Bosi shqiptar i drogës kërkoi kokën e Terpollarit, ja pistat e vrasjes

Kronika May 24, 2016 - 10:44

Një bari shqiptar që punon në një stan pranë Janinës rrëfeu dje para hetuesve grekë vrasjen makabre të shqiptarit Bledar Terpollari.

Ai tregoi se autorët janë shqiptarë dhe e detyruan që t’u tregonte fermën ku punonte Terpollari.

Sipas dëshmisë së tij, ai pa të gjithë skenën, vrasjen e 26-vjeçarit dhe prerjen e kokës, të cilën autorët e groposën në një vend tjetër. Hetimet e policisë greke kanë dalë në përfundimin se ekzekutimi mizor ka lidhje me trafikun e drogës, pasi mendohet se viktima nuk kishte dorëzuar një sasi droge apo kishte mbajtur një pjesë të parave nga shitja e lëndëve narkotike.

Bëhet fjalë për një grup kriminal shqiptar që kontrollon dhe drejton trafikun e drogës në Greqinë Veriore, pra në zonën e Janinës, Igumenicës e zona të tjera përreth, shkruajnë mediat greke.

Të dyshuarit janë 4 persona, që dyshohet se disa prej tyre mund të jenë arratisur në Shqipëri. “HuffingtonPost” në gjuhën greke e quan këtë krim vepër të mafies së drogës dhe e lidh me Kanunin në vendin tonë.

Sipas po kësaj media, kreu i kësaj bande mafioze kërkoi kokën e viktimës, pra të Bledar Terpollarit. Një zyrtar policie tha për mediat greke se bariu shqiptar që dëshmoi nuk fliste me emra për autorët e vrasjes, por tregonte pseudonimet e tyre, raporton Syri.net.

Pyetja thelbësore për hetuesit mbetet se kush është personi që i preu kokën në mënyrë makabre 26-vjeçarit Terpollari dhe çfarë ndodhi me kokën e tij. Siç edhe tregoi dëshmitari, autorët e varrosën kokën në një vend tjetër, por ende nuk është gjetur.