Djegia e autobusit në Krujë, çfarë tha shoferi

Kronika May 30, 2016 - 09:06
Shoferi i autobusit që u përfshi nga flakët tre ditë më parë në Krujë, është arrestuar të shtunën nga Policia e Durrësit.

Skënder Jonuzaj ka qenë mjaft i tronditur nga ngjarja, ndërsa mësohet se ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen.

“Autobusi ishte në gjendje shumë të mirë dhe deri në momentin që po më bënin shenjë qytetarët, nuk kisha konstatuar asnjë defekt në kroskot. Unë nuk e kam vënë re nxehjen e motorit që e shkaktoi këtë tragjedi”.

Kështu është shprehur dje Jonuzaj, i cili u “kryqëzua” nga pasagjerët që ndodheshin në mjetin që drejtohej prej tij, pasi pretendojnë se ka qenë ai fajtori kryesor për ngjarjen e rëndë, ku mbeti e vdekur një 65-vjeçare dhe u plagosën 12 të tjera.

“Gjithçka ka ndodhur papritur dhe shumë shpejt. Nuk kisha konstatuar asnjë defekt te mjeti, deri në momentin që po më bënin shenjë qytetarët, të cilët kishin konstatuar se autobusi ishte përfshirë nga flakët në pjesën e përparme të tij. Reagova shpejt dhe bëra të pamundurën për t’u ardhur në ndihmë pasagjerëve që ndodheshin brenda. Nuk di çfarë të them, deri në Krujë rruga na eci shumë mirë. Gjithçka ndodhi në pak sekonda, për arsye që për mua janë ende të paqarta”, mësohet të ketë deklaruar para hetuesve shoferi i autobusit me 30 besimtarët e nisur me iniciativën e Kishës Ortodokse në Vlorë, që u përfshi nga flakët në qendër të Krujës.

Arrestimi

Policia e Durrësit bëri të ditur se arrestoi drejtuesin e autobusit. Sipas Policisë, Skënder Jonuzaj akuzohet për veprën penale “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” (ka shkelur rregullat e sigurimit teknik).

Ngjarja e rëndë u shënua në lagjen nr. 1 të Krujës paraditen e së premtes, ku shoferi 56-vjeçar, duke drejtuar autobusin me targa AA 584 MP, nga Vlora për në Krujë me 30 pasagjerë, të cilët ishin besimtarë e klerikë ortodoksë, ka marrë flakë në ecje.

Për pasojë, ka gjetur vdekjen brenda në autobus 65-vjeçarja Violeta Gjika, banuese në Selenicë të Vlorës, e cila nuk arriti të dilte jashtë. Policia sqaron se “ndalimi i drejtuesit të autobusit me targa AA 584 MP, Skënder Jonuzaj, me banim në Vlorë, është bërë pas hetimeve paraprake mbi shkaqet e rënies së zjarrit në autobusin e nisur nga Vlora me 30 përfaqësues të Kishës Ortodokse për një udhëtim turistik në Krujë me destinacion final Ulqinin”.

Hetimet Nga hetimet paraprake, ekspertët flasin për një ngjarje aksidentale, e cila ndodhi si pasojë e një shkëndije elektrike në pjesën e përparme të autobusit, që ka ardhur si pasojë e nxehjes së motorit të mjetit në rrugën malore të Krujës.

Burimet nga grupi hetimor, i ngritur për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë, shprehen se shkak për përhapjen e flakëve në ambientet e kabinës ishin tubat e ajrimit të kondicionerit që e kanë përcjellë, shkruan ‘Panorama’.

“Nga hetimet paraprake kemi arritur në konkluzionin se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, si pasojë e një shkëndije elektrike në pjesën e përparme të autobusit. Shkëndija elektrike dyshojmë të ketë ardhur si pasojë e nxehjes së motorit të automjetit gjatë malores së Krujës. Flakët në kabinë janë përhapur nga tubat e ajrimit të kondicionerit, të cilat janë të “veshura” me një material që është shumë i ndjeshëm nga flakët dhe i ka zmadhuar në përmasa gjigante ato. Pasagjerët mund të kishin arritur të dilnin nga autobusi pa u lënduar, por janë mbërthyer nga paniku”, pohuan për gazetën burime nga grupi i hetimit.