shembja e shtëpisë.’’

Gashi tha gjithashtu se në momentin e shembjes së shtëpisë në fjalë, fëmijët ishin duke luajtur përreth por nga plagët e marra vogëlushja tre vjeçare nuk arriti të mbijetoi.

‘’Fëmijët kanë qenë duke luajtur në rrugë dhe nga plagët të cilët i ka marr fëmija tre vjeçar ka ndërruar jetë, të dy të tjerët janë në trajtim në spitalin rajonal të Prizrenit.’’